Mashtrimi i shekullit i kryeprokurores, Ina Rama për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit

“Kryeministria nuk u sulmua më 21 janar”. Konfirmimi nuk vjen nga selia e PS, por nga kamikazja politike në krye të Prokurorisë, Ina Rama. Edhe vetë socialistët, e kanë pranuar se Këshilli i Ministrave u sulmua, duke përdorur si justifikim të ashtuquajturin provokim që i është bërë nga policia. Ndërkohë që Ina Rama, Kryeprokurorja që duhet të ishte në krye të investigimeve të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit deklaroi mbrëmë se nuk kishte fakte se Kryeministria u sulmua. Ina Rama, nuk ka parë as njerëzit e armatosur në protestë, nuk ka parë as hunjtë, nuk ka parë plagosjen e dhjetëra efektivëve të policisë, nuk ka parë as djegien e dhjetëra automjeteve të policisë dhe qytetarëve, nuk ka parë as bombat molotov dhe shpërthimin e derës së kryeministrisë. Qytetarët kanë pasur rastin të shohin mbrëmë një kamikaze politike, e cila nuk ka asnjë lidhje me institucionin e kreut të Prokurorisë. Deklarata e saj e mbrëmshme se “Nuk kishte fakte, se ka patur një sulm ndaj kryeministrisë më 21 janar, do të jetë mashtrimi i shekullit dhe gafa më e rëndë që mund të bëjë një zyrtar edhe kur vendos të bëjë rolin e kamikazit politik. Degradimi deri në këtë pikë i Prokurorisë, jo vetëm që dihej, por se tashmë është shfaqur hapur në sytë, jo vetëm të opinionit publik, por dhe atij ndërkombëtar. Thirrjet e vazhdueshme të miqve ndërkombëtarë për të pasur një hetim gjithëpërfshirës dhe jo të ndikuar politikisht kanë marrë mbrëmë një përgjigje të qartë. Kryeprokurorja u tha mbrëmë këtyre miqve se ajo nuk ka ndër mend që të largohet nga llogorja e saj politike dhe se do t’i shkojë deri në fund shndërrimit të prokurorisë në një armë politike për të goditur mazhorancën dhe për t’u vënë tërësisht në shërbim të interesave politike të Edvin Ramës. Deklarata e mbrëmshme e saj, prej kamikazeje politike dhe injoranteje juridike janë një kambanë për të gjithë, sepse nuk bëhet fjalë për një hidraulik që mund të të prishë wc-në, por për një Kryeprokurore që, sikur t’i kishte të gjitha në dorë do të mund të hidhte në erë të gjithë pushtetin e drejtësisë.
Gjithashtu kryeprokurorja i ka dalë në mbrojtje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i cilësuar deklaratat e tij për të vrarë vetëm një ditë para se ato të ndodhnin si jo elementë të veprave penale. Insistimit nëse duheshin pyetur disa funksionarë të opozitës mes të cilëve edhe kreu i PS-së, Edi Rama për ato çka cilësohen deklarata nxitëse për dhunimin e rendit kushtetues, Ina Rama iu përgjigj se, “mendoj që prokurorët që kanë trajtuar çështjen nuk kanë parë elementë të veprave penale”. Ajo mashtroi gjithashtu publikisht opinionin publik, se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka patur të dhëna për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Kryeprokurorja nuk i ka dhënë shpjegim faktit se përse organi i akuzës nuk kërkoi për rreth një vit hetimin e organizatorëve të sulmit të dhunshëm me zjarr, gurë, shkopinj e bomba molotov ndaj Kryeministrisë dhe efektivave të policisë. Edhe pse pranoi publikisht se hetimi në Shqipëri drejtohet nga prokurorët, ajo tentoi që t’ia delegonte fajin e mos pasjes së të dhënave për organizimin e demonstratës së dhunshme Policisë së Shtetit. Ky është një mashtrim, pasi vetëm 2 javë pas ngjarjeve të dhunshme, në datën 7 shkurt 2011, nga Policia Gjyqësore i është dorëzuar kryeprokurores një raport për organizatorët dhe skemën e dhunës së përdorur në tentativën e dështuar të grushtit të shtetit më 21 janar. “Policia e Shtetit pati kohën në dispozicion të bënte veprimet që çmonte të arsyeshme dhe të bënte akuzat ndaj kujtdo që kishte mbledhur. Ne kërkuam veprime të tjera dhe deri në javën e fundit të dhjetorit në pritje të fakteve që do të prezantoheshin. Ne çmuam për kaq sa kemi bërë nuk arrijmë dot të ngrejmë akuza dhe ne na duhet të bëjmë edhe veprime të tjera për të cilat kemi nevojë të heqim imunitet. Duhet t’i heqim imunitet atyre personave për të cilat kemi një minimum të dhënash që mund të kenë qenë organizatorë”, deklaroi dje Ina Rama. Por këtë deklaratë e rrëzojnë vetë dosjet e dorëzuara nga Prokuroria e Përgjithshme në Kuvendin e Shqipërisë për heqjen imuniteteve të deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi e Besnik Bare, të akuzuar për organizim të dhunës në 21 janar 2011. Pyetjes së gazetarit se përse nuk u kërkua hetimi për deputetët socialistë që në momentin e pasjes së dëshmive që hidhnin dyshime për tre deputetët, kryeprokurorja iu përgjigj se, “Ne zgjodhëm kështu sepse mendojmë që kështu bëhet drejtësi më mirë”.

SHPËRNDAJE