Gjenevë, 10 shkurt -Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës dhe Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër, kohëve të fundit kanë thelluar bashkëpunimin në mes tyre. Ato me organizim të përbashkët kanë përgatitur një mbrëmje ekskluzive kushtuar jetës dhe veprës së poetit,publicistit dhe disidentit Agim Shehu.
Falë punës së përkushtuar e të zellshme të autorit të shumë veprave zotit Arbër Ahmetaj,kjo orë letrare dallonte nga ato të më parmet. Ahmetaj , me pyetjet në formë bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë me autorin ka sjell momente tejet interesante për auditorin dhe vetë poetin Shehu.
Ai nga opusi i gjer krijues i Shehut ka shkëputur disa pjesë të cilat i ka lexuar me mjaft shije duke lënë mbresa të pashlyeshme tek artdashësit e fjalës së shkruar. Po ashtu janë prezantuar edhe videokaseta me tekstet e shkruara nga Shehu ,të cilat janë kompozuar nga kompozitorë të ndryshëm dhe kanë marrë çmimet e para në Festivalet e këngës të organizuara nga TVSH.
Ahmetaj me mjaft fanatizëm kishte ruajtur edhe një artikull të botuar në të përditshmen gjermane “Die Zeit” të autorit Klaus Hensel. Shkrimi diku i para njëzetekatër vjetëve fliste për takimin e krijuesve shqiptarë të burgosur e të keqtrajtuar nga regjimi komunist të cilët për fjalën e tyre të lirë kishin marrë hiq më pak se njëqindepesëdhjetë vjet burg.
Prangat dhe punën e rëndë në tharjen e moçaleve dhe kullimin e kënetave e kishte përjetuar më tepër se dhjetë vjet edhe Shehu. Me gjithë keqtrajtimet dhe tentativat e pandërprera për likuidim fizik nga ana e regjimit komunist Shehu këngën e tij nuk e ndali asnjëherë. Nga shkrimtarët e Shqipërisë së Jugut askush me aq pasion e dashuri se sa ai nuk i ka thurur vargje Kosovës dhe Çamërisë, të cilat për te ishin dhe mbesin një lamtumirë e pathënë deri në vdekje.
Nuk doja të humbja Zanën për Moskën
Shehu për të pranishmit ka evokuar edhe kujtime nga e kaluara e largët. Ai tregon se si regjimi totalitar i atëhershëm bënte përpjekje që rebelimin e Shehut ta shuajë nëpërmjet një burse studimi me dërgimin e tij në Moskë.
Ai po ashtu shpjegon se si Sigurimi i Shtetit kishte kuptuar lidhjen e tij me Zanën dhe me të gjitha mjetet mundohej ta prishte këtë lidhje, bile duke inskenuar edhe të pavërteta. Pavarësisht pasojave Shehu vendos të lë Moskën dhe të qëndrojë pranë Zanës ,gruas së tij të sotme. Një besnikëri kaq të madhe bashkëshortore nuk e ndeshim as në legjenda.
Kjo besnikëri ishte reciproke sepse Zana gjatë internimit të Shehut ishte kërcënuar dhe shantazhuar shumë here në forma të ndryshme vetëm e vetëm që ta braktiste Shehun. Ajo kishte pranuar flijimin po jo edhe largimin nga Agim Shehu.
Prandaj Shehu thotë se deri në amshim është mirënjohës ndaj Zanës për sakrificat e saj dhe besnikërinë e treguar ndaj tij dhe fëmijëve të tyre. Kjo dashuri e sinqertë dhe e mirëfilltë diktohet edhe nga kushtimi i shumë vargjeve Zanës, bashkëshorte,mike dhe pjesëtare e vuajtjeve të përbashkëta.
