Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Latifi,  duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se Albin Kurti ka ardhur në pushtet falë gabimeve të të tjerëve.
Latifi ka thënë se Kurti në mungesë të përvojës në pushtet, me besim të tepruar në intelektin e tij, dhe i rrethuar nga njerëz arrogantë e të padijshëm, ai e humbi shansin e tij kryesor për të qenë pjesë vendimtare në historinë e papërfunduar të lirisë së Kosovës.

Më tutje, Latifi ka thënë rotacioni i pushtetit, që rrjedh nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pengohet me mjete jodemokratike. “Do të ishte gabim fatal nëse do të tentohej një gjë e tillë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Latifit:
Ardhja në pushtet dhe qëndrimi në pushtet janë dy gjëra të ndryshme! E para, rëndom, vjen nga gabimet e të tjerëve. E dyta, rëndom, varet nga mend e tua. Albin Kurtin e sollën në pushtet gabimet e të tjerëve, por ai nuk diti ta mbaj atë.
Në mungesë të përvojës në pushtet, me besim të tepruar në intelektin e tij, dhe i rrethuar nga njerëz arrogantë e të padijshëm, ai e humbi shansin e tij kryesor për të qenë pjesë vendimtare në historinë e papërfunduar të lirisë së Kosovës.
Rotacioni i pushtetit, që rrjedh nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pengohet me mjete jodemokratike. Do të ishte gabim fatal nëse do të tentohej një gjë e tillë.
Si për Kurtin, ashtu edhe për vendin. Në rrethanat e reja politike, që janë krijuar nga mbrëmë, Kurtit i mbetet edhe një shpresë e vetme, shpresa se pushtetarët e rinj do të jenë aq të marrë sa t’i përsërisin gabimet e tyre të vjetra, të cilat kanë të bëjnë me keqqeverisjen, nepotizmin, klientelizmin dhe korrupsionin e shfrenuar.
Nëse ata nuk i përsërisin ato gabime, ylli politik i Kurtit do të humbas shumë nga shkëlqimi i tij. Ndoshta në mënyrë të pakthyeshme!

SHPËRNDAJE