• Blerand_Stavileci_003_-620x465Qeveria kosovare u kërkon shqiptarëve të ulin lindjet, serbëve t’i rrisin

Qeveria kosovare u ka bërë thirrje shqiptarëve që të reduktojnë numrin e lindjeve për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, ndërkohë që serbët që jetojnë në Kosovë përfitojnë para nga buxheti i shtetit për çdo fëmi të lindur.

Pak kohë më parë ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerant Staliveci, tha se një familje që merr një rrogë 300 euro në muaj nuk duhet të bëjë 7 fëmijë.

Nisur nga kushtet ekonomike në Kosovë, konstatimi i ministrit mund të jetë i drejtë, por në aspektin kombëtar shumë analistë e kanë kundërshtuar ministrin.

Nga ana tjetër, në komunat me shumicë serbe lindja e fëmijëve nxitet me para të buxhetit të Kosovës. Konkretisht, në Ranilluk, për çdo fëmi të lindur shteti i jep prindërve 200 euro në muaj deri sa fëmija të fillojë shkollën.

Sociologu shqiptar, Ibrahim Berisha, e krahason deklaratën e Stavilecit me kërkesat e zyrtarëve të ish-sistemit jugosllav për shfarosjen e shqiptarëve duke ua ulur natalitetin.

“Akademik Macura, demografi shovensit serb, këtë pyetje e ka bërë që nga vitet ’70-të të shek. XX. Edhe më  herët e kanë  bërë paraardhësit e tij. Kjo pyetje është bërë nga regjimi serb dhe janë marrë masa kufizuese-heqje nga shtesat fëmijnore të shqiptarëve të varfër dhe të papunë. Është sharë dhe fyer gruaja  shqiptare “makinë e lindjes”. Shesheli ka propozuar edhe kastrimin…”, shkruan Berisha duke pyetur pse pikërisht flitet për numrin 7.

Në vizitën e tij të fundit në Kosovë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje serbëve që të lindin sa më shumë fëmijë.

“Më së shumti fëmijë serb lindin në Kosovë dhe kjo duhet të vazhdojë dhe të mos ndalet me asnjë kusht. Rroftë Serbia”, tha Vuçiç teksa inauguroi një spital gjinekologjik në Pasjan.

Familje të tëra serbe në veri të Kosovës përfitojnë në fshehtësi pensione dhe ndihma ekonomike edhe qeveria serbe, me qëllim rritjen e numrit të serbëve në shtetin tjetër shqiptar.

/Shekulli Online/

SHPËRNDAJE