Sot është e lehtë të flasim për futbollin e femrave, për mundësitë e krijuara drejt masovizimit të futbollit të gjinisë së bukur, kjo për shkak edhe të të qenurit të FFK-së si anëtare e UEFA-së dhe FIFA-së, por edhe donacioneve e programeve të specializuara për zhvillimin e këtij sektori nga këto institucione.
Por si kanë qenë fillet e nismëtarët e trasimit të rrugës për tiu dhënë mundësia që të përqohet mesazhi tek të gjithë se futbolli nuk është vetëm për meshkujt dhe se sporti më i bukur në botë ska si mos të jetë edhe për gjininë e bukur, pra për femrat.
Në lidhje me këtë histori, bazuar në një shkrim të gjetur diku në arkiva, shkrim i vitit 2002 ku presidenti aktual i FFK-së z. Agim Ademi fliste për themelimin e klubit të parë të futbollit të femrave, jemi nxitur arsyeshëm që të gjurojmë për tregime të dorës së parë të atyre zhvillimeve të fillesës së kyqjes së vajzave në futboll, për vështirësitë që i kishin në fillim me familjarët pasi vendi ishte ende një shoqëri pak patriarkale, të sapo dalë nga lufta dhe ishte problem për prindërit ti mirkuptonin vajzat që të bëheshin pjesë e një lojë që padrejtësisht quhej si lojë e djemve.


Në shkrimin që gjetëm në arkiv, presidenti Ademi flet për themelimin e KF Kosova e Prishtinës (Femrat) me një pasion të pashoq, me një përkushtim prindërorë e pasionant ndaj futbollit, duke thënë se do ta kuptoni së shpejti se kjo që kemi bërë do të jetë kusht i UEFA dhe FIFA edhe për pranim në këto institucione, e shumë shpejt, futbolli i femrave do të jetë shumë i rëndësishëm e i masovizuar edhe tek ne në Kosovë. Bindja me të cilën kishte folur z. Ademi aso kohe, na nxiti të kontaktojmë disa prej vajzave që tashmë janë pjesë e historisë së futbollit të femrave në Kosovë, si Muhadrin, Cenën, Osmanin, Albinën e Xhulinm të cilat mezi flisnin nga modestia e tyre, duke thënë se ajo tjetra është më e rëndësishme, jo po kjo tjetra, duke tentuar që të mos marrin përsipër asnjë nga meritat për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

Ekipi i pare i femrave ne Kosove, KFF “Kosova”

 

Arta Osmani, një zonjë fantastike e shkolluar e edukuar si dhe plot pasion për futbollin, flet me nostalgji duke e kujtuar me fillim se data 4 tetor e këtij viti është viti jubilarë i 20 vjetorit të themelimit të ekipit të parë profesional të futbollit të femrave në vendin tonë. Arta kujton nismat e para, duke kujtuar shoqet e saja në hulumtimin e individëve në përkrahjen e pasionit të tyre, deri në momentin e takimit me z. Agim Ademi, president aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili në atë kohë ishte president i klubit të futbollit Kosova, e që nga data 4 Tetor 2002, vendosi që në kuadër të klubit të meshkujve, të funksionojë edhe klubi i femrave.
“Ka qenë e vështirë me gjetë mbështetës, deri në kontaktin e me z. Agim Ademi kur dhe kishte fillu që gjërat të bëheshin më të lehta nga ana organizative, në fillim kemi qenë 12 apo 13 vajza, por shumë shpejt, pas shpalljes së informacionit nëpër media, ky aktivizim bëri jehonë të madhe dhe shpejt u bëmë mbi 50 vajza. Fatkeqësisht kemi vujt për kushte infrastrukturore, ndërkohë që për paisje nuk e kemi pas problem tashmë, sepse na ishin siguruar madje shumë të bukura haha…
Nuk ka pas ligë vendore atëherë në Kosovë, kuptohet dhe e mbajë mend se ndeshjen e parë e patëm luajtur si miqësore kundër ekipit shqiptarë kampione në Maqedoni me emrin “Shqiponjat”. Në mungesë të aktiviteteve të brendshme, ne kemi udhëtuar nëpër turnire jasht vendit, sic ka qenë turniri i meshkujve U15 që është mbajtur në Pogradec, e ku ne kemi marrë pjesë atje për vite me rradhë. Klubi me këtë vullnet ka vazhdu me funksionu përkundër mungesës se motivit që e kanë vajzat sot, ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë. Sukseset e vajzave të klubit të parë të femrave në Kosovë më vonë kanë qenë jo të vogla, pasi që shumë nga shoqet tona kanë arritur që të jenë edhe pjesë e kombëtareve duke qenë pjesë e rëndëishme e formacioneve. Sot natyrisht se asgjë nuk është njësoj, gjithcka është më e thjeshtë për vajzat e reja e amcioze, mjafton vullneti dhe dëshira për të luajtur futboll dhe nuk ka asgjë që iu pengon”, tha ndër të tjera futbollistja Arta Osmani.

