Kryeministri i Shqipërisë, Sali Sali Berisha deklaroi mbrëmë se shumica e koalicionit qeveritar PD LSI është e gatshme që të propozojë një kandidat të sajin për postin e presidentit, sepse: “Shqipëria nuk ka nevojë të mbërthehet në një fushatë të pandërprerë zgjedhore për këtë temë”.

Kryeministri Berisha tha në një konferencë shtypi se: “..shumica është e vendosur të zgjedhë një personalitet të spikatur politik në postin e presidentit, por nuk është etike që të publikojë qysh tani emrin, apo emrat kandidatë, për respekt të autoritetit shtetëror që është ende në detyrë”.

Ai shtoi se nuk e shqetësojnë kalkulimet që bëjnë kundërshtarët politikë me votat në sallën e parlamentit, sepse procedura do të jetë tërësisht në respektim të Kushtetutës.

Berisha akuzoi Partinë Socialiste (PS) se nuk po mbështet reformat kërkuara nga BE për të marrë statusin e vendit kandidat, komente këto që opozita i ka hedhur poshtë si të pavërteta. Ai tha se opozita socialiste e bllokoi edhe reformën zgjedhore, që deri dje po shkonte mirë, me parakushte të parealizueshme. Kryeministri Berisha tha se ata i vendosin interesat e ngushta partiake mbi ato kombëtare, dhe se nuk është hera e parë që socialistët vështirësojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, vetëm që përparimi në këtë drejtim të mos shihet si një arritje e qeverisë.

Kryeministri Berisha deklaroi se ambicja më e madde e qeverisë së tij është gazifikimi i shqipërisë, ndërtimi i një rrjeti për shpërndarjen e gazit në të gjithë vendin, që do të ulë koston e jetesës së banorëve dhe bizneseve që deri tani përdorin energjinë elektrike, naftën apo benzinën. Këto projekte të reja kanë marrë shtytje të re pas marëveshjeve për të ndërtuar në territorin e Shqipërisë një gazsjellës që do të transportojë gazin e Azerbajxhanit drejt Italisë dhe Ballkanit verior.

SHPËRNDAJE