Të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për çështjen e dinarit, ai ka theksuar se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme.

Kryeministri Kurti nuk ka dashur të flasë për propozimet e mundshme të zgjidhjes së çështjes, pasi, sipas tij, dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe.

Kurti tregon se, ndonëse ka pasur propozime nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ato nuk janë refuzuar në mënyrë absolute. Ai thekson se është një proces në vazhdim dhe ka disa propozime në tavolinë.

Megjithatë, Kurti bën të qartë se nuk pranohen propozime që shkelin rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, ka deklaruar Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

SHPËRNDAJE