Në anën tjetër, znj. Lumturie Muhadri sot Magjistre e shkencave sportive si dhe refere ndërkombëtare, si pjesë e gjeneratës nismëtare të futbollit të femrave në Kosovë, flet me entuziazëm edhe për mundësinë që iu është dhënë që të flet për një periudhë shumë të bukur të jetës së sajë ku vlerëson lart vullnetin e shoqeve por edhe të mbështetësve të orëve të parë në këtë nisme, si z. Agim Ademi, të parin e FFK-së për të cilin thotë se ka qenë mbështetja e parë duke besuar fuqishëm në dëshirën e pastër të tyre për të luajtur futboll.


“Te merresh me sport nuk është e lehtë e sidomos me futboll ku dihet që në vendin tonë nuk kishim përkrahje për ta realizuar një pasion të tillë , mirëpo une nuk i kam parë si pengesë kushtet që ishin në atë kohë ,nuk kishte ekip për futboll të femrave .
Fillimisht nisa si refere e futbollit për të qenë sa më afër sportit që e doja , pastaj menduam që të formojme nje ekip të futbollit ku kërkuam ndihmë nga ekipet e kryeqytetit mirëpo pas shpalosjes së ides tonëv ngurruan që të na marrin nënë ombrellen e klubeve të tyre të meshkujve .
Agim Ademi atë kohë e drejtonte klubin e futbollit meshkujve Kosovës së Prishtinës na perkrahu për iden dhe na mori nën ombrellen e klubit te tijë.
Bashkë me Lindita Cenen ishim shumë të lumtura që na u realizu dëshira, e themeluam ekipin e parë të futbollit të femrave me 04.10.2002 në krye me trainerin tashme te ndjere z. Halil Sadiku ku arritem të realizojme ëndrren e fëmijërisë edhe pse patem shumë sakrifica po nuk u dorëzuam për asnjë moment , mbi të gjitha mbizotronte pasioni vullneti dhe dëshira për të vazhduar tutje.
Për disa vite vazhduam me ushtrime dhe ndërkohë bënim loja miqësore me ekipet e meshkujve U-15, U17 për arsye që mos të demoralizohemi sepse ka qenë monotoni vetëm duke ushtruar e mos pjesmarrje në gara për shkak të mungesës së ekpeve të femrave .
Gjatë kësaj kohe klubi ynë udhëtojë edhe jasht vendit për të zhvilluar loja miqësore qoftë edhe me meshkuj vetem e vetem qê mos te ndalej aktivitieti ,gjatë këtyre udhëtimeve përkrahje kishim edhe nga z.Vjollca Krasniqi dhe shumë dashamirës të futbollit .
Pas disa viteve u formuan disa ekipe të femrave pothuaj gati në cdo qytet të Kosoves ku vlen të ceket prej një vendi ku nuk kishim ku të ndrrohemi, zhvillonim treningje nëpër livadhe, arritem të masivizojm futbollin e femrave jo vetëm në Kosovë po edhe në rajon , besojë që këto angazhime kanë ndikuar pozitivisht edhe në Kosovë edhe në rajon ku plot lojtare që nga Kosova kane vazhduar karieren në ekipe te ndryshme si dhe luajnë në Kombëtaren e Shqiperisë ose janë të angazhuara në cilësinë e trenereve. është e rëndësishme të përmendim edhe udhëtimin drejt Suedisë, ku atje patëm zhvilluar disa ndeshje miqësore, ku kishim për qëllim të përqonim mesazhe se edhe pse nuk ishim të pranuar nëpër UEFA e FIFA, ne e kemi vullnetin që ta zhvillojmë futbollin e femrave.
. Në vitin 2011 ka nisur liga e Kosovës në futboll te femrave dhe qysh atëherë janë shtuar shumë ekipe te femrave .
Pas panimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ,fatmirësisht tani futbolli i femrave është shumë më i zhvilluar , infrastruktura dhe kushtet financiare janë më të mira si dhe përkrahja është shumë më a e madhe nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Gjithashtu kemi edhe Kombëtaret e femrave në të gjitha grumoshat , po ashtu shumë prej këtyre futbollisteve vazhdojnë të kontribojnë në futbollin e femrave në aspekte të ndryshme si refere , delegate , trenere etj.

