Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka parë me shqetësim situatën e krijuar në këtë komunë pas djegies së qindra hektarëve të pyjeve në fshatrat Baicë, Obri e Tërdec.

Për të diskutuar për përhapjen e pandemisë dhe ndezjen e zjarreve, kryetari Lladrovci ka mbajtur mbledhje të Shtabit Emergjent dhe atij Operativ Emergjent.

“Kanë qenë dy çështje, e para ka qenë që fshati Zabel është vend i infeksionit dhe kemi diskutuar se cilat hapa i kemi ndërmarrë që nga dita e djeshme e deri më sot dhe si të vazhdojmë edhe me tutje”.

“Çështja tjetër ka qenë përhapja e një zjarri shumë i madh, ku qindra hektarë me pyje janë djegur në fshatrat Baicë, Obri e Tërdec, ku pos pyjeve janë djegur edhe shtazë të ndryshme, që për ne është shumë shqetësuese”.

“Unë mbrëmë e kam bërë një apel për qytetarët tanë që të kenë kujdes sepse mjaftueshëm kem probleme me pandeminë e cila ka përfshirë edhe komunën tonë së fundmi”, ka thënë Lladrovci.

Për rastin e parë me Coronavirus, në këtë komunë, Lladrovci ka thënë se dy familje nga fshati Zabel janë karantinuar, raporton EO.

Ai më tej ka shtuar se janë të detyruar t’i respektojnë vendimet e Qeverisë edhe nëse nuk janë të drejta.

“Ne e kemi për obligim t’i zbatojmë detyrat dhe rekomandimet e IKShP-së dhe vendimet e qeverisë, qofshin ato të drejta apo jo”.

“Ne detyrat tona i kemi kryer në momentin që e kemi marrë informatën dhe e kemi dërguar ekipin tonë dje së bashku me infektologun dhe i ka marrë të gjitha të dhënat dhe kontaktet që i ka pas familja në fjalë”.

“…njëra me gjashtë anëtarë e tjetra me tetë, i kemi karantinuar për shkak të rrezikut të kontaktit”, ka thënë Lladrovci.

SHPËRNDAJE