Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në New York, zhvilloi një varg takimesh me rëndësi.

Ajo mori pjesë në pritjen vjetore për liderët botërorë, të organizuar nga Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ku ishin të pranishëm presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm të vendeve nga e gjithë bota. Gjatë kësaj pritjeje, presidentja Jahjaga u takua me presidentin e SHBA-së, Barack Obama.

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në pritjen e organizuar nga ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton, në kuadër të aktiviteteve të “Clinton Global Initiative”. Ajo pati një takim të veçantë me ish-presidentin Klinton, me të cilin diskutoi një varg çështjesh me interes.

Presidentja Atifete Jahjaga u takua edhe me ish-të dërguarin e SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadorin Frank Wisner, me të cilin diskutoi njohjet e shtetësisë së Kosovës dhe rrjedhën e reformave të brendshme të nevojshme për arritjen e synimeve strategjike të vendit tonë.

Në kuadër të kësaj bisede, Presidentja Jahjaga e njoftoi ambasadorin Wisner për idenë e krijimit të iniciativës “Miqtë e Kosovës” dhe e ftoi atë të jetë pjesë e rrjetit që ka për qëllim shtrirjen e përpjekjeve diplomatike në vendet me të cilat Kosova nuk ka ende marrëdhënie zyrtare.

Wisner premtoi përkrahjen e tij të vazhdueshme për procesin e njohjeve dhe të integrimeve në strukturat euroatlantike dhe tha se ndjehet i nderuar për ftesën e Presidentes Jahjaga që të vazhdojë të japë kontributin e tij për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe promovimin e saj në kuadër të iniciativës.
Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në takimin me përfaqësuesit e Rrjetit të Ndërmarrësve Profesionistë Shqiptarë (APEN), ku mbajti edhe një fjalë rasti.

 

SHPËRNDAJE