(AIK-Presheva Jone)

 


Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi mbrëmjen e djeshme, në prag të festës së ndërrimit të viteve, koncertin festiv “Grand Ballo në Opera”, një aktivitet i kthyer tashmë në traditë.

Hapja e mbrëmjes, u bë me interpretimin e “Marshit të Pashait”, për të vazhduar më pas me “Tango” nga Enada Hoxha dhe Gerti Vaso.

Më pas në skenën e TKOB-së u performuan pjesë nga premierat e këtij teatri gjatë vitit 2010 si “Dhimbje dhe dashuri”, “Zorba”, “Përrallat e Hofmanit”, “Vejusha gazmore”, etj.

Gjatë mbrëmjes interpretuan edhe solistët e TKOB-së Vikena Kamenica, Etleva Golemi, Armando Kllogjeri, Emiljana Palushaj, Armando Likaj, etj.

“Grand Ballo në Opera” e shoqëroi orkestra simfonike e këtij teatri, drejtuar nga Zhani Ciko, Edmond Doko dhe Deniola Kuraja.

Edhe këtë vit, balloja ofroi për publikun një atmosferë të mrekullueshme të festës në këtë fundviti me kryeveprat e muzikës klasike botërore të kompozitorëve Shtraus, Moxart, Franz Lehar etj, duke e bërë më të magjishëm aktivitetin e kthyer në traditë për këtë institucion.

Mbrëmja u ndoq dhe nga personalitete të vëndit, artistë, politikanë, trupit diplomatik, etj.

Ky është viti i shtatë që në sallën e TKOB zhvillohet “Grand Ballo”, sipas traditës vjeneze, ku orkestra simfonike interpreton valse të njohura, të cilat kërcehen edhe nga të pranishmit.

SHPËRNDAJE