Një plagosje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shijakut. Sipas informacioneve të para nga burimet policore, një person ka mbetur i plagosur dhe se ai është punonjës i Policisë Bashkiake të Shijakut. I plagosuri është identifikuar si Shpend Lima, 40-vjeç. Ai ka marrë një plumb në gjymtyrët e poshtëm dhe është shtruar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve të para dhe kqyrjes së vendit të ngjarjes, gjasat janë që punonjësit të Policisë Bashkiake të Shijakut mund t’i jetë bërë atentat. I plagosuri kishte qenë duke shkuar në shtëpi dhe ishte duke ngjitur shkallët e pallatit për në katin e tretë, tek banesa e tij. Aty një apo disa persona e kanë pritur dhe kanë hapur zjarr.
Efektivat e Komisariatit të Policisë së Shijakut janë vënë në kërkim të autorit, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nëse ajo ka qenë me të vërtetë plagosje apo një vrasje e mbetur në tentativë.