Shkruan: Ismet RAMADANI

Segmente të politikës maqedonase, të motivuara nga një nacional-romantizëm i vonuar, dobësinë e vet gjithnjë e më shumë po e manifestojnë me një nacionalizëm primitiv që po merr përmasa serioze të urrejtjes ndaj shqiptarëve si popull. Kjo dukuri mund të jetë edhe si refleks i mospajtimit të disa qarqeve maqedonase në ngritjen dhe përfshirjen institucionale të shqiptarëve në ndërtimin e një shteti pak më ndryshe nga konceptet në kokat e tyre. Andaj edhe janë gjithnjë e më të shpeshta brohoritjet e urrejtjes në baza etnike dhe fetare ndaj shqiptarëve të tipit “vdekje për shqiptarët”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë” e kështu me rradhë. Dhe, shih pastaj, krejt këto parrulla fashizoide kulmojnë me djegjen e flamurit shqiptar. Për çudi, edhepse ndoshta s’ka mbetur gjë për t’u çuditur, “vogëlushja ministreshë” e punëve të brendshme nuk paska njohuri për këto frustrime histerike të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Çka është më e keqja, ajo ironizon në pyetjen e një gazetari duke thënë se shqiptarët janë ata që e cënojnë integritetin e Maqedonisë kur vizatojnë harta të Shqipërisë etnike dhe ata duhet të sankcionohen duke iu ngritur padi penale. Të dëshirosh një popull të bashkuar (brohoritjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar) nuk është njejtë sikur të thërasësh në urretje ndaj një populli (brohoritjet fashizoide antishqiptare të maqedonasve). E dyta plotëson apsolutisht të gjitha kushtet për kualifikimin “ndjellje e urrejtjes mbi baza etnike”. Nejse, “vogëlushja ministreshë” këtë e din shumë mirë, po ndoshta ia kënda dhe bashkëndjen me brohoritjet e tilla antishqiptare.

Për dallim nga grupet ekstremiste maqedonase të cilat brohorisin dhe shkruajnë grafite me përmbajtje të urrejtjes fashizoide antishqiptare, shqiptarët nuk iu përgjigjen në këtë rrafsh primitiv, por i përkujtojnë se në rethana të këtilla imponohen opcione politike më racionale, bile duke e aktualizuar edhe opcionin për Shqipëri etnike. Deklarimet e këtilla janë në suaza të shprehjes së lirë, derisa këto opcione nuk praktikojnë dhunë dhe nuk përhapin urrejtje në baza etnike. Prandaj, politika shqiptare fuqishëm duhet të kundërshtojë ngritjen e padive penale dhe gjykimin eventual të të rinjve të organizatës joqeveritare “Illyricum Libertas”. Para disa ditësh, sa për ta përkujtuar opinionin, lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, publikisht në mes të Shkupit shpalosi angazhimin e tij dhe të kësaj aleance për opcionin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet. Ai si njohës i mirë i të drejtës ndërkombëtare të botës demokratike e din fortë mirë se deklarimet e opcioneve politike, pa përdorur dhunën, dallojnë nga urrejtja në baza etnike dhe fetare dhe nuk mund të sankcionohen në një shtet që pretendon të ndërtojë sistem demokratik. Aktualiteti i opcionit për Shqipëri etnike ka prekur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët zgjodhën pikërisht Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin për të shprehur bashkimin kombëtar si zgjidhje më të qëndrueshme.

Nëse segmente të politikës maqedonase kanë ndonjë siklet se nuk mund të bashkëjetohet me shqiptarët, nuk ka nevojë dhe nuk është fare civilizuese që këtë siklet të tyre ta manifestojnë përmes instruimit të tifozëve si grupe ekstreme për të brohoritur parulla që ndjellin urrejtje ndaj shqiptarëve. Më mirë dhe më e sinqertë do të jetë të tillët të deklarohen për opcionet e tyre të preferuara politike – duan ose nuk duan të bashkëjetojnë me shqiptarët, që më pas edhe të hapet një dialog serioz, të dëgjohen edhe opcionet e politikës shqiptare dhe t’i jepet fund veprimeve që i rëndojnë me vite marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe maqedonasve një kohë të gjatë po mbijeton sikur të jetë e imponuar dhe gjithnjë e më shumë po ngulfatet në interes të konjukturave udhëheqëse politike. Incidentet që po ndodhin në stadiume, në shkolla, në vende publike me vite po trajtohen si të veçuara dhe të izoluara, edhepse është shumë e qartë se ato po ndodhin si produkt i dobësive të lidershipit politik në menaxhimin institucional të marrëdhënieve ndëretnike.

