Rrugët dhe sheshet anembanë trojeve shqiptare janë mbushur me flamuj kuq e zi, me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

http://www.botasot.info/img/99_vjetori.jpeg

Në këtë përvjetor të 99 të pavarësisë së Shqipërisë janë planifikuar aktivitete të shumta si në Shqipëri, Kosovë, SHBA, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore dhe në diasporë ku jetojnë bashkëkombësit tanë.

 

Shqipëri

Në Shqipëri, bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh. Po, ashtu si çdo vit, epiqendra e kësaj feste mbarëkombëtare pritet të jetë qyteti i Vlorës, aty ku më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti Flamurin Shqiptar.

Për të shënuar 28 Nëntorin, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare që zhvillohet në Vlorë, ndërsa kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të zhvillojnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek memoriali “Nënë Shqipëri” në Tiranë. Kreu i opozitës, Edi Rama, ka zgjedhur Kosovën për ta shënuar 28 Nëntorin.

Kosovë

Edhe në Prishtinë do të ketë një sërë aktivitetesh, edhe pse asnjë nuk është e organizuar nga institucionet shtetërore. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka lajmëruar për pjesëmarrjen e saj në ndonjë aktivitet, ndërsa kryeparlamentari Jakup Krasniqi, si çdo përvjetor, edhe kësaj radhe ka zgjedhur Prekazin për të filluar aktivitetet e tij për 28 Nëntor.

Gjatë gjithë ditës në Prishtinë do të ketë aktivitete të shumta, si koncerte, tribuna shkencore, mbahet panairi i prodhimeve vendore dhe aktivitete tjera.

Maqedoni

Në Maqedoni gjithashtu janë parashikuar një sërë aktivitetesh me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit. Gati në të gjitha komunat e banuara me shqiptarë janë organizuar manifestime të ndryshme për të shënuar këtë përvjetor të 99-të.

Në Shkup do të organizohet një koncert festiv në sheshin “Skënderbeu” nën organizimin e Lëvizjes “ZGJOHU”, Shoqatës studentore “Dardania”, ndërsa mbështetur nga Komuna e Çairit dhe Ministria e Ekonomisë. Në Institutin për Trashëgimi Kulturore Shqiptare janë parashikuar aktivitete festive letrare.

SHPËRNDAJE