Në këtë studim analitik përkujtojmë lexuesit tanë stolishur me ca fotografi nga shtëpi tona në fshatra e qytete , oda, hane, çajtore, objekte të ndryshme fetare në Preshevë që padyshim jo vetëm se kanë peshë të madhe por gjitha këto pamje dhe struiktura e këtyre objekteve  kulturoe, shoqërore  e private dëshmojnë se ato janë të ndërtuar me motive shqiptare. Pra këto fotografi (më poshtë)  si rezultat e hulumtimeve posedojnë  shumë elemente dhe karakteristika kombëtare  që nderlidhen me etnititetin tonë kombëtar, prandaj  kanë edhe rëndësinë e vetë historike  për zhvillimin politik, administrativ, ekonomik, kulturor, historik, arkitektonik, të kulturës së banimit, fetar, hoteliero-turistik të Preshevës si komunë dhe rrethinë (Marrë nga Presheva.com)

 

Nga Xhemaledin SALIHI

Han në persishte do te thotë shtëpi, ndërsa në turqishte bujtinë, pra është fjala për ndërtesë pranë udhës ose në qytete, që shërbente si bujtinë për udhëtarët e që kishte edhe vende për kafshët e tyre, sipas Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja të Mikel Ndreca, botuar në Prishtinë, 1986, f. 284.


Hanet ishin ndërtesa arkitektonike që ndërtoheshin përskaj rrugëve të rëndësishme, aty ku nevoja e kërkonte që udhëtarët të vendoseshin, sigurisht ndonjëherë edhe kafshët e tyre. Por hanet, poashtu shërbenin edhe për ahengje, gazmende dhe për ushqim dhe për të pirë.

Kështu në Preshevë me rrethinë, hanet u ndërtuan më së shumti përgjatë Xhadesë së Vjetër Vranjë-Bujanoc-Preshevë-Kumanovë-Shkup dhe në qytetin e Preshevës.

Xhadeja e Vjetër apo Xhadeja e Mithat Pashës u ndërtua më 1863-1985  dhe kjo rrugë lidhte shumë qendra të atëhershme tregtare veri-jug dhe jug-veri-Vranjë-Bujanoc-Preshevë-Kumanovë-Shkup.

Me ndërtimin e Hekurudhës Preshevë-Kumanovë-Shkup më 1888, Xhadesë së Vjetër i humb rëndësia e parë, po me këtë humbin rëndësinë e tyre edhe hanet, sepse primatin e marrin Stacionet hekurudhorë në këtë trevë: ai i Zhbevcit, i Bujanocit, i Bukurocit dhe ai i Preshevës. Edhe sot udhëtohet nëpër Xhadenë e Vjetër, e cila është e asfaltuar, edhepse është ndërtuar Autostrada.

Xhadeja e Vjetër Preshevë-Bujanoc, e ndërtuar 1863-65

Preshevarët, Xhadenë e Mithat Pashës e quajnë Xhadeja e Vjetër, kështu edhe i këndohët kësaj xhadeje:

PO VJEN MSITI XHADES ‘VJETËR (Preshevë)

Po vjen msiti xhades ‘vjetër,

Kaka metë pa kmishë, pa setër.

Po vjen msiti kryet si tegull,

Po pisket si gusha n’mjegull.

E këndoi : Ibrahim Nuhiu, Preshevë

E shënoi : Mehmet Rukiqi, 1970

/KËNGË DASME I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1980, f. 81/

 

1.Hanet e Vjetra

Në kohën e Turqisë, Hanet më të njohur ishin : Hani i Zaim-Agës në Bujanoc, Hani i Agush Beut te Ura e Jerebicës (Thëllënzës) mbi lumin Moravicë, Hani i Pajazitit në Somolicë, Hani i Bilaçit, për të cilët shkruan : Nijazi Bektashi, Xhait Ramadani dhe Reshat Avdiu, Hani i Rexhep-Agës  në Çukarkë të Preshevës, Hani në Kompleksin e  Teqës së Preshevës, Hani i Qorvelisë dhe Hani i Rrahmonëve në Preshevë.

