adem-jashari15

Komandanti legjendar Adem Jashari do të festonte në Festën e Flamurit në 61-vjetorin e tij.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skënderajt dhe ishte djali i tretë i Shaban Jasharit dhe Zahide Jasharit.

 

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ai merr hapin për tu shkolluar dhe organizuar ushtarakisht, dhe së bashku me një grup veprimtarësh stërviten në Shqipëri.

 

Por, shërbimet sekrete serbe e gjurmojnë dhe tentojnë ta kapin, dhe më 30 dhjetor 1991, ekspedita policore-ushtarake serbe ndërmori aksion për kapjen e të gjithë grupit.

 

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalietet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

 

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

 

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

 

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

 

Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj.

 

Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, e cila bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

 

Policia serbe kishte shenjuar që moti shtëpinë e Jasharëve dhe më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin.

 

Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

 

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit.

 

Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

 

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.

 

Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner, ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

 

Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari, është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

 

SHPËRNDAJE