Zurich, Zvicër, 19 shkurt – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi po qëndron në Zvicër, ku ka marrë pjesë në manifestimin e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Dega e PDK-së në Zvicër.

Duke falënderuar mërgatën për mikpritjen, lideri i PDK-së, z. Krasniqi tha se është kënaqësi e veçantë të festojë në mesin e tyre, sepse PDK-në dhe bashkatdhetarët para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët për liri.

“Ju falënderoj përzemërsisht për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që s’dallon aspak nga tradita jonë e shenjtë, e cila të huajin e pret si mik, e mikun si familjar, dhe mund t’iu them me plot zemër, se edhe sot, si gjithherë, po ndjehemi si në shtëpinë tonë, mes vëllezërish e motrash. E kam thënë edhe më parë, e më duhet ta përsëris edhe sot, se diasporën tonë dhe Partinë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët. Kjo është manifestuar pikërisht këtu në Zvicër, prej ku liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju, kanë punuar për ta ngritur UÇK-në, e përmes saj, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Krasniqi ftoi bashkatdhetarët që përmes PDK-së të kontribuojnë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit.

“Prandaj, në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë, ju ftoj që të bëhemi bashkë, si bashkëkombës e bashkë partiakë, që të lidhemi edhe më fort dhe që së bashku e të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, të punojmë pa u ndalë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit. Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur, për juve e për gjithsecilin”, tha Krasniqi.

“Situata ditore politike dhe pushteti, shpesh di të na e errësojë edhe arsyen dhe gjëra të tilla ndodhin e po ndodhin edhe sot te pushtetarët tanë, por, unë dhe ju të gjithë e dimë, se të vërtetën e historisë sonë, nuk mund ta errësojë kurrfarë lakmie, e as kurrfarë pushteti. Dhe kjo e vërtetë është se as 17 shkurti i 2008-tës si datë, e as shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk kanë kuptim pa nderuar përpjekjen titanike të Presidentit, ish-kryetarit tonë, e ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçit. Ai është fytyra e Kosovës moderne, të lirë, të pavarur e sovrane, dhe këtë gjë e ka shënuar historia e s’mund ta ndryshojë askush, kurrë dhe me asgjë. Edhe sot, përderisa pushtetarët në Kosovë hezitojnë t’i përmendin edhe kur kemi festë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po e vazhdojnë betejën për nderin e Kosovës, për të vërtetën tonë kombëtare dhe për nderin e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi përmendi edhe largimin e të rinjve për një jetë më të mirë jashtë Kosovës, si pasojë e keqqeverisjes së Qeverisë Kurti, ku tha se detyra e përbashkët e gjithë spektrit politik është krijimi i një të ardhmeje prosperuese në vend.

“Unë jam kundërshtar politik i Albin Kurtit, por Kosovën e kemi të përbashkët, dhe unë e dua një Kosovë të mirë e prosperuese, pavarësisht pozicioneve politike që kemi sot a nesër. Realiteti i brishtë i periudhës aktuale në Kosovë, që edhe ju e dini dhe po e shihni, nuk lidhet me betejat tona politike ditore, lidhet me gjendjen e rëndë që e ka përfshirë Kosovën, e që fatkeqësisht, është krijuar nga një pushtet totalisht i paaftë për ta ndalë degradimin e mëtutjeshëm. Prandaj, detyra e përgjegjësia jonë e përbashkët, është ta ndalim degradimin e Kosovës dhe ta nisim një rrugë të re, krejt ndryshe prej kësaj aktuales. Ky është obligim për njerëzit tanë e veçmas për fëmijët tanë dhe për të rinjtë e të rejat e Kosovës. Sepse në Kosovë, të rinjtë e të rejat kanë potencial, por ju duhet edhe një adresë që i sheh e i nxjerr në dritë. Ata meritojnë t’i kenë Kosovë mundësitë që i kanë fëmijët e juaj këtu dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht qëndroj në politikë. Që Kosovën mos ta lëmë të zbrazet, por ta bëjmë të qëndrojë në këmbë të veta, e t’ia mundësojë rinisë një jetë me dinjitet e perspektivë. Për ta bërë këtë gjë, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne, mbi Partinë Demokratike të Kosovës, sepse ju e dini se nuk ka punë, as projekt, as zhvillim që është bërë në Kosovë, e që nuk e ka vulën e PDK-së”, shtoi ai.

Krasniqi tha se PDK nuk ndalet, sepse misioni i saj është transformimi i Kosovës drejt një rruge të zhvillimit e mirëqenies dhe të bashkimit e qeverisjes së mirë.

SHPËRNDAJE