Sipas M. Kostiqit, në Hanet e Preshevës, në udhëtim e sipër kanë pushuar edhe karavanet e kamilave dhe këtë rrugë ky e quan Udha e Kamileve(në lindje të Leranit)/Mihajlo Kostic, Presevska kotlina, Vranjski glasnik, knj. V, Vranje, 1969, f. 102/

Vendi ku gjendej Hani i Rexhep Agës në Çukarkë

Hani i Rexhep-Agës gjendej në anën e djathtë të Xhadesë së Vjetër Preshevë-Kumanovë, aty te bregorja e Çukarkës.Rëndësia e këtij Hani ishte se edhe këtu sikur te ai në Bilaç kryqëzoheshin shumë rrugë,  të cilat sillnin udhëtarë nga viset më të ndryshmetë.

Udhëpërshkruesi Todor Stankoviq  në librin : Shënime udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër 1871-1898, të botuar në Beograd, më vitin 1910 shkruan :

„Rruga nga Manastiri Prohor Pçinjski, nëpër Preshevë, Bujanoc dhe në kthim në Gjilan.

Me një Arnaut, i cili ruante Manastirin , u nisëm me kuaj për Preshevë, kaluam lumin Pçinja. Për ¾ e orës arritëm në katundin Starca, nga  shkuam në Sobrate. Nga ky katund dolëm në Bilaç, ku ekzistonte kazerma ushtarake turke me një batalion.

Nga Bilaçi arritëm në Bushtran, në të cilin kishte 55 shtëpi arnaute dhe 16 shtëpi serbe.

Në orën 10 e 20 minuta u nisën nga Bushtrani, nëpër katundin Zhuzhicë /Zhunicë-autori/ dhe për 1 orë e ¼ arritëm në Preshevë., ku u vendosëm në Hanin e Rexhep-Agës“.

Gjermani J. v. Hahn në librin e tij : Reise von Belgrade nach Sallonik, më 1868/Udhëtimi prej Beogradit për në Selanik/, në  kapitullin VII shkruan : „Udha prej Bilaçit për në Kumanovë“.

„Prej Bilaçit në drejtim të Kumanovës shtrihet fshati Pratoshelca…Kryqëzimi i prockës së Çukarkës te një Han. Nga Hani i Çukarkës shtrihet një pjesë e këtij fshati, majtas afër rrugës, e cila gjithashtu me një sipërfaqe shkurrore dhe një terasë, e cila lëshohet në luginë…“.J.G.v. Hahn, Reise Belgrad nach Salonik, Ëien, 1868, f.153/54

Hanin e Rexhep Agës në Çukarkë afër Preshevës e përmend edhe Tatomir Vukanoviq, në librin : Vranje, 1978, f. 116

Kompleksi i Teqes së Preshevës, ku ishte edhe Hani dhe Semahanja, i ndërtuar më1698,

Teqja e Preshevës afër Xhamisë së Vjetër u ndërtua në mes viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti.

Në Preshevë, pas viteve 1908-1910 ka ekzistuar Semahanja(sallë-lokal për ceremoni fetare) afër Teqes së Preshevës, ku janë tubuar rinia e asaj kohe, aty pas lutjeve dhe ceremonive të tjera fetare këndohej edhe këngë patriotike, lirike, recitoheshin poezitë e Rilindasve, ato të Bejtenxhinjve. Aty bëhej një aktivitet i bollshëm kulturor. Ky aktivitet në Semahane ndërpritet gjatë viteve 1920-1929, me ardhjen dhe vendosjen e familjes së Popoviqëve në Preshevë, afër Teqes dhe Semahanes, thotë Qerim Qerimi nga Presheva, në bisedë më 17.08.1994

E njëjta thuhet edhe nga i vëllau, Qani Qerimi, në bisedë, më 08.062010, i cili shton se Semahane do të thotë dhomë ku është kënduar. Pra Semahanja ishte lokal për ceremoni fetare afër Teqes së Dervishëve.

Vendi ku gjendej Hani i Qorvelisë, i ndërtuar më 1805

Hani i Qorvelisë gjendej në rr. R. Sadiku të Preshevës, Mëhalla e Kamberëve, sot te shtëpia e Mitat Veliut në  Preshevë, në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë.

