Presidenti kroat, Ivo Josipoviq, e ka përshëndetur “angazhimin e fuqishëm” e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Kethrin Eshton, duke e arritur zgjidhjen e problemit rreth krizës që shkaktonte referendumi i paralajmëruar në Bosnjë Hercegovinë.

Vlerësimin e presidentit kroat e ka bërë të ditur zyra e tij për informim.

“Republika e Kroacisë e mbështet të ardhmen evropiane të të gjithë fqinjëve të saj, veçanërisht Bosnjës dhe Hercegovinës. Roli aktiv i Bashkimit Evropian është i nevojshëm për të arritur ambicien tonë të përbashkët për Evropën Juglindore për ta shndërruar në një hapësirë të paqes, bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Presidenti kroat.

Eshton ka vizituar të premtën Bosnje Hercegovinën ku ishte takuar edhe me udhëheqësin e serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, prej të cilit kishte marrë garanci se referendumi i planifikuar për punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së shtetit, nuk do të organizohet.

SHPËRNDAJE