Preshevë, 12 prill  -Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka qëndruar në vizitë në komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Kjo është vizita e parë zyrtare që nga përfundimi i luftës në 1999. Pas takimit në Bujanoc, ai është takuar edhe me kryetaren e re të Preshevës, Ardita Sinani, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

 

Haziri në Preshevë: Qeveria serbe të hek dorë nga politikat diskriminuese mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, se nuk i kontribuojnë fqinjësisë  së  mire,  as dialogut  të Brukselit!

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka shkuar me ftesë të kryetarit Shaip Kamberi, ndërsa vizitën e tij e kishte filluar nga komuna e Bujanocit me ç’rast  është  takuar me kryetarin e komunës Shaip Kamberi dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu.

Mund të thuhet se kjo është nje vizitë  historike, me që për herë të parë një kryetar komune nga Republika e Kosovës viziton Luginën e Preshevës.

Haziri gjatë vizitës në Bujanoc dhe Preshevë ka folur edhe për situatën atje. Sipas tij, situata nuk është shumë e mirë.

Ai gjithashtu e paralajmëroi qeverinë serbe që të ndalojë politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve etnik në Luginën e Preshevës.

Sipas tij, kjo nuk i shërben fqnijësisë së mirë mes dy vendeve dhe as avancimit të dialogut të Brukselit.

“Serbia nëse e ka ndërmend të jetë një ditë anëtare e BE-së  duhet të respektojë të drejtat kombëtare të popullatës shumicë në Luginën e Preshevës. Qeveria serbe duhet të ndryshojë kursin politikë në   Luginën e Preshevës dhe të respektojë reciprocitetin që edhe shiqiptarët  e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës të kenë të njëjta të drejta sikur serbët në Kosovë..” ka thënë Haziri sot Preshevë.

Gjatë këtij takimi, Haziri e Musliu kanë diskutuar për disa tema të rëndësishme. Ata kanë biseduar edhe për largimin e shqiptarëve nga regjistri shtetëror serb, për avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje si dhe për mbështetjen e plotë të tyre.

Komuna e Bujanocit ka bashkëpunim të ngushtë me komunën e Gjilanit, veç takimeve ato janë edhe pjesëmarrëse të përbashkëta të konferencave rajonale dhe ngjarjet e organizuara në rajon.

Pas takimeve, kryetari i Gjilanit, ka folur për “Presheva jonë” duke thënë se do të kërkojnë nga Prishtina që qeveria dhe parlamenti i Kosovës të bëjnë më shumë për Luginën e Preshevës. Ai ka shtuar se do të kujdeset për kërkimin e librave të premtuara, njohjet e premtuara të diplomave, si dhe jetësimin e rezolutes së Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës si dhe marrëveshje tjera të nënshkruar mes Preshevës dhe Prishtinës  që tash asnjëra s’ështe zbatuar.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe ai Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Jonuz Musliu, u dakorduan që të intensifikojnë takimet në të ardhmen, gjithnjë në mbështetje dhe avancim të të drejtave të shqiptarëve si në Kosovën Lindore ashtu edhe në Republikën e Kosovës.

Gjatë kësaj vizite Kryetari i komunës së Gjilanit në Bujanoc ka vizituar edhe fshatin Nesalcë të banuar kryesisht me shqiptarë.

Gjilani është 25 kilometra afër Preshves dhe Bujancoit, ndër komunat më të afërta shqiptare se sa ato në Serbi të cilat  i lidhë jo vetëm flamuri, por edhe kultura, traditat dhe biznesi.

 

SHPËRNDAJE