I dërguari i Shteteve të Bashkuara Amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shteti i tij po heton për lidhjet e shtetit serb me sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Serbia ka pasur disa lidhje me sulmin e grupit të Milan Radoiçiqit më 24 shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës”, ka thënë Escobar.
“Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka theksuar ai.