Hysaj

Elseid Hysaj, që doli sot në mesditë në konferecë për shtyp, ka kërkuar përqendrim dhe vigjilencë në kualifikuesen e së shtunës, ndaj Lihteshtejnit, në “Elbasan Arena”. Kjo për shkak se nuk duhet nënvlerësuari kundërshtari, pavarësisht emrit që ka. Madje, mbrojtësi ynë kuqezi ka qenë i mendimit të mos mendohet e flitet për Maqedoninë, por të tëra energjitë të fokusohen te përplasja e së shtunës: “Kush është më i fortë, Maqedonia apo Lihtenshtejni? Të përgatisim ndeshjen e parë, sepse e rëndësishme është të fitojmë ndaj Lihtenshtejnit. Të gjithë e dinë se Maqedonia është më e përgatitur se Lihtenshtejni. Të fitojmë të parën dhe pastaj të kemi entuziasëm në ndeshjen e dytë.

Tifozët e kanë bojkotuar kombëtaren në shtëpi? Ata duhet të vijnë gjithmonë, sepse kombëtarja nuk është skuadër kampionati, që e sheh përditë. Ne vijmë në kombëtare të përfaqësojmë kombin, ndaj na duhet një dorë e tifozëve tanë, siç kanë bërë gjithmonë.  Të rinjtë? Çdo lojtar që vjen këtu ka besimin e trajnerit. Kam qenë edhe vetë i tillë. Natyrisht, duan pak kohë që të futen në ingranazhet e kombëtares, në filozofinë e trajnerit. Ku është ndryshe De Biazi me Panuccin? Të gjithë trajnerët kanë një mënyrë ndryshe të stërvitjes dhe lojës. Besoj do të ndryshojë diçka, por jo aq shumë. Të shohim të shtunën.  Të gjithë trajnerët shkojnë mirë me lojtarët. Nuk gjen dot një futbollist që të flasë keq për trajnerin. Panuccin duhet ta shohim në veprim, se deri tani vetëm na ka stërvitur. Rasti “Cikalleshi”? Besoj se kjo është zgjedhje e trajnerit. Ai e ka menduar të veprojë kështu. Kështu ndodhi me Belgjikën dhe Naingolan. Trajneri vendos, ne jemi punëtorët e tij.

Shumë ndeshje me Napolin? Kur kam ardhur në kombëtare nuk kam qenë i lodhur. Është bukur që një lojtar të luajë të gjitha ndeshjet me klubin, nga 50 ndeshje. Jam 23 vjeç dhe jam në kulmin tim. Jap maksimumin në kombëtare, edhe me Napolin. Shiriti i kapitenit? Eshtë një vlerësim që i bëhet një lojtari. Nuk është problem, qejf kam të më takojë edhe mua, megjithëse nuk jam ai tip lojtari që mendoj se një shirit kapiteni të ndryshon jetën. Mënyra e lojës me Panuccin? Besoj se të shtunën do të jemi një skuadër më sulmuese, por duhet të presim si do të vendosemi në fushë ndaj Lihtenshtejnit”.

SHPËRNDAJE