(AIK-Presheva-Jone)

 

Luiz Ejlli, këngëtari simpatik nga Shkodra, është bërë fillimisht i njohur për të gjithë ne tek “Ethet e së premtes mbrëma”, në edicionin e dytë të tij ku edhe fitoi çmimin e parë. Nuk vonoi shumë dhe në festivalin e dhjetorit të po atij viti ai doli i dyti, ndërsa pak kohë më pas serish në festivalin e fundvititm fitoi çmimin e parë duke përfaqësuar Shqipërine në Eurovision 2006.

I është rikthyer skenës, pas rreth tre vitesh shkëputje dhe përsëri ka preferuar festivalin e RTSH. Ai është një nga konkurentët e përzgjedhur dhe do këndojë një kompozim të Shpëtim Saraçit, por kësaj rradhe nuk do të jetë vetëm, por në duet me Juliana Pashën, ndërkohë që bashkëpunëtorë do të jenë çunat e Produkt 28.

Luiz, u bë kohë që nuk të kemi parë të këndosh, me çfarë je marrë, nga ke humbur?
Epo është pak e vështirë të këndoj që nga Franca , ku tashmë kam 2 vjet që jetoj. Pas nje viti shkolle për të mësuar frëngjishten, momentalisht vazhdoj studimet në vit të parë në qytetin e Strasburgut për juridik dhe ekonomik, ndërkohë edhe punoj për të siguruar jetesën.
Si të duket Franca dhe francezët?
Fatmirësisht kam patur mundësinë të provoj edhe vende të tjera për të jetuar si Italia, Greqia, Amerika … por Franca është padyshim vendi që më ka pëlqyer më shumë të qëndroj. Atje nuk ka paragjykime, nuk të sheh njeri se nga vjen apo ku shkon, aty vlerësohesh për atë çka je dhe di të bësh dhe kjo është e rëndësishme. S’të thotë njeri “malok” atje (qesh).

Po në Shqipëri do të kthehesh pas studimeve apo do të vazhdosh jetën andej?
Duke patur parasysh që jam ende në vit të parë dhe i kam ca vite përpara se të përfundoj shkollën, nuk e kam vendosur, megjithatë qejfi ma ka që të kthehem dhe të jetoj këtu sepse sido që të jete si vendi jot nuk ka. Gjithsesi është akoma herët për të folur me bindje, kur të vijë momenti do shoh e do bëj.
Po për konkurimin në Festivalin e 47-të të këngës ç’mund të na thuash? Si të lindi ideja?

Meqë u bë kaq kohë që nuk këndoj, se andej ngela duke kënduar vetëm në dush, më mori malli për skenën. Duke qenë se ky është i vetmi festival që të jep mundësinë të këndosh live, atëherë unë parapëlqeva që të prezantohem këtu me këngën time. Kontaktova me patriotin tim, kompozitorin e mirënjohur Shpetim Saraçi dhe gjithë këto ditë po merrem vetëm me provat e këngës.
Kesaj rradhe nuk je vetëm por në bashkëpunim me Juliana Pashën dhe si këngëtarë mbështetës keni grupin Produkt 28. Ç’mund të na thuash më tepër për këte treshe interesante?

Juli është një këngëtare e cila nuk ka nevojë për fjalë, vlerat e saj vokale njihen tashmë, ajo ka një zë potent, është dinamike në stilin e saj, ndërsa unë nga ana tjeter jam me i butë, më pëlqen të këndoj qetë prandaj një kombinim i tillë na u duk i lezetshëm. Ndërsa çunat e Produkt 28 janë te tre shumë të talentuar, bëjnë muzikë profesionale dhe dinë të sjellin materiale të kohës, ndryshe dhe me stil. Besoj se me një bashkëpunim të tillë do vijmë bukur tek publiku … të shohim.

Po ndonjë klip ke në plan të realizosh, ende nuk e kemi parë një të tillë nga ti?
Jo, për momentin i vetmi angazhim i imi artistik është të jap maksimumin në festival, pastaj me të mbaruar pushimet, do t’i rikthehem jetës time studentore. Sa për klipe, nuk i kam fare në planet e mia të afërta, ndoshta sepse muzika sido që të jetë, do të ngelet sekondare në prioritetet e mia.

