Thirrja e seancës, mund të provokojë dhunë
Njohës të çështjeve juridike thonë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli së bashku më anëtarët e Kryesisë do të jenë përgjegjës në rast të eskalimit të situatës në seancën e së premtes, e cila ka për qëllim zgjedhjen e presidentit.
Ata thonë se caktimi i seancës për të premten për zgjedhjen e presidentit, dhe thirrja e përkrahësve të PDK-së në sheshin ” Zahir Pajaziti” për të festuar zgjedhjen e Hashim Thaçit president, paraqet një rrezik të madh për konfrontim me protestuesit e opozitës.
Nga ana tjetër, Haki Abazit, drejtori i Rockefeller Brothers Fund, thotë për “Bota sot”, se fjalimet e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit janë thirrje për gjakderdhje.
“Fjalimet e Thaçit dhe te Kadri Veselit janë fjalime që thërrasin dhe paralajmërojnë gjakderdhje. Kërcënimet e tyre dhe demonstrimi i forcës nëpërmjet arrestimeve janë metoda, që i kemi pare në vitet 90-ta, para rënies së murit të Berlinit, gjakderdhja e mundshme është përgjegjësi e plotë e udhëheqësve të institucioneve dhe ministrive përkatëse”, thotë Abazi.