Përveç Konsullatës së Përgjithshme në Strasburg, e cila pritet të hapet gjatë shtatorit, Ministria e Punëve të Jashtme, po bën përgatitjet që Konsullatën e saj në Gjenevë ta shndërroj në Konsullatë të Përgjithshme, në qytetin zviceran me rëndësi të posaçme në zhvillimet ndërkombëtare, në Gjenevë.

Pas konsultimeve me instancat kompetente për politikën e jashtme, MPJ ka iniciuar hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Gjenevë, ku përveç se gjenden një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kosovarë, kanë selitë e tyre një numër i madh i organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe shumë agjenci të Kombeve të Bashkuara, gjë që e bën këtë qytet të konsiderohet qendër e diplomacisë botërore, dhe pas Nju Jorkut, qendrën më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar të OKB-së.

Zyrtarë të MPJ-së, bëjnë të ditur se tashmë ekziston pajtueshmëria ndërmjet ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj dhe presidentes Atifete Jahjaga, që Konsullata në Gjenevë, e cila deri më tani ka ofruar shërbime konsullore për qytetarët e Kosovës me banim në Gjenevë, tash e tutje do të shndërrohet në Konsullatë të Përgjithshme, e cila përveç shërbimeve konsullore, do të ketë rol të rëndësishëm për forcimin e mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Artan Behrami, këshilltar për medie i ministrit Hoxhaj, ka konfirmuar për Express iniciativën e MPJ-së për shndërrimin e Konsullatës në Gjenevë, në Konsullatë të Përgjithshme.

Ai tha se MPJ në koordinim të plotë me institucionet tjera kompetente, po bën të gjitha përgatitjet për krijimin e kushteve për funksionimin e suksesshëm të saj, me kompetencat shtesë si Konsullatë e Përgjithshme.

Ndërkaq, duke iu referuar dy konsullatave të përgjithshme që pritet të hapen së shpejti, në Strasburg dhe në Gjenevë, Behrami theksoi se këto dy misione të Kosovës në dy qytete ku gjenden selitë e institucioneve të rëndësisë së veçantë në politikën dhe bashkëpunimin evropian dhe ndërkombëtar, paraqesin një mundësi shumë të mirë për një fuqizimin e marrëdhënieve të Kosovës me këto institucione të rëndësishme të BE-së dhe Kombeve të Bashkuara.

“Konsullata e Përgjithshme në Gjenevë, në veçanti do të ketë një rol të rëndësishëm për afrimin e Kosovës me institucionet e OKB-së, gjë që do të ketë impakt në afrimin e mëtejshëm të Kosovës me këtë organizatë globale, deri në anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha për Express, Artan Behrami.

Republika e Kosovës deri më tani ka hapur një Konsullatë të Përgjithshme në Nju Jork dhe dymbëdhjetë konsullata në Londër, Bruksel, Berlin, Frankfurt, Shtutgart, Bernë, Gjenevë, Cyrih, Vjenë, Paris, Romë dhe në Stokholm./GazetaExpress

SHPËRNDAJE