(AIK-Presheva Jone)
Nga : Merita Musliu-Sherifi-studijuese e kuranit ne gj.arabe
Bismilahi-Rrahmani-Rrahim
Falënderimi i takon Allahut, xhele shanuhu dhe paqja dhe shpëtimi qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem.
Motër e nderuar! A ia ke parashtruar ndonjëherë vetes pyetjen se: Kush e bëri femrën të çmuar dhe kush e ngriti personalitetin e saj?
Pra, përgjigja është se feja islame është ajo që e bëri femrën me vlerë dhe e ngriti pozitën e saj, i dha asaj të drejta si njeri. Siç e dimë, para Islamit femra ishte si një rrobë e thjeshtë në çdo shtëpi, gjithashtu ishte nënçmim kaq i madh për prindërit të cilëve u lindte fëmija vajzë, saqë i varrosnin të gjalla.
Por, me ardhjen e kësaj feje të dëlirë dhe të drejtë, femra u vlerësua dhe u nderua, siç e meriton çdo njeri nderin e tij.
Më vjen keq kur edhe në ditët e sotme disa prej njerëzve (kundërshtarët e Islamit), gjithashtu kafirat (jobesimtarët) kanë pasqyrë të keqe ndaj Islamit dhe muslimanëve, e posaçërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e femrës, duke menduar se muslimanët janë
“fanatikë”, “i mbyllin gratë e tyre në shtëpi”, “nuk sillen mirë me to”, etj…
Por, shkaku se përse ata mendojnë kështu është se akoma nuk dinë të bëjnë dallim mes fanatizmit dhe xhelozisë. Andaj, në pika të shkurtra dëshiroj të cek dallimin mes tyre:
Fanatizmi: është shenjë e injorancës (paditurisë) dhe rrjedhojë e urrejtjes që njeriu ka në zemrën e tij.
Xhelozia: është shenjë e burrërisë dhe rrjedhojë e dashurisë.
Andaj nuk mund të themi se çdo njeri i cili e zotëron njërën nga këto dy cilësi, i ka që të dyja ato. Kjo nuk është e vërtetë, sepse dallimi mes të dyjave është shumë i madh.
Ne si muslimanë e kemi detyrim që ta njohim fenë tonë sa më shumë, e sa më mirë, duhet t’i parashtrojmë vetes edhe këtë pyetje se: Përse kafirat paskan pikërisht këto lloj mendimesh për ne myslimanët? A thua është e vërtetë një gjë e tillë?!
Për ta gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet shfletuar historia e Islamit, e posaçërisht biografia e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, për të parë se ç’qëndrim mbajti Islami mbi femrën dhe si u soll Dërguari i Allahut me gratë e tij; në historinë e të cilit nuk mbahet mend që ai të ketë qenë ndonjëherë agresiv apo fanatik ndaj grave të tij, por përkundrazi, ai ishte njeri i mirë dhe i butë, e gjithashtu na porositi që t’ia shtojmë vetes butësinë duke thënë në një hadith sahih: “Më i miri prej jush, është ai i cili është i miri me familjen e tij dhe unë jam më i miri prej jush, sepse jam më i miri me familjen time.” Gjithashtu në një hadith tjetër sahih i ka përmendur gratë duke thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili është më i miri ndaj grave të tij.”
Pasi kuptuam se Islami e ka ngritur dhe e ka çmuar femrën, atëherë çfarë duhet të bëjmë që të mos jemi përbuzës të kësaj të mire? Allahu, xhele shanuhu, thotë në Kuran: “Nëse më falënderoni Mua, do t’ua shtoj të mirat…”, do të thotë se ne duhet të jemi falënderuese ndaj vlerës që Allahu na e ka dhënë ne fermave duke marrë parasysh disa çështje, siç vijojnë:
1. Të besosh Allahun duke mos i bërë shok Atij dhe të kesh frikë vetëm nga Ai dhe askush tjetër përveç Tij.
2. Të praktikosh rregullat e kësaj feje duke mos dyshuar në to.
3. Të ruash veten dhe nderin tënd, gjë e cila është shumë e rëndësishme në jetën e një muslimaneje; i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Më garantoni për veten tuaj gjashtë gjëra, e unë do t’ju garantoj Xhenetin: kur të flisni – të thoni të vërtetën, kur të premtoni – ta realizoni atë, kur t’ju besohet amaneti – ta çoni në vend atë, ruani gjymtyrët e turpshme (organet), ulni shikimet tuaja nga të ndaluarat (harami) dhe përmbajuni (nga shqetësimi i të tjerëve) me duart tuaja.” (hadith sahih)
4. Te jesh shembull për të tjerët dhe ta pasqyrosh Islamin e vërtetë, qoftë në shtëpi, qoftë në rrugë, p.sh.: të sillesh mirë me njerëzit dhe t’i duash vetëm për hir të Allahut. I Dërguari i Allahut thotë në një hadith: “Njeriu më i dashur tek Allahu është njeriu me sjellje të mirë.” (hadith sahih)
Të jesh shembull edhe me fizionominë, apo pamjen tënde të jashtme, siç është p.sh. mbulesa jote, e cila të mbron nga shumë gjëra të këqija dhe vetë kjo gjë është simbol i ndershmërisë së një femre, është simbol i fesë më të pastër në botë. Megjithatë është vepër e cila të bën më të dashur tek Allahu, xhele shanuhu, sepse është një kusht me të cilin Vetë Allahu na urdhëroi të mbulohemi, siç është cekur në Kuran: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës)…” (En-Nur, 31). Gjithashtu i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, urdhëron që të mbulohemi duke thënë në një hadith: “Kur Esma, bija e Ebu Bekrit, radijallahu anhu, hyri te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, me rroba të holla, ai iu drejtua duke i thënë: “O Esma! Vajzës, e cila ka arritur moshën e pjekurisë (bylykun), nuk duhet t’i duken pjesët e trupit përveç kësaj dhe kësaj, duke bërë me shenjë duart dhe fytyrën.” (hadith sahih)
5. Kjo mbulesë të jetë shenjë ndershmërie e plotësuar tek ty, p.sh: të mos jetë e ngushtë, e shkurtër, e tejdukshme, e zbukuruar, e parfumuar etj…
6. Kjo vepër të jetë ndërmjetësim për ty në Ditën e Gjykimit për të hyrë në Xhenet dhe jo argument kundër teje.
7. Të mos i përgojosh njerëzit dhe të mos shpifësh gjëra të pavërteta.
8. Të sillesh mirë me prindërit dhe me bashkëshortin duke mos i ofenduar, të edukosh familjen dhe fëmijët në rrugë të drejtë nëse do që të jesh më e mira, siç thotë i Dërguari, salallahu alejhi ue selem: “Më i miri prej jush është ai i cili është i pajisur me karakterin më të lartë.” (hadith sahih)
9. Të jesh e informuar me gjendjen e muslimanëve kudo që ndodhen e posaçërisht me: familjen, fqinjin dhe farefisin, e nëse ata kanë nevojë për ndonjë ndihmë, ofrohu atyre sipas mundësive.
10. Të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh të keqen.
Pra, motër e nderuar! Këto ishin disa këshilla për ty që të jesh më e mirë para Allahut dhe më afër Tij.
Dhe në fund, falënderimi i takon Allahut, xhele shanuhu dhe paqja dhe shpëtimi qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem.