Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij për Al Jazeera është pyetur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve për të cilën kanë diskutuar ish-presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kurti ka thënë se është i sigurt se Vuçiq ka nostalgji për ato kohë, por projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, megjithatë thotë se ideja s’ka vdekur, raporton Express.

Tutje Kurti shton se shkëmbimi i territoreve s’do të ndodhë meqë është një formulë për luftë.

“Unë jam shumë i sigurt që presidenti i Serbisë është nostaligjk për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por përsëri, ideja s’ka vdekur. Por nostalgjia s’është një ndjenjë me të cilën mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve s’do të ndodh, shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Ai tutje ka thënë se kufijtë etnik s’janë zgjidhje. Por sipas tij ajo që është e nevojshme është shtete që kanë raporte normale dhe demokraci gjithashtu. Kur e thotë këtë, Kurti thekson se problemi qëndron tek Serbia si një shtet autokratik që ka lidhje me Moskën.

“Kurrë s’mund të kesh kufij perfekt etnik. Gjithmonë do të ketë njerëz që do të mendojnë se janë në anën e gabuar. Çfarë kemi nevojë është Republika që kanë raporte normale dhe demokraci me to. Demokracitë s’e luftojnë njëra-tjetrën. Tensionet që i kemi me Serbinë janë sepse ne jemi vend demokratik dhe Serbia është regjim autokratik me lidhje të afërta me Kremlinin”, ka thënë Kurti për Al Jazeera.

SHPËRNDAJE