Çdo sukses i imi i dedikohet babit e nënës që asnjëherë nuk më thanë
“Jo se futbolli është për djem”,
që nuk ma shuan ëndrrën ende pa e filluar!

Unë si bashkëthemeluese inkuraroj të gjitha vajzat që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në zhvillimin dhe masovizimin e këtij sporti.”, pa përfunduar znj. Muhadri.

Lendita Cena, bashëkideatorja e Lumturies e ka pak a shumë tregimin e njëjtë me znjën sipër, ku me fillim e falemnderon z. Ademi kryetarin e klubit të asaj kohe dhe nënkryetarin e FFK-së po të asaj kohe, duke thënë se ishte i vetmi që ua bëri realitet ëndërrën, duke i pranuar nën ombrellën e klubit të tij edhe ekipin e vajzave, ku thotë se në fillime kanë qenë 29 e pak më vonë numri ka shkuar në plot 53 vajza si pjesë e klubit.


“Kosova e Prishtines eshte themeluar me dt 04 tetor 2002. Fillimi ka qene pak i veshtire pasi qe nuk ka pas ekipe tjera te femrave, atehere ekipi perveq pergatitjeve (ushtrimeve)te vazhdueshme eshte organizuar qe te zhvilloje loje miqesore me ekipet e meshkujve grup moshat e reja. Por, fal deshires dhe pasionit te madhe per futbollin te vajzave dhe kryetarit te klubit z. Ademi, jane bere shume perpjekje qe edhe ne qytete tjera te Kosoves te themelohen ekipe te futbollit te femrave, dhe fal angazhimit dhe perpjekjeve te vazhdueshme jane themeluar edhe disa ekipe ne qytete te ndryshme te Kosoves.
Perveq ne Kosove, klubi ka marr pjese edhe ne disa turne ne qytete te ndryshme ne Shqiperi dhe Maqedoni me qellim te masovizimit te futbollit te femrave edhe ne keto vende. Lirisht mund te themi se fal iniciatives se vajzave te Kosoves se Prishtines te perkrahur fuqishem nga tani me presidenti i FFK-se Agim Ademi, jane themeluar ekipe te futbollit te femrave ne Shqiperi dhe Maqedoni. Ndersa sa i perket fazes tjeter mbas afro dy dekadave pas themelimit te klubit te pare, tani me eshte shume me lehte me formu ekipe te femrave, sepse mendoj qe jane hapur rruget, dhe eshte bere vetedijesimi se futbolli nuk eshte vetem sport per meshkujt por edhe per femra.
Tani nen ombrellen e FFK-se po zhvillohen kampionate per ekipet e senioreve dhe grupmoshave te reja, kemi perfaqesuse A te femrave, U17, poashtu kemi vajza te cilat jane paisur me Licenca dhe udheheqin ekipet e femrave, poashtu edhe FFK-ja eshte duke i dhene rendesi te veçante duke i ndihmuar ekipet e femrave dhe masovizimin e futbollit te femrave. Poashtu me pranimin e Federates ne UEFA dhe FIFA edhe klubet e femrave bejne gara ne arenen nderkombetare, kjo po qe eshte nje arritje e madhe per futbollin e femrave”, ka thënë znj. Cena në bisedë për “Presheva Jonë”.

