ylli-pataNga Ylli PATA

Që takimi i parë midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës do të dilte pa rezultat, kjo kuptohej që në momentin kur u negociua nga ambasadori Donald Lu, zyrtarja e lartë e DASH, Victoria Nuland, shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, apo edhe këshilltari primar i kancelares Angela Merkel.

Arritja e parë dhe lajmi fillestari ishte realizimi i takimit, i cili po pengohej nga të gjitha forcat centrifugale që nuk duan ndryshimin e sistemit të drejtësisë.

Nuk ka asnjëherë rezultat në takimin e parë, ndaj pritet të ketë bisedime të tjera, natyrisht me negocime të vështira.

Por ç’ndodhi gjatë kësaj kohe para takimit? Dy gazetarë të njohur, Arjan Çani dhe Artur Zheji i kanë dërguar mesazhe të koduara direkt Lulzim Bashës se çfarë nuk duhet të bëjë në takim.

Si Zheji, ashtu dhe Çani, në mënyrat e tyre stilistike i kërkonin liderit të opozitës që të mos arrinte pakt me Edi Ramën për Kryeprokurorin e ri të Republikës, që në fakt është dhe “nyja gordiane” e reformës në drejtësi.

Padyshim jemi në të drejtën e secilit në lirinë e mendimit dhe të shprehjes që falë Zotit është dhuratë që Krijuesi i ka bërë njeriut si krijesë e privilegjuar e Tij.

Por duke parë se kë përfaqësojnë si konjukturë politike, dy emrat e njohur të medias, që janë atashuar hapur në qëndrimet e tyre politike: njëri me Ilir Metën dhe tjetri me Sali Berishën, shkrimet e tyre janë kuptuar në opinionin publik si “shantazhe” apo mesazhe të koduara që vijnë nga qarqet respektive të politikës.

Media në këtë rast përdoret në versionin më ekstrem të saj, jo si tryezë në mes pushtetit dhe publikut por si “pushkë” për të goditur, si armë për të qitur në ajër një batare, që është as më pak e as më shumë por një variant modern i komunikimit mes dy ushtrish ndërluftuese që ndodhen në llogore, të gatshëm për të bombarduar dhe zhdukur njëri-tjetrin.

Si në Luftën e Parë Botërore, kur përpara betejës hidhej gaz helmues për të qorruar dhe tronditur në tru ushtarët e këmbësorisë, edhe sot “bataretë” e gazetarëve me emër shërbejnë për të njëjtin qëllim.

E në fakt, asnjëri nga analistët, vetëm pak të tillë e bëjnë, nuk e sqarojnë çështjen në thelb, që publiku të jetë i qartë dhe të zgjedhë vetëm se kë version pëlqen, apo kush ka të drejtë në këtë rast.

Por shantazhimi i liderit të opozitës, në një kohë kur vendi është para një ndryshimi shumë jetik, siç është spastrimi i drejtësisë nga vampirët e kapur nga korrupsioni, krimi dhe politika e mbrapshtë, nuk është gjë tjetër veçse një e drejtë apo liri që nuk përfaqëson as mendimin ndryshe dhe as opinionin e hapur.

Media duhet të shpjegojë se çfarë roli luan drejtësia si një institucion i pavarur nga qeveria, Presidenti, Parlamenti apo dhe pushtetet e tjera.

Më pas, normalisht duhet të bëjë të qartë se pse po përplasen palët.

Dhe fakt është se Rama dhe Basha nuk ranë dakord pasi kreu i PD-së kërkonte që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i cili emëron gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili emëron prokurorët, të ndahen politikisht, me një fjalë: 3 nga PS e 2 nga PD, apo ndonjë formulë e ngjashme.

Një formulë që sipas mendimit tim, por rastësisht edhe të juristëve të SHBA dhe BE që kanë hartuar draftin e reformës, nuk do të ishte e përshtatshme, pasi do ta linte peng dhe në vendnumëro drejtësinë.

Megjithatë edhe qëndrimi i PD-së është demokratik, madje edhe i vendosur si opsion i mundshëm në një nga shënimet e Komisionit të Venecias.

Por, a është i përshtatshëm në rasti tonë kur politika është oligarke dhe e pandryshuar prej 25 vjetësh, madje edhe kur ndryshon e bën në mënyrë trashëgimike dhe jo meritokratike?

Le ta themi në mënyrën më të thjeshtë: në gjykatën kryesore të vendit, është vënë kryesues i afërmi të një politikani supeinfluent.

Në Gjykatën Kushtetuese, është pjesëtar, familjari i një politikani aktor edhe në reformën në drejtësi.

E njëjta gjë po të shkohet me tej tek Gjykatat e Apelit, ajo administrative dhe gjithë gjyqësorin. E pakta ka lidhje të afërt familjare, tribal, më pas ka lidhje biznesi dhe klientele.

Një përfaqësim politik do të thotë të ruante statukuonë, pra sistemin aktual.

SHBA dhe BE kanë marrë përsipër ta prishin sistemin dhe në këtë linjë është edhe Edi Rama.

Berisha dhe Meta nuk janë për këtë opsion dhe po negociojnë.

Kjo pra është situate dhe duhet analizuar në detaj nga ekspertë, jurist të njohur, sociologë, analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në një debat të gjallë.

Por në panelet e analistëve bëhet vetëm zhurmë partizane, ndërsa në faqet e portaleve kemi kakofoni dhe “batare” komentatorësh që kërcënojnë hapur liderin e opozitës.

Edhe kjo është formë debati, por jo i ndershëm, pasi median nuk e bën thjesht të angazhuar politikisht me një anë, gjë që është edhe normale, por e bën median pjesë apo shtojcë të politikës.

Me një fjalë siç është sot: ku ka një pushtet në vend politika, që komandon gjyqësorin dhe pushtetin e katërt; shtypin!/tesheshi.com/

SHPËRNDAJE