z_1459005914-7364783Ish-Nënkryetari i AAK’së, Naim Maloku e ka përsëritur idenë e tij për një koalicion normal mes Partisë së Ramush Haradinajt me PDK’në. Ka thënë se ka ardhur fundi i koalicioneve të zorit për shkak të stabilitetit të shtetit. Koalicione të Zorit i ka quajtur edhe koalicionet e opozitës që janë ndërtuar prej se kanë përfunduar zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Naim Maloku kishte pasur pozitën e Nënkryetarit të AAK’së, kur në dimrin e vitit 2011, kishte propozuar lidhjen e koalicionit me PDK’në, asokohe kur Thaçi s’po gjente partnerë.

Të njëjtën ide, Maloku e ka edhe gjashtë vite më vonë. Thotë se Shteti ka humbur pse s’ka pasur një koalicion të natyrshëm mes dy partive të dala nga lufta.

Ky ish-deputet i Kuvendit të Kosovës thotë se pa u bërë koalicioni mes partisë së Thaçit dhe asaj të Haradinajt as Shteti s’mund të ketë stabilitet.

“Qysh është e mundshme që LDK thotë se jemi në koalicion të zorit me PDK’në. Pse s’ka një koalicion normal dhe të natyrshëm. Përderisa nuk ka koalicion të natyrshëm dhe normal por koalicion të zorit nuk do të ketë stabilitet në këtë vend”, ka thënë Maloku, për Gazetën Express.

“Kam menduar atëherë dhe mendoj edhe tash se AAK dhe PDK e formojnë një koalicion stabil”, ka shtuar ai.

Maloku ka thënë se as bashkimi i partive në opozitë nuk është i natyrshëm prandaj edhe ndodhin çarje qysh ndodhi me dështimin e protestës së paralajmëruar për ditën e sotme.

“S’duhet të ketë më koalicione të zorit as i partive opozitare”, ka shtuar ai.

Aktualisht, PDK dhe LDK janë duke qeverisur ne Kosovë, ndërsa, në opozitë janë AAK, NISMA e Vetëvendosje.

Pavarësisht kësaj, Maloku thotë se lidhja mes AAK dhe PDK’së do të ndodhë.

“U vonua shumë dhe janë krijuar dëme të mëdha që nuk është krijuar koalicioni, jo i zorit, por një koalicion i natyrshëm. Koalicioni i natyrshëm është AAK-PDK”.

Aktualisht, AAK ka vetëm tetë deputetë, pasi e fundit që u largua ishte Donika Kadaj Bujupi. Më herët ishin larguar Blerim Shala e Melihate Tërmkolli që kishin fituar votat për deputetët duke qenë pjesë e AAK’së.

Por, pse po i ndodhin gjithë këto largime AAK’së?

Naim Maloku jep përgjigjen.

“Gabimi i AAK’së është se gjithmonë i ka vendosur në pozita të larta njerëz që kanë ardhur për interesa personale, shumë private, shumë të shkurtëra, shumë afatshkurtaëra. Nuk kanë shku në AAK që e kanë dashur, por kanë shkuar vetëm për interesa të ngushta personale. Agim Çeku e pati marrë kinse librezën e AAK’së që kurrë s’është identifiku me AAK’në. Në AAK ka ardhur Blerim Shala, Melihate Tërmkolli, Ukë Rugova dhe iu kanë siguruar votat”, ka shtuar ai.

Pavarësisht zvogëlimit të AAK’së, Naim Maloku thotë se Partia e Haradinajt s’do të shuhet.

“AAK nuk do të shuhet kurrë. AAK do të mbetet në Parlament. Gjithmonë do të ketë vota. Ka elektorat besnik”.

Ish-udhëheqësi i AAK’së thotë se kjo parti po zvogëlohet edhe për shkak të disa tipareve dukagjinase të Ramush Haradinajt, i cili s’po përshtatet me politikën e Prishtinës.

“Sinqeriteti, edhe njëfarë burrnie e Dukagjinit i ka kushtue shumë Ramushit. Por, po shihet se burrnia tradicionale s’jep efekt. Të kthehet bumerang”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE