Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj posa ka mabruar marrë flalimin në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-s. Shefi i diplomacisë kosovare ka  folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Ministri Hoxhaj i ka informuar për progresin e arritur gjatë periudhës raportuese si dhe për sfidat.

New-York, 8 janar/ UNO, /AIK-Presheva Jonë

Ministri i PJ të Republikës së Kosovës z.Enver Hoxhaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në sigurimin e rritjes ekonomike, adresimin e papunësisë dhe sigurimin e drejtësisë sociale për të gjithë, përmirësimin e klimës investuese të biznesit dhe reformimin e sektorit të energjisë dhe arsimit.

“Për Kosovën konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së saj është shumë thelbësor, që të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Prandaj dëshiroj të ftoj të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të përkrahin pjesëmarrjen tonë në institucione rajonale dhe globale pasi që përfshirja e Kosovës do të respektonte të drejtat dhe nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetit tonë”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur

Para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova është shtet funksional, prosperues, stabil dhe shumetnik, me një shoqëri diverse dhe me ekonomi vazhdimisht në rritje.

“Ky kapitull i ri i shtetit tonë është një zhvillim i rëndësishëm afatshkurtër dhe afatgjatë për Kosovën, tërë rajonin dhe Bashkimin Evropian. Në katër vitet e fundit, për arsye të bashkëpunimit të ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe ICO-së, Kosova ka bërë progres thelbësor në zbatimin e Planit të Ahtsaarit përmes pjesëmarrjes dhe promovimit të komuniteteve – serbëve, boshnjakëve, goranëve, turqve, romëve, ashkalive dhe egjiptianëve – në të gjitha nivelet e qeverisjes”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Në këtë seancë të radhës, ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit për perspektivën e marrëdhënieve komplekse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialogut teknik dhe të ardhmen tonë evropiane.

“Mendoj se nuk mund të flasim për një Evropë të tërë, të lirë, demokratike dhe në paqe pa zgjidhur çështjet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Kosovës integrimi i plotë i rajonit në institucionet euro-atlantike është mënyra më e mirë për të siguruar paqe afatgjate dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Duke folur për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ministri Hoxhaj ka thënë se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Kosovën dhe si rezultat i situatës së bllokuar dhe të tensionuar që është krijuar në komunat veriore të Kosovës nga strukturat qeveritare të Serbisë.

Situata në tri komunat e veriut të Republikës së Kosovës

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Së pari, në lidhje me veriun e Kosovës, Serbia ka dështuar t’i mbajë obligimet sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit Evropian. Situata në terren veçanërisht në veri të Kosovës mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes e qytetarëve dhe mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës. Në kundërshtim me rezolutën 1244, Serbia ende mban struktura të sigurisë dhe gjyqësisë përfshirë qindra policë, anëtarë të xhandarmërisë dhe policisë sekrete në veriun e Kosovës. Për më tepër, dy aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, KFOR-i dhe veçanërisht EULEX-i, misione të autorizuara nga Këshilli i Sigurimit, nuk janë në gjendje të kryejnë mandatin për arsye të bllokadave”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka thënë se sundimi i ligjit nuk është e i negociueshëm dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

“Së dyti, Serbia ka dështuar të përmbushë obligimet prej të gjitha marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Bruksel. Pavarësisht zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së lirë, të gjitha marrëveshjet tjera si kthimi i regjistrit civil dhe librave kadastralë, njohja e dyanshme e diplomave shkollore dhe universitare dhe integrimit të menaxhuar të kufirit nuk janë zbatuar aspak. Në çështjet e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, Serbia ka dështuar të pajtohet me propozimet që kanë ardhur nga Kosova dhe Bashkimi Evropian”, ka shtuar Ministri Hoxhaj.

Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, Ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varet nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian.

Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës

“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë të afatshkurtra dhe afatgjate. Situata e “status-quo”-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”, ka paralajmëruar ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për paralajmërimin e strukturave ilegale shtetërore të Serbisë të cilat po synojnë organizimin e referendumit në komunat veriore të Kosovës.

“Këtë vit, kur zgjedhjet do të organizohen në Serbi, Beogradi po synon t’i organizojë ato brenda territorit të Republikës së Kosovës gjithashtu. Kjo përbën shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 dhe sovranitetit tonë shtetëror. Këto ngjarje të mundshme mund të paraqesin një zhvillim shumë të dëmshëm për stabilitetin përbrenda Kosovës dhe mund të vendosin tërë arkitekturën e sigurisë rajonale në pikëpyetje”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj në fund i ka bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga dhuna, veprimet destabilizuese dhe retorikës provokative.

