serbbbdOperatori serb i telefonisë mobile “MTS” është regjistruar si biznes në Kosovë, me adresë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës. Në ATK konfirmojnë se ky biznes është aktiv dhe deklarues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Operatori i telefonisë mobile serbe “MTS” ka gati 1 vit që është zyrtarizuar në Republikën e Kosovës.

Ky operator shtetëror është i regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), pronar i të cilit figuron “Telekom Srbija AD Beograd”.

Sipas certifikatës së biznesit, të cilën e posedon gazeta “Zëri”, pikërisht para një viti (12 tetor 2015) është konstituar Telekomi i Serbisë në Kosovë, përderisa përfaqësues i kësaj kompanie figuron të jetë Ilija Ivanoviq, shkruan Zëri.

Adresa e këtij biznesi është në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës dhe se kapitali fillestar është 25 mijë euro.

Operimi i “MTS”-së në Kosovë është produkt i marrëveshjes mes palës serbe dhe asaj kosovare gjatë negociatave që po mbahen në Bruksel.

Po ashtu, burime brenda Administratës Tatimore të Kosovës bëjnë të ditur se biznesi në fjalë është aktiv dhe është deklarues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

SHPËRNDAJE