Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për takimin e të mërkurës me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shqetësimet që ai ka shprehur lidhur me Qeverinë Kurti, pastaj ka folur për vendimin e Qeverisë për pronat për Manastirin e Deçanit, draft statutin e Asociacionit, e të tjera.

Ai thotë se takimi me Escobar nuk ishte i këndshëm, pasi pati zhgënjim nga ai për nivelin e raporteve me qeverinë Kurti.

Me thënë të drejtën ishte një nga takimet e shumta që kam zhvilluar me Escobar. Dje ishim edhe me kolegët tjerë nga opozita. Nuk ishte takim i këndshëm në kuptimin e asaj se është e vështirë ta dëgjosh një zhgënjim të tillë dhe një vlerësim të tillë për nivelin kaq të ulët të raporteve të Kosovës me SHBA-të, gjë që nuk ka qenë as praktike, as trashëgimi që e kemi lënë, kështu që në këtë kuptim mund të them se ka qenë takim i vështirë sepse pavarësisht pozicioneve tona opozitare, nuk besoj që askush dëshiron ta shohë që Kosova po e humbë atë peshën që e ka pasur në një kohë në raport me SHBA-të, e SHBA-të padyshim që janë aleati më i rëndësishëm, më strategjik, madje qenësor, ekzistencial për Kosovën. Në anën tjetër, ne diskutuam gjerë e gjatë dhe shumë shtruar për të gjitha zhvillimet politike aktuale dhe ato të kohëve të fundit dhe natyrisht që qëndrimet tona që janë edhe të njohura dhe të qarta dhe transparente edhe në opinionin publik, i përsëritëm edhe në takim. Këto nuk janë të reja për përfaqësuesit e SHBA-ve”, thotë Krasniqi.

Kreu i PDK-së tregon detaje nga takimi me Escobarin, teksa thotë se SHBA-të e shohin me shqetësim këtë vit pasi po mbyllet “dritarja e mundësive”, për t’i përfunduar disa prej problemeve më të mëdha me të cilat Kosova është marrë ndër vite.

SHPËRNDAJE