Dervish Sadikaj, quhet personi që Jakup Krasniqi thotë se i ka tërhequr 3 milionë marka që Qeveria e Bukoshit i kishte dërguar për Shtabin e UÇK’së gjatë luftës. Por, kush është Dervish Sadikaj? Me gjasë, askush nuk po e di, as Jakup Krasniqi e as shefi i dikurshëm i Shtabit të UÇK’së, Bislim Zyrapi.

Ideja e ekzistencës së fondeve gjatë kohës së luftës në Kosovë, qoftë fondi 3% e qoftë ai “Vendlindja thërret”, ishte që të shfrytëzohen si fonde për lirinë e vendit.

Kohëve të fundit, janë zhvilluar debate të ashpra për luftën ku doli në pah rivaliteti i akterëve që kanë qenë personazhe të rëndësishme gjatë asaj kohe. Por, nuk munguan as debatet për milionat dhe kah shkuan ato.

Deputeti i LDK’së Anton Quni, kishte hedhur akuza ndaj Xhavit Halitit, duke thënë se ka marrë rreth 8 milionë marka nga koloneli Ahmet Krasniqi gjatë kohës së luftës.

Por, një ditë më pas, Xhavit Haliti nuk i pranoi ato akuza duke thënë se Quni nuk ka fakte, megjithëse pranoi se kishte marrë para prej Ahmet Krasniqit, por nuk tregoi se sa milionë.

“As që na ka shku mendja që dikush po luan me të hollat e luftës”. Kështu ka thënë të enjten, ish-zëdhënës i UÇK’së, Jakup Krasniqi në T7.

Atëkohë, Shefi i Shtabit të UÇK’së, Bislim Zyrapi dhe vetë Jakup Krasniqi i kishin kërkuar Qeverisë Bukoshi 20 milionë marka, si ndihmë për luftën. Por,  çka ka ndodhur me ato para, a janë dhënë, apo nuk janë dhënë nga Qeveria, as vetë iniciatori i kësaj kërkese nuk e di edhe tash pas 20 viteve, shkruan Gazeta Express.

Të enjten në emisionin “Pressing”, ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se përmes një letre e ka kuptuar se njëfarë Dervish Sadikaj i ka tërhequr paratë, rreth 3 milionë marka të atëhershme.

“Unë nuk e kam njohur, ai nuk ka qenë nga Shtabi, por ka qenë njëri nga ata që i ka ndihmu UÇK’së nga Shqipëria”, tha Krasniqi.

I pyetur për lidhjen e Xhavit Halitit dhe këtij Dervish Sadikajt, Krasniqi përmendi se Haliti kishte pranuar se ka marrë një shumë të hollash, por jo shumën që Shtabi i UÇK’së e ka kërkuar nga Qeveria Bukoshi.

“Ne i kemi kërku 20 milionë, por na u janë dhënë 3 milionë”, tha Krasniqi.

Por, për shfrytëzimin e këtyre parave, për Gazetën Express ka folur të premten, ish-shefi i Shtabit të UÇK’së, Bislim Zyrapi.

Zyrapi ka thënë për Express se paratë, ai 3 milionëshi, është ndarë dhe ka shkuar aty ku është planifikuar, për Shtabin, për nevojat e ushtarëve të UÇK’së. Por, as ky i fundit, nuk e di se kush është Dervish Sadikaj.

“Po nuk e di as unë, kjo është nofkë, po nuk e di tash kush është ky emër. Ka kalu kohë, s’i mbaj mend krejt emrat”, tha Zyrapi për Gazetën Express.

Në këtë bisedë për Gazetën Express, Zyrapi tha se për këto çështje është deklaruar disa herë dhe nuk ka çka të deklarohet më, por duke mos e ditur se kush është Dervish Sadikaj.

E në qoftë se ky emër ka qenë një nofkë, Zyrapit nuk i kujtohej se kush fshihet pas këtij emri, pasi sipas tij, ka kaluar kohë e gjatë

 

SHPËRNDAJE