Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe liderë të tjerë politik të vendit u kanë dërguar mesazhe urimi udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarëve myslimanë, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u dërgoi një mesazh urimi udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarëve myslimanë, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë në vendin tonë dhe në gjithë botën u dërgoj urimet më të mira me rastin e Ditës së Bajramit të Madh. Në këtë ditë feste dhe gëzimi, uroj që të jeni të lumtur e të bashkuar dhe të festoni me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit tuaj, me të mirat dhe begatitë që ua ka dhuruar Zoti” thuhet në mesazhin e urimit.

“Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, le të shtrijmë dorën e solidaritetit e të mirëkuptimit në mes vete, le të përkujtojmë dhe le të lutemi për të gjithë ata që nuk janë në mesin tonë, por që me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre, bënë që ne sot të jetojmë dhe të shënojmë të lirë festat dhe gëzimet tona”, vazhdon tutje urimin Jahjaga.

“Gëzuar festa e Bajramit të Madh! Paçi gjithmonë begati, hare e mirëkuptim në familjet tuaja”, thuhet në fund të mesazhit të urimit të presidentes Jahjaga

 

Thaçi uron besimtarët islamë për Fitër Bajram

Me rastin e Festës së Bajramit, edhe kryeministri Hashim Thaçi përgëzoi kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë të Kosovës.

“Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë.

Me rastin e shënimit të Festës së Fitër Bajramit, këtë vit Republika e Kosovës është konsoliduar edhe më shumë si shtet demokratik, me institucione stabile dhe funksionale, duke i dhënë prioritet kryesor përmbushjes së standardeve dhe kritereve për integrim në BE dhe në NATO, si dhe duke implementuar vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët islamë me rastin e Festës së madhe të Fitër Bajramit, duke iu dëshiruar më shumë paqe, harmoni, solidaritet dhe unitet në familjet e tyre”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi.

 

Mustafa uron qytetarët me rastin e festës së Fiter-Bajramit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ua uron të gjithë besimtarëve të besimit islam Bajramin e Madh. “Uroj të gjithë besimtarët myslimanë për ditën e Fiter-Bajramit, për këtë ditë të shenjtë, ditë e besimit në Zot, familje, vlera, shoqëri dhe solidaritet.

Bajrami i Madh përmbyllë një muaj të agjirimit, të sakrificës dhe të mirësisë. Uroj që kjo festë të përcillet jo vetëm me urime të mira e vizita tek të afërmit por edhe me vepra të mira, sepse kjo ditë është ditë e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, mirësisë dhe paqes, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit Mustafa.

SHPËRNDAJE