 

Në anën tjetër, Albina krahas nostalgjisë për ato kohra, flet edhe për peripetitë e vështirësitë që ua ka shkaktuar mentaliteti paksa patriarkal e i dalë nga paslufta tek populli jonë, që e kanë pas të vështirë ta pranojnë faktin se edhe vajzat mund të luajn futboll dhe jo vetëm.


“Po, jam njera prej vajzave nga grupi qe ka luajtur futboll qe nga dita e pare e themelimit te klubit te pare per vajza ne Kosove, mund te them edhe Shqiperi meqe futbolli i vajzave atje ka fillu vite me vone. Ka kalu aq shume kohe sa qe kur shoh foton e stervitjes se pare mezi e gjej veten, aq e vogel kam qene.
Ishte Kosova e Prishtinës, me president, presidentin e tanishem te Federates se Futbollit te Kosoves, z.Agim Ademi qe na i hapen dyert, na mbeshteten dhe kontribuan ne themelimin dhe zhvillimin e futbollit te vajzave/grave.
Jo vetem per mua, por per te gjitha vajzat qe luajten dhe luajn futboll kjo ishte thyerje e nje tabuje, qe “futbolli eshte sport per djemt”, vajzat nuk mund te luajn, edhe shume reagime tjera me te cilat jemi perball gjate viteve, barriera me e madhe qe mendoj se vazhdon edhe sot eshte mentaliteti i shoqerise ku jetojme. Themelimi i atij klubi ishte fillimi i nje dickaje shume me te madhe se loja e futbollit, ishte fillimi i kuptimit nga njerëzit qe vajzat mund te luajn futboll dhe jo vetem, ato mund te bejn cfare te duan, mund te arrijn cfaredo qe synojne. Pa kufizime, mund te zgjedhin vet jeten qe duan te jetojne. Jam e lumtur qe isha njera nga ato vajza, qe sado pak kam kontribu qe gjeneratat e ardhshme te vajzave futbolliste ta kenë rrugen me te lehte ne arritjet e tyre, jam shume e motivuar te vazhdoj te punoj qe vajzat e vogla futbolliste te mos kalojne neper te njejtat pengesa, sfida, e probleme qe kemi kaluar ne. Ato jane motivi me i madhe qe une vazhdoj te punoj shume per futbollin e vajzave”.

I falmnderoj prindërit e mi, ata janë heronjë e mi tek të cilët gjithmonë gjeta përkrahje
“Ishte shume e veshtire qe nje vajze te luaj futboll, vecant ne nje vend te sapo kthyer nga lufta, ne nje vend qe futbolli eshte vetem per djemt, qe vajzat duhet te luajn vetem me kukulla, me te gjitha shqetsimet tjera qe kishim, topi ishte afer meje prej kur e mbaj ne mend.
Por, i’u jam falenderuese prinderve te mij qe ishin dhe jane mbeshtetja ime me e madhe, JANE ATA HERONJET E MIJ, jane ata qe punuan fort qe neve te mos na mungoj asnjeher asgje, dhe te arrijme ti realizojme endrrat tona, na motivuan qe te mos ndalojme para asgjeje kur dojm dicka me te vertete, dhe na mbeshteten gjithmone.
Sot, gati 20 vite me vone, ja ku jam, hala aktive ne futboll, me e lumtur se kurr, e dua kete loje njejt si at diten e pare kur fillova ta luaj, me kushte shume me te mira, jo ato qe duhet te jenë por kur e mendoj dhe i krahasoj me fushen ku luanim, ishte nje “are” aty ku tani eshte i ndertuar Spitali Amerikan, per porta kishim dy gur, kishim nja 2-3 topa max, vijat nuk ekzistonin, dhe si dhome zhveshjeje per kohe te gjate kishim nje minibus te vjeter qe e perdornim edhe per transport.
Luanim ndeshje me djemt se skishte ekipe tjera vajzash.
Pervec ekipit qe na mbeshteste ne max, por aq kishte ne ate kohe, tjeter gje nuk kishim. Kishim njera tjetren, funksiononim si nje familje, edhe me ekipin e djemve, ndihmonim njeri- tjetrin. Pavarsisht ketyre, mezi prisja te vinte koha e stervitjeve.
Jam shume e lumtur per arritjet e mia, e asnjeher pishman per çka kam kalu, jane sfidat e barrierat qe me kan bere shume me te forte, me kan bere ate qe jam sot, nje vajze e forte, e pavarun, mendjehapur, me shume vetbesim, e vendosur me kalu çdo pengese qe kam para, e vendosur me arrit çka une dua, mos me u dorzu asnjeher, me qene e hapur dhe e kuptueshme me njerezit, me i pranu te gjithe per at qe jane e si jane…”.

