Dy panaire të librit në Prishtinë, një në Vlorë, mosmarrëveshje e kritika ndërmjet botuesve. “Në panaire kombëtare mbizotëron shpesh shtytja për të shitur me çdo kusht, dhe jo dëshira për paraqitje sa më dinjitoze dhe estetike të librit shqiptar. Në panaire ndërkombëtare stendat tona nuk përbëjnë ngjarje kulturore, por banaqe për librin”.

Në Prishtinë do të mbahet Panairi Ndërkombëtar i Librit në të cilin do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova e Shqipëria si dhe nga vendet e rajonit. Panairi do të mbahet nga data 4 deri me 8 maj.Ky panair, thonë organizatorët e tij, organizohet për arsye që të afirmojë librin shqiptar jo vetëm në hapësirat shqiptare, por libri shqip të afirmohet edhe në botën e jashtme, në kontaktet me botuesit e huaj dhe qëllimi kryesor i këtij panairi është që të tërhiqet vëmendja e lexuesit të librit në letër. Në këtë panair do të marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese dhe pritet që të jenë rreth 1000 tituj. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Unionit të Botuesve të Kosovës, Behxhet Bici, tha se ky panair do të organizohet nga Unioni i Botuesve të Kosovës dhe me ndihmën e kompanisë Nobel Events & Bussiness Consulting nga Prishtina. “Ky Panair do të sjellë shumë risi. Përveç që do të jetë panairi i parë ndërkombëtar i organizuar në Kosovë, në të do të marrin pjesë shumë vende nga rajoni si dhe nga bota. Në të do të ketë edhe mjaft debate dhe një ndryshim tjetër, për të cilin shpresojmë që të pëlqehet, do të jetë edhe pamja e panairit, e cila do të dallojë nga ato që kemi parë nga vitet e kaluara”, tha Bici. Gjithashtu përveç shtëpive botuese nga Kosova dhe Shqipëria, në panair do të marrin pjesë edhe botues nga vendet e tjera, si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina. Në panair do të ketë edhe promovim librash nga shkrimtarë të njohur dhe ata të rinj, si nga vendi ashtu edhe nga rajoni dhe bota. Çdo ditë do të ketë së paku një promovim. “Se sa tituj do të promovohen, varet nga botuesit. Ende është herët të flitet për promovimin e librave, por gati çdo ditë do ketë nga disa libra që do të promovohen” tha Bici. Përveç aktiviteteve të shumta që do e përcjellin këtë panair, titujt e ri do të jenë ata që do iu plasohen lexuesve shqiptarë në këtë panair, si nga shkrimtarë shqiptarë ashtu edhe nga shkrimtarë të huaj.

Edhe në Shqipëri, në anën tjetër të pakënaqur nga mënyra se si është trajtuar çështja e librit shqip, një grup botuesish të njohur kanë vendosur të shkëputen nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë e të formojnë një tjetër të quajtur Shoqërinë e Librit Shqip. Ky vendim është bërë i njohur nga botuesit më të njohur, si përfaqësuesit e shtëpive botuese “Dudaj”, “Toena”, “OMSCA1″. Disa nga arsyet janë shkelja e të drejtave të autorit, organizimi i panaireve kombëtare e ndërkombëtare. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri është shprehur se të gjitha pretendimet e ngritura janë pretekste. Sipas botuesve të larguar “arsyeja kryesore pse krijohet Shoqata e Librit Shqip është që botuesit e përmes tyre shkrimtarët, përkthyesit, të gjithë njerëzit e kulturës të kenë mundësi më të mira të përfaqësimit të librit në gjuhën shqipe.. Një tjetër arsye është organizimi i panaireve kombëtare e ndërkombëtare, ku libri është trajtuar si një mall thjesht për t’u shitur. “Në panaire kombëtare mbizotëron shpesh shtytja për të shitur me çdo kusht, dhe jo dëshira për paraqitje sa më dinjitoze dhe estetike të librit shqiptar. Në panaire të rëndësishme ndërkombëtare të librit, Shqipëria ose paraqitet varfër, ose nuk paraqitet fare. Stendat tona nuk përbëjnë ngjarje kulturore, por banaqe për librin”. Botuesi Ardian Klosi solli rastin më të fundit, pjesëmarrjen në panairin e Lajpcigut, ku sipas tij stenda shqiptare linte shumë për të dëshiruar. “Libri rrezikon të kthehet në një mall të thjeshtë tregtimi. Përballë shtimit të formave elektronike të leximit e sidomos konkurrencës së librit elektronik, kjo gjendje nuk shënjon asnjë perspektivë të siguruar për librin shqip, përkundrazi”. Ndaj dhe SHLSH synon t’i japë librit vendin që meriton. Dhe kjo nis me aktivitetin e saj të parë, Panairin e Librit të Vlorës.

SHPËRNDAJE