Inkuzicioni i kuq nën lavazhin pansllavist iu sul me tërbim rrënjëve të kombit
Shaip Beqiri i njohur nga të gjithë njerëzit e librit si kritikë e krijues letrar kësaj radhe ka diskutuar në cilësinë e Kryetarit të Krijuesve Shqiptar në Zvicër. Ai që kur ishte nxënës i gjimnazit kishte pasur rastin të lexojë përmbledhjen me poezi “Lirika” të Shehut të cilën më 1972 e pati botuar Rilindja e Prishtinës.
Në vitet e nëntëdhjeta atëherë kur ra sistemi komunist në Shqipëri, Beqiri me një grup krijuesish nga Kosova, kishte takuar të dënuarin politik dhe shkrimtarin e shumë romaneve e pjesëve teatrore zotin Kasëm Trebeshina, më këtë rast ishte njohur fizikisht dhe poetin e traditës Agim Shehu.
Zoti Beqiri mendon që diktatura enveriste me egërsinë e saj të paparë kishte kultivuar spiunllëkun dhe servilizmin në çdo qelizë të kuqe gjaku kundër çdo qelize të bardhë. Beqiri thotë se poetët e përndjekur dhe të anatemuar janë udhërrëfyesi më i mirë se të dinjitetshmit dhe qëndrueshmit asnjëherë nuk transformohen në sahanlëpirës e zvarranik.
Ndërkaq Shehun si autor të mbi tridhjetë veprave letrare dhe publicistike e cilëson si poet të edukimit dhe të ndjenjës kombëtare. Poetët si Shehu ,sipas Beqirit janë vullkan që s’ shuhen kurrë. Më pas Zonja Albana Krasniqi- Malaj drejtoreshë e UPSH-së në Gjenevë e mori fjalën paksa e emocionuar ngase Shehu rrëfeu pjesë nga njohja dhe bashkëveprimi me të atin e saj shkrimtarin e historianin e njohur tashmë të ndjerë Sylejman Krasniqi ,për të cilin edhe sot, ai tha se mban respekt e admirim të pa përshkruar.
Zonja Krasniqi – Malaj, gjatë diskutimit të saj tha: kaherë e kemi ndjerë borxh e detyrim që veprimtarinë e vëllimshme të Shehut ta shpalosim në një takim të përbashkët si ky i sotmi.
Mirëpo rrjedha e ngjarjeve në Kosovë e Shqipëri ishte e atillë që shumëherë nxirrte nga plani parashikimet tona. Ajo në përfundim të fjalës së saj duke shprehur konsideratë të lartë për punën dhe veprën e Agim Shehut, si njeri të dinjitetshëm dhe krijues i dalluar ndau një dhuratë modeste.
Kurse enkas nga Solturni në këtë mbrëmje kishte ardhur pedagogu dhe veprimtari i devotshëm Abas Fejzullahi. Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar të Zvicrës të cilin aktualisht e drejton Zoti Fejzullahi , pati bërë para dhjetë vjetësh promovimin e librit të Shehut” Loti Alpin”
Përveç krijimtarisë letrare Fejzullahi mendon se Shehu me qëndrimin e tij të pathyeshëm është meritor dhe në frymëzimin e rinisë studentore dhe luftës së saj ndaj komunizmit famëkeq i cili gjatë pesëdhjetë vjetëve – shekuj kishte gllabëruar me dhjetëra jetë të intelektualëve më të shquar shqiptar, vetëm pse ata ishin properëndimor dhe shihnin të ardhmen e popullit të tyre kah vendet e Evropës demokratike.
Në këtë mbrëmje të pasur kulturore merrnin pjesë edhe krijues e poet si Bajram Sefaj, Fahrije Kllokoqi –Krasniqi, Fatime Kalimashi, Nerxhivane Ferati- Sejdiu, Dan Kosumi etj. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe veprimtar e njerëz të fushës së arsimit, artit dhe shkencës.
Në një shkrim informues është e pamundur të shtjellohet puna dhe vepra shumëdimensionale e Shehut si krijues e atdhetar. E, rëndësishme dhe parësore është që tek mërgata jonë po vërehen përpjekje serioze në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës sonë kombëtare./Arif Ejupi