Vështirësitë e shumta nuk na ndaluan drejt pasionit tonë…
“Me 4 tetor 2022, behen plot 20 vite nga themelimi i klubit te pare per vajza/gra, pra 20 vite te gjata karriere. U mundova me i cek disa nga problemet e sfidat qe une i kam pas, por asnjera prej nesh nuk e kishte me te lehte, pra flas per nje gjenerate te tere vajzash.
Ishte shume e veshtire, aq sa kur flasim me shoqet edhe i kujtojme situatat, habitemi se si ja kemi dal, por kishim dashurine per lojen, pasionin dhe njera tjetren, luanim per keto gjera, nuk kishim perfitime tjera.
Sot, eshte shume me e lehte, ka shume me shume ekipe, fusha, dhoma me u zhveshe, madje edhe dushe, haha, bile bile edhe pagesa, gjera qe jane bazike por qe ne nuk i kishim. Ekipet tani kane dhe mbeshtetje nga institucione te ndryshme, e me se shumti nga Federata e Futbollit te Kosoves.
Kemi edhe Perfaqesueset pas pranimit nga Uefa e Fifa. Gjenerata jone luanim me Kombetaren Shqiptare. Ka edhe lojtare qe kalojne ne ekipe Evropiane, apo edhe ekipe tonat qe kalojne ture ne garat Evropiane. Jane arritje te medha ne kohe te shkurter.
Po arritja me e madhe eshte apo do te jete kur te gjithe ta kuptojme qe vajzat kane te drejte te luajn apo ta jetojne jeten si te duan.”, ka përfunduar Albina.

 

E Xhuli Berisha, gjithashtu ish-futbolliste flet për kohët që sipas sajë kanë ndryshuar shumë, pasi që sot futbollistet që duan të angazhohen edhe paguhen dhe se mund të llogarisin në një punë që po e bëjnë, për dallim nga kohët e fillimeve të tyre ku pasioni për futbollin ka qenë motivi i vetëm.


“Për dallim prej neve kur me shumë mund e fat që e kemi gjetur një person si z. Agim Ademi për të na përkrahur, sot vajzat që duan të luajn futboll e kanë shumë më të lehtë, sepse përveq kushteve të cilat ne as ëndërr nuk i kemi parë, sot FFK ua ka mundësuar, kanë liga funksionale e besa edhe pagesa cka mund të quhen lirisht paga të një pune që e bëjnë e që sigurisht se është një motiv shtesë për vajzat. E vlerësoj lartë punën e ka bërë FFK në masovizimin e futbollit të femrave dhe saher që kthej kokën prapa për të parë rrugën që kemi bërë dhe gjendjen e futbollit sot, ndihem krenarë që kam qenë pjesë dhe kam lënë gjurmë në këtë qështje”, ka përfunduar ish-futbollistja Berisha.

SHPËRNDAJE