Prishtinë, 2 shkurt 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidat për kryeministër, sot ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes në Dragash. Para qytetarëve të Dragashit, Hoxhaj ka thënë se prioritet i PDK-së është zhvillimi i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, shtetit ligjor dhe politikës së jashtme. “Këto 5 prioritete mund t’i përmbyllë vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe asnjë parti tjetër. Për këtë arsye ne në këto zgjedhje garojmë me program të qartë.

Garojmë me vizion të qartë. Garojmë me prioritete të qarta dhe e dimë shumë mirë se çka do të bëjmë javën e parë, çka do të bëjmë javën e dytë, çka do të bëjmë 100 ditshin e parë, vitin e parë, të dytë, tretë dhe katërt”, ka thënë Hoxhaj. Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët e Dragashit që ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, sepse me të kryeministër do të përfitojë edhe kjo komunë, pasi që një ndër vendimet e para që do të marrë është shpallja e Dragashit zonë ekologjike.

ka thënë se qëllim kryesor i PDK-së është që Dragashin ta kthejnë në bosht kryesor të zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë. “Kjo komunë do të jetë zona e parë ekologjike e shpallur në Kosovë dhe ky do të jetë vendimi i parë që do ta marr unë si Kryeministër i Kosovës. Nën dy, do ta kemi një zonë të përbashkët turistike me Shqipërinë. Nën tre, kam angazhuar një ekip të ekspertëve gjermanë, të cilët janë duke bërë një projekt, i cili do të sjellë investitorë edhe gjermanë, edhe austriakë, edhe zviceranë, edhe prej Emirateve, edhe prej Katarit, kudo që ka buxhet për ta shndërruar këtë pjesë të Kosovës në qendrën më të madhe të turizmit dimëror, veror dhe malor”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se tashmë ka biseduar edhe me përfaqësues të lartë të shteteve të Lindjes së Mesme dhe të shteteve të Bashkimit Evropian, që kanë treguar interesim për investime multimilionëshe në turizmin malor dhe dimëror. Përveç projekteve konkrete për Dragashin, Hoxhaj ka pohuar se me PDK-në në qeveri do të ketë edhe rritje të pagave dhe pensioneve.

SHPËRNDAJE