Kryeministri Berisha i ka bërë ftesë të re kreut të PS-së Edi Rama që të votojë më datën 6 gusht projektin e përbashkët për heqjen e imunitetit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha hodhi poshtë edhe kritikat se data 6 gusht për të votuar heqjen e imunitetit në Kuvend është vendosur në mënyrë arbitrare.

“Kam një ftesë të re për zotin Rama për të votuar më datën 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Dua t`i informoj qytetarët se data 6 gusht nuk është arbitrare po është miratuar në Kuvend pas asnjë kundërshtim dhe detyrohet nga një nen që është vendosur në rregullore nga deputët e PS-së. Pasi pati kritika se u veprua me shpejtësi në 2008-ën deputetët socialistë si një reflektim i këtyre kritikave sollën këtë nen që përcakton afatin kushtetues. Neni dikton procesin kushtetues i cili është procesi më serioz që ka një parlament dhe ndryshimi është i përcaktuar në rregullore. Neni i ardhur nga PS-ja pas përfundimit të raportit brenda 2 ose 3 javëve duhet të votohet dhe kjo ka koresponduar me datën 6 gusht” tha Berisha.

Berisha: Kontroll rigoroz për doktoraturat

Kryeministri Berisha ka kërkuar sot një kontroll rigoroz për çështjen e doktoraturës duke theksuar se nuk duhet të pranohet asnjë doktoraturë pa u mbrojtur më parë në prani të stafit kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Duhet një shqyrtim tërësor i dimensionit ndërkombëtar dhe një kontroll rigoroz për to duhet të bëhet. Ky është një fakor nëse ne duam të rendim drejt cilësisë. Të mos pranohet asnjë doktoratë që nuk zbaton ligjin dhe kriteret. Nuk janë letra inteligjnce, ai që do ta mbroj doktoraturën duhet ta bëj në prani të stafit kombëtar dhe ndërkombëtar. Po vazhduam kështu do gjendemi më shumë doktor shkencash sesa me diploma univeristetesh. Ne jemi që universitetet të shfrytëzojnë kapacitet po doktoratura është një çështje serioze dhe duhet të mbrohet sipas ligjit” thekoi Berisha.

Berisha:Administratë dixhitale, sistem gjurmueshmërie

Gjithashtu kreu i qeverisë, ka deklaruar se në emër të transparencës dhe shpejtësisë për qytetarët do të kalohet në administratë tërësisht dixhitale me bazë sistemin e gjurmueshmërisë duke shtuat se në këtë mënyrë asgjë nuk do të lejohet të myket në skutat e burokracisë.

“Vendosja e sistemit të gjurmueshmërisë në të gjithë veprimtarinë tonë nga sporteli që dorëzohet dokumenti nga qytetari deri te përgjigja apo sjellja e tij në Kryeministri. Ne duhet të rendim me shpejtësi drejt administratës dixhitale, drejt atij sistemi që bën më transparent këtë administratë, AKSH ka filluar punën dhe ekspertët e tij po punojnë në një projekt pilot, që do të fillojë të zbatohet me KM dhe ministri të tjera” tha kryeministri.

Ai kërkoi nga ministrat riaktivizim të administratës në funksion të këtij projekti të madh. “Nuk ka projekt më të rëndësishëm për veprimtarinë tonë burokratike se sa ky, asgjë nuk mund të myket e të flerë në skutat e burokracisë” shtoi ai.

SHPËRNDAJE