Në praninë e afro 2000 shikuesve, në një ambient të bukur sportiv, Kombëtarja e Kosovës në hendboll është përballur me Bosnjë-Hercegovinën.
Mysafirët nga Bosnja kanë fituar me rezultat 25:22.
Ndeshja u luajt të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur thuajse deri në fund. Por cilësia, e sidomos përvoja në nivel të lartë e lojtarëve të Bosnjës, ka bërë dallimin.
Lojtarët tanë kanë dhënë maksimumin e në raste edhe janë djegur nga dëshira e madhe për sukses. Angazhimi nuk ka munguar nga fillimi e deri në fund, por që këtë herë nuk mjaftoi.
Mysafirët nga Bosnja kanë nisur më mirë ndeshjen duke krijuar epërsi deri në shtatë gola në pjesën e parë. Djemtë tanë megjithatë u kthyen në lojë dhe afruan rezultatin në 14:10, me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë nisi shumë mirë për Kombëtaren tonë. Sulmet ishin më efikasr e mbrojtja më e fortë. Në minutën e 40-të, barazuam rezultatin në 16:16 e më pas kaluam në epërsi 17:16. Golin e epërsisë e shënoi Egzon Gjuka në minutën e 42-të. Por më pas Kombëtarja jonë pati krizë në lojë, kryesisht për meritë të nivelit të kundërshtarit. Bosnja u shkëput në 23:17 dhe më pas ia doli ta mbajë epërsinë deri në fund.
Drenit Tahirukaj ishte më efikasi te Kombëtarja jonë me 5 gola. Nga 4 i shënuan Drilon Tahirukaj e Egzon Gjuka. Haris Berisha i kishte pesë pritje, kurse Flamur Gërbeshi i kishte tri pritje.
Kombëtarja tani i kthehet ndeshjes në udhëtim me Bosnjë-Hercegovinë. Ndeshja luhet në Tuzlla, të dielën.
Për të përkrahur nga afër kombëtaren tonë, në palestër ishte kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendministrja Daulina Osmani.