Vendi ku gjendej Hani i Rrahmonëve të Preshevës,

 

Në këtë kompleks pos Hanit ekzistonte edhe Mulliri, kah lumi i Preshevës.i ndërtuat në fillim të shek. XIX., në Preshevë, në rrugën M. Tito. Hani i shërbente edhe udhëtarët, por edhe ata që bluanin e ishin nga larg, aty vendoseshin për të buajtur. Sot është shtëpia në pronësi të Isa Latifit, Mëhalla e Begajve të Preshevës.

 

”Çarshija e Preshevës, përshkak të nevojave të tregtisë dhe zanateve/zejeve/, zejtarëve karakterizohet me dyqane të shumtë. Ata janë të vegjël, një katëshe, të ndëtuar me tjegulla dhe të shktruar me dërrasa. Hanet si ndërtesa të mëdha janë të pakët. Më tepër gjenden Mehanet, të cilat janë më të vogla se Hanet. Ato ishin me mindërlluqe për rreth mureve”, përshkruan gjendjen e Preshevës në atë kohë edhe J.F.Trifunoski, në librin Kumanovska-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951, f. 121

 

2. Çajtoret e vjetra

Çajtore është fjalë persishte që do të thotë lokal ku pihet çaj.Por në këto Çajtore të Preshevës pos çajit, është pirë edhe  kafja e mëngjesit, është lexuar shtypi aktual i atëhershëm dhe është pirë edhe rakija dikur gjatë ditës.

Çajtoret më të njohura kanë qenë : Çajtorja e Xhavit Qorrit dhe dhe ajo e Ymer Efendisë.

Vendi ku gjendej Çajtorja e Xhavit Azizit-Qorri i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës

 

Çajtorja e Xhavit Qorrit ishte pronë e Abdullah Haxhi Veliut dhe gjendej në rrugën e Gjilanit, në të majtë të lumit të Preshevës, udha Preshevë-Gjilan.

Edhepse ishte Çajtore e njohur, ajo sherbente edhe kafe, raki dhe meze.

Sipas disa pleqëve te Presheves : Qerim.Qerimi, Qani.Qerimi, Mehmet .Mustafa, në bisedë me te më  19.07.2010, pas faljes së sabahut Paria e Preshevës shkonin për çaj në këtë Çajtore : Halil Aga, Hafëz Beqiri, djali Shaip Beqiri, Mita Kovaçi, Hafëz Luta, Isa Bina, Xhemë Rruta, Qani Ramadani-berberi, Mulla Tefik Osmani, Demirali Hoxha, Destanët( Musa, FaiK dhe Tefik), Cufë Maloku, Efremi Kallanxhija, Abdullah Kekinci, të cilët pas pirjes së çajit ia fillonin muhabetit aty, ku flitej për probleme dhe çështje të ndryshme familjare, politike, mësitni e tjerë. Më vonë shktrohej edhe rakia dhe mezja. Pastaj pas dite shkonin në dyqanin-berberhanen e Shaban Ramadanit, i cili ishte i ndarë në dy pjesë, në pjesën e parë mushteritë dhe mund të lexohej shtypi, ndërsa si odë në vete ishte oda e Parisë së përmendur. Me vonë aty shkonin Riza e Musa Maliqi dhe shumë të tjerë. Më vone në berberhane punuan  Qani e Qamil Ramadani.

Çajtorja e Ymer Agës

Çajtorja ishte pronë e Ymer Efendisë së Mëhallës së Kelmendëve-Mutishëve të Preshevës, Aty punuan djemtë e Ymer Efendisë, Aliu dhe Fevziu. Ndërsa më vonë me qira Çajtoren e mbajti edhe Hebib Doda i Mëhallës së Dodajve të Preshevës. Në Çajtore lexohej edhe shtypi sidomos ai turk, thotë Mehmet Mustafa i Mëhallës së Sheh-Halilëve të Preshevës.

 

3.Objektet e vjetra

Presheva me rrethinë është e vjetër, i takon kohës iliro-dardane dhe në hapësirën e saj ka objekte dhe shtëpi të vjetra, disa prej tyre të mbrojtura nga Enti për mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe historike në Nish, ndërsa disa aspak të mbrojtura dhe në mëshirën e natyrës dhe dorës së njeriut.

Në të kaluarën jo të largët të këtyre ndërtimeve moderne ndodhën katastrofa të mëdha dhe nuk u kursyen as objektet dhe gjësendet e Trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Kështu u prish Hamami i Vjetër i Preshevës, për tu ndërtuar një ndërtesë moderne disa katëshe në rr. R. Sadiku në Preshevë.

Studjuesi Skender Rizaj në : Kazaja e Preshovës 1896/97 dhe Rajoni modern osman në Kazanë e Vranjës dhe Preshovës shkruan :

“Në fund të shekullit XIX, Kazaja e Preshovës(Presheva), në pikëpamje administrative ishte në kuadër të Sanxhakut të Prishtinës, në përbërje të Vilajetit të Kosovës.

Kasaba Preshova ishte qendër e kazasë. Qyteza kishte 3 mahalla, 600 shtëpi. Si kaza, Presheva kishte 122 fshatra, në realitet 6.958 shtëpi. Kazaja kishte popullatë muslimane dhe të tjerë, gjithësej kishte 42.248 banorë.

Në Preshevë kishte 600 shtëpi, 2 xhamia, 1 godinë shteti, 1 qendër telegrafike e postare, 1 stacion të policisë, 1 depo për dhjetëshina /osur/, 1 banjo komunale publike /Hamam/ e tjerë. Në brendi të kazasë së Preshevës kishte rreth 500 dyqane, disa stacione, 1 shkollë tetëvjeçare /rusdiye/, 13 xhamia, 3 xhamia të vogla /mesxhida/ ; në vend ka 2 shkolla muslimane “sibjan” me144 nxënës ; në kaza ka 14 shkolla muslimane “sibjan” me 364 nxënës dhe 4 shkolla të tjera “sibjan” me 138 nxënës”.

Kalaja e Preshevës-Muri i saj

Kalaja e Preshevës daton nga koha iliro romake.

Dr Jahi Staneci shkruan : “ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë kodrinës së kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…

Supozohet se në këtë vend, Presehva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shëkuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…

Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”./dr jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë,2010,f.42

Kompleksi i qytetit të Preshevës, rrëzë Kalasë, ku u ndërtua Mëhalla e Kurbalive, në të djathtë varrezat e Qytetit të Vjetër. Dhe krejt poshtë gjendeshim Mullinjtë e Vjetër të Preshevës.

Përmbi qytetin e Preshëvës së Vjetër dhe Varrezave të qytetit të Vjetër të Preshevës, në të majtë dhe në të djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan, te Mullinjtë u ndërtuan shtëpi private të Mëhallës së Kurbalive,  me leje apo pa leje të organeve përkatëse. Nuk kemi informatë se a ka reaguar komuna dhe Enti për mbrojtjen e monumenteve kulturore në Nish. Thuajse u rrafshuan 20 mullinjtë e Preshevës, te vendi i quajtur „Mullinjtë“, te Kisha.

Kacipupi në Rahovicë

Kacipupi Kacipupi, Oppidumi Dardan është lokalitet parahistorik, gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës, duke shkuar për Pendën e Rahovicës, liqenin artificial, gjendet në të majtë të lumit të Rahovicës. Pjesa jugore e Kacipupit është e kalueshme, ndërsa pjesa veriore kah lumi dhe ajo perëndimore te Kacipupit janë të thepisura dhe vështirë mund të arrihet në maje. Daton diku nga shekulli IV deri II.

Objekti i komunës sot

Objekti i komunës dikur

Objekti ndërtimor i komunës së Preshevës gjendet në qendër të qytetit të Preshevës dhe daton që nga viti 1909, sipas Ramiz Osmanit, banor i Mëhallës së Alimetëeve të Preshevës, ndërsa sipas Dr. Jahi Stanecit, viti i ndërtimit është 1880.

Ndërtesa e Komunës është objekt shoqeror, i cili një kohë ishte qendër administrative dhe politike e kazasë dhe rrethit të Preshevës, deri në vitin 1947, kur Presheva e humbi këtë rëndësi qendrore dhe objekti mbeti qendër administrative komunale. Më vonë ai shërbeu si qendër shkollore, ku ishin vendosur klasat e shkollës fillore të Preshevës. Sot ai shërben objekt shoqëror, administrativ dhe poltik i komunës së Preshevës, ku janë vendosur administrata komunale, Kuvendi i komunës dhe shërbime të tjera administrative të nivelit komunal.

Xhamia e Ibrahim Pashës

Objekti i parë i fesë islame në Preshevë është Xhamia e Vjetër, Atik Xhamia apo Xhamia e Ibrahim Pashës në Preshevë, e ndërtuar më 1678, kurse e rindërtuar më 1804 /Lista e Xhamive të komunës së Preshevës dhe vitet e ndërtimeve të tyre përkatëse të Bashkësisë komunale Islame të Preshevës, të datës 24 nëntor 1998/, ndërsa sipas një burimi tjetër më 1805 ose sipas Hixhrës më 1220./Rexhep Selimi, Presheva gjatë fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare(1839-1881), “Zgjimi” nr. 16, Preshevë, 1998, f.21 dhe Xhevabi Hoxha, Generalni plan Preseva, mreza naselja i izgradjenosti prostora, Pristina, 1998.

Ajo gjendet në qendër të qytetit, në anën e djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan. Këtë xhami e ndërtoi Ibrahim Pashë Bushatliu. Ajo edhe sot gjithë ditën quhet Xhamia e Ibrahim Pashës. Ndërtimin e Xhamisë së Vjetër e ndihmuan edhe Shehët e Preshevës.

Teqja e Preshevës

Teqja e Preshevës afër Xhamisë së Vjetër u ndërtua në mes viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti”.

Vendi ku gjendej Hamami i Vjetër I Preshevës

Hamami, banjë publike, sipas studiuesit S. Rizaj në Kazanë e Preshevës, thote se më 1896/7 në Preshevë ekzistonte një banjë publike, Hamami, në rrugën e R. Sadikut, afër Xhamisë së Poshtme të Preshevës..Pas viti 1912, Hamami u përdor për banim nga emigrantet, pastaj në te u ndërtua Mulli elektrik, më 1947/48, pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa më vonë shërbeu edhe depo e materialeve ndërtimore e Kooperativës Bujqësore të Preshevës. Tashti në vend të Hamamit të shkatërruar plotësisht më vitin 1987, u ndërtua ndërtesë e banimit kolektiv. Qytetarët fqinjë okular flasin se kur është prishur Hamami me shumnë vështirësi janë thyer muret e tij.

Qëllimi ishte që të humbet edhe një shenjë e vjetërsisë shqiptare, trashëgimisë kulturore arkitektonike shqiptare. Rrënimin e bëri Bashkësia apo Fondi komunal i Banesave dhe Ndërtimit në Preshevë.

Xhamia e Poshtme e Preshevës

Xhamia e re e Preshevës u ndërtua më 1878, kurse u rindërtua më 1983. Kjo xhami gjendet në rrugën “Ramiz Sadiku”, në rrugën Preshevë-Rahovicë, afër ndërtesës së bardhë  shumëkatëshe të banimit.

Xhami e Vjetër në Tabanoc

Xhami të vjetra janë edhe Xhamia e Rahovicës, Corroticës, Raincës, Bushtranit, Bukurocës, Gerajve, Strezocës, Bugarinës, Çukarkës, Zhunicës, Norçës, Tërrnavës, Miratocës, Teqja e Tërrnavës, Caravajkës, Ilincës, Garës etj.

Ndërtesa e Mejtepit-Medresesë, më 1936

Medreseja në Preshevë ishte afër Xhamisë së Poshtme, pronësi e Bashkësisë Islame të Preshevës, vakëf.

Kooperativa 1913 Ndërtesa e Kooperativës e ndërtuar më 1890

Kooperativa 1982

Kooperativa 2011

Ndërtesa e Kooperativës Bujqësore u përdor për mësim të Shkollës bujqësore 1945-1953, pastaj u hap aty shkolla e amvisnisë, tash përdoret për veprimtari të ndryshme.

