Image associéeShefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ditë më parë ka paralajmëruar tërheqje tjera të njohjes së Kosovës. Madje këto deklarata ai i bëri duke prezantuar raportin e ministrisë, para Këshillit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Serbisë, ku rëndësi i është kushtuar uljes së numrit të njohjeve të Kosovës dhe tërheqjes së tyre.

Në lidhje me këtë çështje  Zv/Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovë Rejahan Vuniqi ka thënë për “Bota sot” se nuk është aspak befasuese që shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq vazhdon me fushatën e tij kundër shtetësisë së Kosovës ani pse me argumente dhe deklarata të rrejshme mbi tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

“ Ne kemi deklaruar edhe më parë dhe e them edhe sot që tërheqja e njohjes me të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston si proces dhe si i tillë nuk mund të shikohet në atë mënyrë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës deri më tani nuk ka marrë zyrtarisht as edhe një notë verbale nga asnjë shtet për të cilat Daçiqi pretendon se ka tërheqje të njohjes. Përkundrazi ne kemi akredituar ambasador jo rezident në ato shtete dhe kemi forcuar edhe më tej marrëdhëniet tona diplomatike dhe ato të interesit të përbashkët. Për mua personalisht kjo dekoratë e Daçiq është agresive dhe aspak diplomatike, por megjithatë duhet ti marrim si normale veprimet e tij, dhe ne si Kosovë  duhet të veprojmë dhe të punojmë për njohje të reja të Kosovës”, ka thënë Zv/Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovë Rejahan Vuniqi.

Sipas saj, Institucionet e Kosovës e në veçanti MPJ janë duke punuar intenzivisht në forcimin dhe krijimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që tanimë e kanë njohur Kosovën duke iu ofruar argumente reale të gjitha atyre shteteve të cilat hezitojnë të njohin Kosovën.

“ Ne kemi argumente të bazuara në opinionin e GJND-se dhe faktit që tanimë Kosovën e kanë njohur 116 shtete të botës dhe se është e anëtarësuar në mbi 60 organizata ndërkombëtare, fakte këto që Serbia dhe Daçiq mundohen ti shtrembërojnë duke e futur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si arsye të mos njohjes apo tërheqjes së njohjes siç e quajnë ata. Ne nuk do të ndalemi në asnjë moment dhe për momentin jemi duke vepruar paralelisht në disa shtete të dy kontinenteve ku shumë shpejt presim edhe rezultate pozitive” ka thënë Vuniqi.

SHPËRNDAJE