Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së që në rast shpërbërje të koalicionit PDK-LDK, në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar nga dy partitë në dhjetor të 2014-s, atëherë partia e Isa Mustafës nuk do ta njohë Hashim Thaçin president, që u arrit të zgjidhej në bazë të të njëjtës marrëveshje për bashkëqeverisje.

Osmani në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se mbi bazën e marrëveshjes për koalicion PDK-LDK, deputetët e kësaj të fundit e kanë votuar Thaçin president, ashtu siç është votuar Isa Mustafa kryeministër edhe nga deputetët e PDK-së.

“Në rast të prishjes së kësaj marrëveshje, këtij koalicioni i cili në mënyrë precize paraqet se nuk duhet të ketë mocion dhe nëse kjo ndodh, atëherë LDK nuk do ta njeh as pozitën e presidentit. Nuk do ta njeh Hashim Thaçin si president dhe do të këtë një situatë të komplikuar në këtë relacion mes LDK-së dhe institucionit më të larët të shtetit”, citon kosovapress të ketë deklaruar të hënën Osmani.

Ky qëndrim i deputetit të LDK-së ka ardhur në ditën kur ministrat e PDK-së në Qeveri nuk u paraqitën në mbledhjen e anuluar të ekzekutivit, e paraparë të zhvillohej të hënën në mëngjes, në të cilën ishte paraparë procedimi i Demarkacionit në Kuvend.

Gjitha këto zhvillime kanë ndodhur dy ditë para se kryeministri Isa Mustafa të testohet në Kuvend nga një mocion mosbesimi të iniciuar nga opozita VV-AAK-NISMA dhe të mbështetur edhe nga disa deputetë të PDK-së dhe pakicave.

SHPËRNDAJE