Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), në kuadër të mandatit që ka, mbikëqyrë edhe proceset gjyqësore nga aspekti i respektimit i të drejtave të njeriut për personat e akuzuar.

Në këtë kontekst KMDLNj përcjell edhe gjykimin ndaj të akuzuarve për “rastin Kleçka”. KMDLNj, në asnjë mënyrë nuk ndërhynë duke e prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve e cila është kompetencë ekskluzivisht e gjykatave, mirëpo reagon në rast kur vlerëson se ka shkelje të procedurës, kur dëmtohet interesi i viktimave apo i të akuzuarve.

KMDLNJ mendon se “Në rastin Kleçka” janë shkelur të gjitha nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut e OKB-së.

Dështimi i EULEX-it për sigurimin e dëshmitarit të mbrojtur X gjatë kohës sa e ka pasur statusin e dëshmitarit të mbrojtur përmbajtësisht e ka dëmtuar procesin:
a) E ka pamundësuar zbardhjen e rastit në mënyrë të paanshme duke i dëmtuar viktimat;
b) E ka vënë në pozitë të pabarabartë mbrojtjen e të akuzuarve duke e pamundësuar këtë mbrojtje, ballafaqimin gjatë gjykimit me këtë dëshmitar i cili është llogaritur si dëshmitari kyç i prokurorisë.

KMDLNJ vlerëson se e tërë përgjegjësia shkon në adresë të EULEX-it i cili ka dështuar në mbrojtjen e dëshmitarëve të “mbrojtur”.

“Përzgjedhja nga ana e prokurorit të rastit e vetëm atyre fakteve me të cilën e mbështet akuzën nga ditari i “dëshmitarit X’ dhe injorimi i fakteve nga po i njëjti ditar i cili është në interes të akuzuarve nuk garanton një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Është një qasje diskriminuese që e dëmton procesin dhe zbardhjen e së vërtetës”.

“Thirrja në imunitet e prokurorit të “rastit Kleçka” në rast se është ftuar si dëshmitar rëndë e dëmton rastin dhe nuk garanton gjykim të drejtë. Askush, qoftë edhe ndërkombëtar nuk ka të drejtë të thirret në imunitet në rast se ftohet si dëshmitar, sepse imuniteti vlen vetëm në rast të përgjegjësisë penale ndonëse edhe ky fakt për KMDLNj është i papranueshëm sepse: “të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit…”, në rastin konkret prokurori Salustro e vë veten mbi ligj”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE