Sot, më 5 qershor në Gjilan u zhvillua faza e dytë e zgjedhjeve të Lëvizjes “Vetëvendosje” , me ç’rast 95 delegatë të lagjeve dhe fshatrave të Gjilanit, zgjodhën strukturat drejtuese të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Mbledhjen e shpalli të hapur delegatja më e re Kaltrina Zeka, e cila pasi përshëndeti të pranishmit i ftoi delegatët që të zgjedhin kryesinë e punës.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili në fjalën e rastit tha se kjo është sfida më e madhe e Lëvizjes “Vetëvendosje” në planin e brendshëm të saj, mirëpo ai u shpreh i bindur në sukses, sepse pas 6 vjet veprimtarie, Lëvizja “Vetëvendosje” është më e përgatitur se kurrë.

“Statuti i Lëvizjes thotë se ne duhet të kemi demokraci të drejtpërdrejtë që konsiston në legjitimitet dhe demokracinë përfaqësuese që konsiston në efikasitet. Duke e kultivuar referendumin në Lëvizjen “Vetëvendosje”, ne japim shembull se si duam që një ditë Kosova do ta ketë të drejtën për referendum”, theksoi Kurti.

“Sot është dita që ju do ta thoni mendimin për njëri tjetrin, gjithmonë duke besuar se mendimi i tjetrit për ty, është mendim më i vërtetë sesa i yti për vete”, porositi në fund Albin Kurti.

Gjatë procesin zgjedhor në vazhdim, me shumicë votash, kryetar i Qendrës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan u zgjodh Ismajl Kurteshi.

SHPËRNDAJE