Profesori universitar e sociologu Fadil Maloku, ka komentuar para vizitës së Hashim Thaçit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka thënë se para se të fotografohet me presidentin Donald Trump ai duhet ta mësojë dialogun.

Maloku ka thënë se nëse SHBA-ja përkrah copëtimin e Kosovës, kjo do t a dëmtojë e komprometojë skajshmërisht besimin, miqësinë dhe aleatin më të dëshmuar historikisht në Ballkan – atë shqiptar.

Ai fajëson kastën politike në Kosovë për mënyrën se si e ka ndërtuar miqësinë me SHBA-në. Ka propozuar plan B për jetësimin e asaj që e ka quajtur projekt për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan.

Ky është postimi i tij i plotë e pa ndërhyrje:

– Donald Trump dhe Departamenti i Shtetit, NË RAST se edhe DE JURE e stimulojnë (politikisht), përkrahin (mediatisht) dhe e faktorizojnë (diplomatikisht) idenë e COPËTIMIT të Kosovës, ATA, ad acta jo vetëm që do e shfuqizojnë gjeopolitikën rajonale të balancave që u krijua në vitin 1999, por, definitivisht do e dëmtojnë e kompromitojnë skajshmërisht besimin, miqësinë dhe aleatin më të dëshmuar historikisht në Ballkan- atë shqiptar!

– Për gjithë këtë “skenar hipotetik apokaliptik”, për Kosovën dhe faktorin shqiptar në Ballkan, NUK e fajsoj Washingtonin e as Brukselin, por, injorancën, hipokrizinë dhe mendjelehtësinë e KASTËS POLITIKE KOSOVARE, që për dy dekada të tëra “miqësinë” me Amerikën e ndërtoj në premisa të gabuara (shkaku i krimit dhe korrupsionit kulminant); e keqkuptoj (shkaku, se menduan që shtetësinë dhe demokracinë duhet të ua ndërtojnë tjerët); e kompromitoj (shkaku se u vetëkënaq me improvizimin e shtetndërtimit);…

– Në fakt, NËSE vërtetë ndodhë ky presedan (e me Donald Trump, po shihet se gjithçka është e mundur) në politikën e jashtme amerikane, shqiptarë e shekullit XXI atëherë, duhet t’u përshtatën rrethanave të reja; gjeopolitike e gjeostrategjike, në mënyrë që Projektin e faktorizimit të tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ta kërkojnë gjetiu…Ose, thënë edhe më thjeshtë duhet ta aktivizojnë nga “xhepi” Planin B”.

SHPËRNDAJE