Lëvizja e Progresit Demokratik, në agjendën e veprimit të vet politik e ka realizimin e verdiktit të popullit të shprehur me Referendum, konkretizimin e Marrëveshjes paqësore të Konçulit dhe marrëveshjeve të tjera shqiptare pa përjashtuar mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, pjesë përbërëse e së cilës ka qenë gjithmonë gjatë historisë, ka deklaruar z.Jonuiz Musliu, lider i LPD-së, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”, duke u thirur në komunikatën e kësaj partie.

 

Bujanoc, 14 qershor

 

Duke u marrë me modalitetet e zgjidhjes së problemeve në Luginë dhe rajon, shqiptarët e Luginës janë vënë para një pozicioni të vështirë politik. Ata edhe më tej diskriminohen në të gjitha fushat e veprimtarive shoqërore e kombëtare. Edhe më tej ata mbeten në periferi të zgjidhjes së problemeve themelore jetike si punësimi, shkollimi, integrimi, zgjidhja me ligj e përdorimit të lirë të simbolit kombëtar, zbatimi në praktikë i dygjuhësisë, krijimi i kushteve për kthimin e të të zhvendosurve dhe kompenzimi i dëmeve të luftës etj. Ata, thjesht, mbahen nëpër burgjet e Serbisë me akuza të kurdisura politike, ata edhe më tej bastisen, arrestohen madje edhe vriten te pragu i derës, pa u zbuluar kurrë motivet e vrasjeve.

LPD ka shpalosur qëndrimet e saj se është kundër ndarjes së Kosovës, si diçka e rrezikshme dhe destabilizuese për rajon, por nuk heq dorë nga kërkesat legjitime për bashkim me Kosovën. Loja me opsionet rreth veriut të Kosovës dhe lindjes së saj, nuk i shkojnë për shtati stabilitetit rajonal aq më tepër proceseve të drejta dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Luginë, ka deklaruar z.Jonuiz Musliu, lider i LPD-së, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”, duke u thirur në komunikatën e kësaj partie.

LPD kërkon nga subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të jenë sa më unik rreth vizionit për zgjidhjen e çështjes shqiptare të Luginës së Preshevës, në momentet kur shqiptarët po bëhen bashkë për ta kremtuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Për të qenë bashkë shqiptarët së pari duhet t’i bashkojnë mendjet, idetë, qëndrimet dhe vendimet, ngase vetëm kështu ecet përpara drejt proceseve integruese evropiane, ka nënviozuar z.Musliu

SHPËRNDAJE