largea_arben-malaj1404746960Ish ministri i financave dhe njëri ndër figurat kryesore politike e intelektuale në Shqipëri, Arben Malaj, ekskluzivisht për Portalb komenton zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Ai thotë se zhvillimet aktuale në Maqedoni nxjerrin në pah sfida jo te reja me të cilat përballemi për shkak të mentaliteteve të vjetra. Fokusi tek statujat e “madhështisë” së së kaluarës dëshmon rrënjët e problemeve të së sotmes.

“Lidershipi maqedonas duhet gjithnjë e më tepër t’i kushtojë kujdesin e duhur dhe të garantojë hapat e domosdoshme ligjore dhe institucionale që garantojnë funksionimin e shtetit ligjor për çdo qytetarë të saj pavarësisht etnisë përkatëse. Çdo kufizim i lirive njerëzore, i lirive politike dhe ekonomike e dëmton bashkëjetesën ndër-etnike dhe i bën më të paqëndrueshme zhvillimet e ardhshme sociale dhe politike.” thotë ai për mediat shqiptare në Maqedoni.

Sias Malajt, faktori shqiptar mund të jetë më mirë i bashkuar, i harmonizuar dhe i përkushtuar për të mirëpërdorur në maksimum influencën e tij në institucionet e shtetit maqedonas si dhe me faktorin ndërkombëtar për sfidat e shqiptarëve.

“Ata duhet të kujdesen më shumë se forcimet deri në grindje midis tyre për fitoret parciale partiake në zgjedhje vendore apo parlamentare. Ky detyrim duhet plotësuar në shërbim të lirive më të plota të shqiptarëve, te cilat në çdo shtet demokratik në asnjë rast nuk mund të jenë më të vogla se ato të maqedonasve.
Demokracitë perëndimore bazohen në zgjerimin, plotësimin dhe garantimin e lirive, bile garantimi i tyre për etnitë në shtetet shumë etnike nuk është thjeshte një kriter i Kopenhagenit mbi te cilat është mbështetur Bashkimi Evropian, por është një parakusht për një të ardhme më të mirë të cdo qytetari dhe të çdo vendi. Është një parakusht për zhvillim, një parakusht për reduktimin e tensioneve sociale, është një parakusht për plotësimin e lirive ku mbështeten paqja dhe prosperiteti, kaq jetike sidomos për vendet tona të Ballkanit Perëndimor.” thotë Malaj.

“Maqedonia mund të zhvillohet jo nga madhështia e statujave të së shkuarës por nga standardet dhe vlerat evropiane të së sotmes dhe të së ardhmes, të garantuara në mënyrë të barabartë për çdo qytetar të saj” përfundon ai.

SHPËRNDAJE