Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i bëjnë thirrje presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të jap dorëheqje nga posti i saj në mënyrë që t’u hapë rrugën reformave kushtetuese e zgjedhore në vend.

Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Kristofer Dell.

Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.

Megjithatë, gjatë korrikut të sivjetmë, Gjykata Kushtetuese e konsideroi anti-kushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesë vjeçar.

Tani, rrugëdalja nga kjo gjendje, sipas deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për reformën kushtetuese, është që Jahjaga të jap dorëheqje.

“Presidentja vet e ka dhënë fjalën në fjalimin e saj inaugurues se në momentin kur të përgatiten ndryshimet kushtetuese ajo do të tërhiqet. Është evidente që një gjë e tillë nuk i ndalohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, prandaj ne presim nga ajo që të lëshojë rrugë dhe të njëjtën kohë të jap shembull edhe për liderët e tjerë që ta respektojnë marrëveshjen dhe të tregojnë që morali dhe politika të shkojnë bashkë dhe në anën tjetër të tregohet se kur jepet fjala publike ajo duhet të respektohet”, thotë Osmani.

Nëse Jahjaga nuk ofron dorëheqjen, kurse partitë e koalicionit qeverisës nuk e zbatojnë marrëveshjen, atëherë LDK-ja, si kundërpërgjigje, nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe as reformën zgjedhore, thotë deputetja Osmani.

“Ne natyrisht që nuk kemi arsye t’i votojmë amendamentet kushtetuese sepse ato amendamente kanë të bëjnë me zgjerimin, fuqizimin e kompetencave të presidentit dhe ato janë paraparë vetëm për një president të zgjedhur drejtpërdrejtë. Pra, LDK-ja nuk ka interes që t’i fuqizojë kompetencat e presidentes aktuale, mirëpo mendon që është në interes të vendit që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta për president nga ana e popullit”, thekson Osmani.

Qëndrimet e LDK-së i sheh si jo parimore shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Ai thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kundërshtohen dhe e fton LDK-në që të mos e bllokojë procesin e reformave, por t’i votojë ndryshimet në momentin kur ato do të dalin për miratim para Parlamentit.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai vendim është obligativ për të gjitha institucionet dhe për gjithë spektrin politik në Kosovë. Mendoj që bojkoti, bllokimi, është mentalitet i të kaluarës. Kemi një proces të cilit jemi duke i kontribuar që të thellohen reformat demokratike dhe jo që ato të bllokohen. Prandaj ne jemi shkëputur njëherë e përgjithmonë nga mentaliteti i bllokimit”, thotë Grabovci.

Ndërkaq thirrjet e LDK-së për dorëheqjen e Jahjagës, Grabovci i sheh në suaza të kërkesave normale të një subjekti politik.

Por, megjithatë konsideron se Kosovës në këtë fazë i duhen më shumë reformat sesa zgjedhjet e shpejta presidenciale apo qendrore.

“Çdo subjekt ka të drejtën e vet të apelojë për dorëheqje nga presidentja. Mirëpo, varet tash se sa ka të drejtë ligjore e kushtetuese. Ne e kemi Kushtetutën që na obligon të gjithëve që ta respektojmë dhe mbi interesat partiake, individuale e grupore janë interesat nacionale”, thekson Grabovci.

Marrëveshja Thaçi – Mustafa – Pacolli e cila më pas u përkrah edhe nga Kuvendi me anë të një rezolute të miratuar në prill të vitit 2011, mes tjerash parashihte ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, si dhe zgjedhjet presidenciale diku në fund të vitit 2012 dhe zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2013.

Tani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit me marrëveshje politike nuk mund të shkurtohet mandati i institucioneve, është pak e pritshme që të ketë zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq qëndrimi i LDK-së, mund të ndikojë që edhe reformat zgjedhore e kushtetuese të mos kalojnë deri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të re politike, por e cila, mbase do të respektonte fillimisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. (rel)

SHPËRNDAJE