Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke e çuar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi” dhe rrjedhimisht po i lë pa punë mbi 900 punëtorë.
Krasniqi tha se është hapur një thirrje për një kontratë kornizë 3-vjeçare nga Komuna e Prishtinës me vlerë prej 16.5 milionë euro që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Siç jeni njoftuar se këto ditë është hapur një thirrje për një kontratë kornizë, 3-vjeçare, nga Komuna e Prishtinës, me vlerë 16.5 milionë euro, e që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.”
Ai tha se kjo kontratë është hapi i fundit para falimentimit të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe rrjedhimisht mbetjen e pa punë të mbi 900 punëtorëve, ku tha se jemi dëshmitarë të gjendjes jo të mirë që mbretëron në Prishtinë.
“Në besojmë se kjo kontratë është hapi i fundit para falimentimit të ndërmarrjes Pastrimit dhe rrjedhimisht mbetjen pa punë e mbi 900 punëtorëve. Të gjithë ne jemi dëshmitar të gjendjes jo të mirë që mbretëron në Prishtinë, sa i përket mbeturinave, dhe natyrisht qe kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët e Prishtinës”, tha ai.
Ani pse Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje publike që mundësia dhe mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operatorë privat dëshmon që i gjithë procesi siç thotë ai, ngufatja e Prishtinës nga bërlloku gjatë 3 viteve të fundit.
“Megjithatë hapja e kësaj thirrje publike nga komuna e Prishtinës, dhe mundësia që mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operator privat neve na dëshmojnë që i gjithë procesi i ngufatjes së Prishtinës nga bërlloku, gjatë 3 viteve të kaluara, është bërë qëllimshëm nga ekzekutivi komunal, në mënyrë që pastaj të ndryshohet rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon futjen në treg të operatorëve privat, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh 16.5 milionë – ku tregun e marrin privatët, kurse Pastrimi në mungesë të të hyrave bankroton dhe 900 familjeve ju rrezikohet mirëqenia”, ka thënë ai.
Tutje asamblisti Krasniqi kritikoi LDK-në dhe PDK-në duke thënë se e gjithë kjo ka ndodhur gjatë qeverisjes së këtyre dy partive.
“Duhet potencuar se ndryshimi i Rregullores dhe mundësimi që edhe operatorët privat të jenë pjesë e sistemit për menaxhimin e mbeturinave ka ndodhur gjatë qeverisjes së përbashkët LDK-PDK. Ne, si Vetëvendosje edhe atëherë kemi qenë kundër këtij propozimi sepse kemi qenë të vetëdijshëm për rrezikun për bankrotim të ndërmarrjes Pastrimi”.
Ai tha se si Kuvend Komunal janë në fazën e ndryshimit të sërishëm të kësaj Rregulloreje.
“Si Kuvend Komunal, tani jemi në fazën e ndryshimit të sërishëm të kësaj Rregulloreje, me qëllimi largimin e atij neni që iu mundëson operimin operatorëve privat. Sa për sqarim, ne nuk kemi asgjë kundër operatorëve privat dhe kundër bizneseve, por prioritet i yni janë pasuritë dhe asetet publike, siç është në këtë rast ndërmarrja Pastrimi dhe 900 punëtorët e saj”.
Ai tha se me krye me Përparim Ramën tenderi prej 16.5 milionë euro është gati të realizohet.
“Tenderi prej 16.5 milion euro që planifikohet për operatorët privat është produkt i filluar nga bashkëqeverisja LDK-PDK dhe tash i vazhduar e gati i realizuar nga LDK-ja në krye me Përparim Ramën. Si rezultat i këtij veprimi të ekzekutivit komunal, tashmë është rrezikuar seriozisht edhe një grant i paraparë në disa faza, e me vlerë të përgjithshme rreth 70 milionë, i KFË për Pastrimin, e me të cilat mjete do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë problemi i mbeturinave në Kryeqytet”
“Duhet pranuar se gjendja në ndërmarrjen Pastrimi është e rëndë dhe fajtor për këtë, përveç ekzekutivit komunal që nuk ka investu në ngritjen e kapaciteteve teknike, janë edhe menaxhmenti aktual dhe menaxhmentet e kaluara të ndërmarrjes. Abuzimi, keqpërdorimi, keqmenaxhim dhe mbipopullimi i ndërmarrjes me militantë partiak, ka rezultuar me performancë të dobët dhe mungesë të stabilitetit të ndërmarrjes. Megjithatë, dorëzimi dhe falimentimi i ndërmarrjes nuk duhet të jetë opsion. Kjo është më e lehta, por është më e dëmshmja për publikun dhe për punëtorët”
“Qytetarë të dashur të Prishtinës, qasja dhe mendësia e LDK-së për favorizime të privates e në dëm të publikes po vije në shprehje edhe kësaj radhe. Një ndërmarrje e krijuar para 7 dekadave, që iu ka bë ballë shumë stuhive, po rrezikohet seriozisht për shuarje pikërisht gjatë qeverisjes së LDK-së në Prishtinë. Kjo nuk duhet të ndodhë, dhe këtë nuk do ta lejojmë të ndodh. Andaj, nga këtu, i bëjmë thirrje Përparim Ramës dhe partisë së tij LDK, që:
1. ta anuloj tenderin me vlerë 16.5 milionë euro
2. Bashkë me kuvendin komunal dhe me menaxhmentin e ndermarrjes te krijoj një plan afatshkurtër për rritjen emergjente të kapaciteteve teknike dhe menaxheriale te Pastrimit; dhe
3. Të krijohet një master plan, për rivitalizimin dhe fuqizimin e ndërmarrjes dhe një sistem efikas i menaxhimit të mbeturinave në qytet.
Për ne si Lëvizje Vetëvendosje, është e rëndësishme të kemi qytet të pastër por edhe njëkohësisht na intereson edhe mirëqenia dhe e ardhmja e punëtorëve të KRM Pastrimi dhe e vet ndërmarrjes”, ka përfunduar asamblisti Krasniqi./EO