Kohën e fundit, jorastësisht po aktualizohen opcione politike pak më ndryshe për regullimin e brendshëm të shtetit, sepse po krijohet një përshtypje se shqiptarët dhe maqedonasit po e pengojnë njëri-tjetrin për një të ardhme më të mirë. Gjithnjë e më shumë po vërehet se politika qeverisëse maqedonase përmes megafonëve të vet po instalon opcione pansllaviste duke injoruar integrimet euroatlantike. Ky veprim konfidencial i ndonjë elite maqedonase nënkupton përjashtim të shqiptarëve nga orientimet strategjike të Maqedonisë. Në situatë të këtillë, politika shqiptare nuk guxon të sillet si infantile, përkundrazi, në tavolinë duhet të vehet një opcion politik pandan ndaj atij maqedonas. Për indikacione dhe njohuri të kësaj natyre në kohë duhet të alarmohen strukturat udhëheqëse euroatlantike, por edhe Tirana dhe Prishtina, që nesër kur këto opcione mund të shohin dritën e tyre, për shqiptarët të mos bëhet vonë. Shqiptarët, sikur që janë të gatshëm për dialog që garanton bashkëjetesë mbi parimin e barazisë, poashtu duhet të jenë të gatshëm të bisedojnë edhe për opcione që garantojnë fqinjësi të mirë me maqedonasit, gjithnjë me standarde europiane dhe ndërkombëtare.

Për dallim nga populli maqedonas dhe popujt tjerë në Ballkan, shqiptarët i mendojnë dhe synojnë pak më ndryshe integrimet euroatlantike. Derisa popujt tjerë këto integrime i synojnë për një mirëqenie ekonomike dhe më shumë demokraci, ndërsa shqiptarët, pa përjashtuar këto përfitime, synojnë edhe bashkimin e tyre kombëtar si pjesë integrale e Bashkimit Europian. Prandaj shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kur nga qarqe të ndryshme pengohen në shfrytëzimin e resurseve dhe potencialeve brenda për brenda kombit në përshpejtimin e integrimeve euroatlantike. Shqiptarët çështjen e integrimit euroatlantik e konsiderojnë si interes të lartë strategjik, për faktin se kanë një të kaluar të hidhur në trojet e veta dhe padrejtësisht janë të ndarë në disa shtete fqinje të Ballkanit. Kalkulimet e qeverive të shteteve të Ballkanit ku shqiptarët jetojnë si pakicë, midis vardisjes putiniane dhe integrimeve euroatlantike, duke i trajtuar ata si kategori për keqtrajtim, po e shtojnë brengën se apokalipsa shqiptare në Ballkan akoma nuk ka përfunduar. Sidoqoftë, mbetet të shpresojmë se bisedimet në tavolinë do të jenë alternativa e vetme për zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare në Europën e Bashkuar.

Ndershmëria dhe ndërgjegjja kombëtare shqiptare sikur po troket gjithnjë e më shumë në kabinetet e funksionarëve shtetërorë dhe liderëve partiak, për t’i përkujtuar ata se po kalon vakti për tu lazdruar në emër të popullit. Është shumë legjitime dhe imanente që politika shqiptare opcionet e deklaruara t’i përafrojë në një, duke ia bërë të qartë politikës maqedonase se sharjet, fyerjet dhe parullat fashizoide antishqiptare duhet të sankcionohen dhe eliminohen sa më shpejtë që është e mundur. Të njejtat duhet të zëvendësohen duke ofruar opcione politike që mund të diskutohen në tavolinë dhe ndoshta edhe të zgjedhin çështjet e hapura mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kur jemi këtu, duhet përkujtuar edhe njëherë autoritetet maqedonase se deklarimet politike, qofshin ato edhe me vizatime dhe ilustrime të hartave të Shqipërisë etnike, pa elemente të dhunës, nuk mund të jenë lëndë të padive penale dhe proceseve gjyqësore në një shtet demokratik. Kjo që po ndodh tani me grupin e të rinjve në Tetovë bën përshtypjen sikur baza për ngritjen e padive penale ndaj tyre është përkatësia etnike shqiptare dhe asgjë më shumë. Mirë është që shqiptarët nuk brohorisin parulla të urejtjes, edhe më mirë do të ishte të përmbahen dhe mos të djegin flamuj shtetërorë. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që dikush t’iu vejë shenjë barazimi me qyqarët që frigën e akumular brenda vetes e zbrazin duke brohoritur parulla urrejtjeje ndaj shqiptarëve.

SHPËRNDAJE