Farid Zarif: Përmirësime modeste, por ka mjaftë sfida

Përfaqësuesi special i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, i cili para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, prezantoi në detaje raportin për situatën në Kosovë nga aktivitetet prej 16 tetorit deri me 15 janar 2012, pohoi se përkundër përmirësimeve modeste që janë bërë ka ende edhe mjaftë sfida.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është mbledhur sot për të diskutuar për raportin e rregullt tremujor të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Me rastin e hapjes së mbledhjes, në fjalën e tij Farid Zarif tha se derisa situata në teren është qetësuar, edhe më tej mbetet e brishtë dhe se janë shfaqur edhe disa shqetësimet tjera.

Zarif tërheqi vëmendjen edhe për gjendjen në veri, duke pohuar se situata në atë pjesë, ku ka një popullatë të përzier, nga ngjarjet e 9 janarit dhe 28 nëntorit, ka qenë mjaftë e tensionuar dhe se tani atje është shënuar një kthesë.

Dialogu mes Prishtinës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, sipas tij do të rifillojë në Bruksel dhe se të gjitha palët pjesëmarrëse kanë dhënë përpjekjet për arritjen e rezultateve, për të qetësuar situatën në terren.

Ai po ashtu përmendi edhe apelin e presidentit të Serbisë Boris Tadiq, i cili me 28 nëntor publikisht ka apeluar në menjanimin e barrikadave në veri, ndonëse kjo porosi është anashkaluar nga disa liderë komunal në veri.

“Gjendja në veri përkundër përpjekjeve të UNMIK-ut dhe EULEX-it ka stabilizim real të situatës dhe se KFOR-i gjatë kësaj periudhe ka bërë përpjekje për të ulur tensionet dhe gjithsesi kjo ka ndikuar në përmirësimin e situatës atje, gjatë kësaj periudhe raportuese”, tha ai, siç transmeton Kosovapress.

Serbet në veri, siç tha ai vazhdojnë të protestojnë kundër EULEX-it dhe ky mision detyrohet që transportimin ta bëjë me helikopter të zyrtarëve në pikat kufitare. Zarif vlerësoi se së fundi kanë miratuar lëvizje më të lirë të EULEX-it në rrugë tokësore, mirëpo krahas përmirësimeve modeste ka edhe mjaftë sfida.

Ai po ashtu tha se liderët në veri po bëjnë plane që javën e ardhme të zhvillojnë një referendum edhe përkundër refuzimit të disa liderëve serb.

Kjo periudhë raportuese, sipas tij ka shënuar progres në kuptim të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe të dy palët, kanë arritur marrëveshje dhe kanë bërë zbatim të marrëveshjeve të arritura më herët, gjë që dëshmon se marrëveshjet praktike janë të zbatueshme.

Ai po ashtu e quajti kthesë përpara dhe dëshmi e vullnetit të mirë nga dy palët edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve.

“Është dëshmuar se Prishtina dhe Beogradi gjatë gjithë kësaj periudhe, kanë treguar përkushtim dhe se tensionet në teren janë ulur. Prandaj është tejet qenësore që të dyja palët, të mbeten të përkushtuar dhe involvuara në një dialog konstruktiv dhe të mos ketë ndërprerje të panevojshme. Duhet asistenca juaj, për t’i inkurajuar dy palët, që të lëvizin në mënyrë më aktive, për të zgjedhur çështjet qenësorë, që është tejet e rëndësishme”, tha ai.

PSSP gjatë raportimit në nëntor, sipas tij ka kërkuar nga gjitha palët, të tregojnë pragmatizëm, vullnet dhe marrje të përgjegjësive dhe se ka pasur shenja inkurajuese dhe gatishmëri të lidershipit politik të Prishtinës dhe Beogradit, që të ngritët cilësia e diskursit publik dhe gjuha të jetë më e përshtatshme

“Qëllimi i këtij Këshilli, shkon në vëmendjen që duhet kushtuar situatave të caktuara. Situata e përgjithshme në Kosovë, përmban në vete disa rreziqe që duhet pasur parasysh. Për zgjidhje duhet përkushtim dhe analizë pozitive, duke pasur parasysh dinamikën në terren”, tha ai.

Ai inkurajoi palët e interesit, që të kenë më shumë vëmendje dhe më shumë angazhim në Kosovë, sepse kostoja financiare për mbajtjen e institucioneve si EULEX, UNMIK është shumë e lartë dhe se deri tani ka arritur në gati gjysmë miliard euro.

“Secili prej nesh duhet pyetur nëse këto shpenzime kaq të mëdha po zbatohen në mënyrë profesionale dhe efektive dhe nëse po kontribuojnë në mënyrë të bashkërenduar që të ketë rezultatet konkrete. Në vitin 2012, duhet t’i shqyrtojmë pozicionet tona dhe t’i shohim shanset e reja”, pohoi ai.

SHPËRNDAJE