Kush është primare në jetën tënde tani?
Tani primare është të siguroj të ardhmen time, që do të thotë të fokusohem fort tek shkolla sepse këto janë ato vite te cilat mendoj se do të vulosin mirëqënien time. Andej edhe të jesh i biri i Sarkozy, nuk ta var njeri po nuk mësove, prandaj të gjitha energjitë e mia i kam vënë në shërbim të shkollës.

Po ndonje franceze nuk ta ka marrë zemrën këto dy vjet?
Jooooo.
Mos do të thuash që gjithë ky çun nuk e ka një të dashur?
Çuni e ka të dashurën po nuk është franceze, është shqiptare.
Po ku e ke njohur, këtu apo andej?
Këtu, këtu.
Sa i dashuruar është Luizi?
Shumë i dashuruar, s’ka qenë ndonjëherë më shumë.
Po si e ka emrin vajza?

Si shumë po kërkoni. Po jetoj një histori dashurie shumë të bukur prej 3 vjetesh me një vajze që më kupton, me bën të ndihem mirë, i plotësuar dhe sigurisht i lumtur. Nuk është thjesht vajza që dashuroj por është edhe shoqja ime më e ngushtë. Ndihem shumë me fat që kam pranë meje një femër të tillë. Kaq! Të tjerat pastaj nuk kanë rendësi, na përkasin vetëm mua dhe asaj, çdokush tjetër është i tepërt…
Megi, vajza që e bëri Luizin të linte Shqipërinë

Siç e lexuat edhe nga intervista, Luizi nuk tregon gjithçka dhe në fakt ai eviton një detaj shumë të rëndësishëm, identitetin e vajzës me të cilën ai po jeton një histori dashurie tre vjeçare, ndërkohë që ky është një fakt i ditur tashmë nga të afërmit dhe miqtë e tij.

E vërteta është se Luizi, djali 23 vjeçar nga Shkodra i cili me karizmën e tij arriti të fitojë Ethet dhe një çmim të parë në RTSH, është i dashuruar me një vajzë e cila ka një mama shumë të njohur. E kemi fjalën për Megin, vajzën e kryetares së Parlamentit Jozefina Topallit. Dy të rinjtë, si dy shkodranë dhe pothuajse moshatarë, mbase mund të kenë patur edhe njohje të hershme, por ata kanë filluar të shihen në shoqërinë e njëri tjetrit rreth tre vite më parë pikërisht atëherë kur Luizi ishte në kulmin e suksesit të tij si këngëtar.

Thuhet se Megi ishte një dashamirëse e muzikës dhe mbase ky fakt ka qenë i mjaftueshëm për t’ia bërë rrugën më të lehtë Luizit, drejt vazjës brune e cila ndër të tjera është edhe mjaft simpatike dhe ka mjaft ngjashmëri në portret me të jëmën. Megi dhe Luizi nuk kanë mundur të shoqërohen aq lirshëm sa të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë për vetë faktin se vajza kishte një nënë Vip. Fotografët kanë arritur të kapin vetëm një moment ku Luizi dhe Megi janë në shoqërinë e njëri tjetrit, në natën e ndërrimit të viteve 2006-2007 tek “Tropikal”.

Ndërkohë duket se lidhje e tyre nuk ishte nga ato kalimtaret, tipike të moshës 20 vjeçare, por një ndjenjë shumë më e thellë. Kjo bëri që Luizi të lërë Shqipërinë dhe bashkë me të edhe karrierën si këngëtar të cilën sapo e kishte nisur dhe të shkonte në Francë aty ku Megi studion ose më saktë në Strasburg, aty ku Megi 20 vjeç është në vitin e tretë të Universitetit Luiz Paster. 
Siç e lexuat nga intervista edhe Luizi është futur në shkollë dhe përveç kësaj largësia nga ambienti dhe të qënit vetëm, duket se i ka lidhur më shumë dy të rinjtë.

Dashuria e tyre nuk ka nevojë për koment pasi vetë Luizi tregon se ajo vajzë e ka bërë shumë për vete. Natyrisht të vjen keq se pse duhet që një djalë i moshës së tij të jetë kaq i kompleksuar për të fshehur identitetin e vajzës që dashuron, qoftë kjo edhe e bija e Jozefina Topallit. Një djalë i mënçur, i shkathët, i talentuar dhe mjaft simpatik siç është Luizi, duket se ka mjaftueshëm cilësi për të qenë jo vetëm i dashur dhe mik perfekt i një vajze, por edhe një dhëndër ideal për prindërit e saj.

SHPËRNDAJE