Kooperativa bujqësore ishte e njohur me prodhimin e djathit dhe kaçkavallit

Sokollana-ndërtesa e Universitetit të punëtorëve në Preshevë, dikur

“Sokollana”(sallë gjimnastikore e sokolave) e mori emrin sipas Shoqërisë së Rinisë “Soko” në Jugosllavinë e Vjetër. Ajo pas Luftës së Dytë Botërore ishte ndërtesë e Universitetit të Punëtorëve dhe Shtëpisë së Kulturës, ku zhvilloheshin aktivitetet kulturore arsimore. “Sokollana” filloi të ndërtohet më 1934 me punë vullnetare e kontribute në të holla të zejtarëve dhe anëtarëve të Shoqërisë “Soko: nga Presheva/Slobodna rec, Vranje, od 02 jula 1993 godine.

Salla e Sokollanës u bë gati në dimrin e vitit 1938, kur u organizua program kulturo e argëtues nga zejtarët dhe anëtarët e Shoqërisë Rinore “Soko” nga Presheva, Bujanoci dhe Kumanova, ndërsa plotësisht u krye më 1939./Slobodna Rec, Vranje, od 2 jula 1999.godine apo Xh. Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999, f. 64 dhe 65/

Monopolli i Duhanit në Preshevë

Monopili i Duhanit themelohet kah vitet 1921/22 dhe ndërtohet deri në vitin 1934

Stacioni Hekurudhor, sot

Stacioni Hekurudhor i Preshevës i ndërtuar më 1888 lidh  vijën hekurudhore Beograd-Nish-Vranjë-Preshevë-Shkup-Selanik

PTT Posta e ndërtuar më 1925.

Komiteti komunal, ndërtesa e ndërtuar më 1920, u përdor për shumë veprimtari, shkollë, ndërtesë e organizatave politike e tjerë

Kooperativa bujqësore e vjetër-1947/49 në Rahovicë

Dyqani i Abdullah Veliut

Dyqani i Abdullah Haxhi Velisë, i ndërtuar më 1931, i konfiskuar pas Luftës së Dytë Botërore, në rrugën M. Tita, nr.11

 

4.Shtëpitë e Vjetra

Kim Mehmeti, në librin : Shkupi : (Ese historike), Shkup, Logos-A, 2011, f. 107, shkruan :

“Në fillim njeriu jetoi nëpër shpella që ia kishte bërë gati natyra.Ai ishte pjesë e natyrës dhe qenie që i nënshtrohej asaj si gjithë gjallesat tjera. Do të mbetet enigmë se çka e shtyu njeriun ta prishte atë “kontratë” me vendbanimin e tij të quajtur natyrë e që ushqehej nga bindje se ai atë duhet ta ndryshojë, duke u mashtruar se nuk i takon ai natyrës, por natyra i takon atij. Dhe, kështu filloi të ndërtojë kasollat e para, me çka fillon periudha historike e vetmisë njerëzore, apo e ndjenjës së tij për pamjaftueshmërinë nga ajo që ka dhe atë që është… dhe gëzohen kur gjejnë një gur të vetëm të ndonjë kështjelle të lashtë, apo një enë prej lloçi, të pjekur në kohët kur njeriu posa kishte zbuluar magjinë e zjarrit, me çka edhe filloi ta ketë më ngrohtë aty ku banonte, por edhe ta djegë tokën, f. 107

Njerëzit dolën nga shpellat dhe u futën nëpër shtëpitë e tyre atëherë kur numri i tyre u rrit aq shumë sa nuk ishin të bollshme për strehim shpellat, e numri i të cilave mbeti i njëjtë sin ë fillim kur u banuan nga dykëmbësh…Mbase kështu filloi historia e krijimit të lagjeve dhe vendbanimeve e që sot ka arritur përmasat që një qytet të ketë aq banorë sa dikur kanë kasur kontinente të tëra.”(f.108)…Pra, Historia e themeleve dhe mureve, rrëfen edhe për fazat e zhvillimit të vetëdijes njerëzore, e cila kalon nëpër periudha kur ai ka ndërtuar duke përdorur si materiale ndërtimi atë që ia ka ofruar natyra-gurë dhe drurë…”./f.108/

Pasi njerëzit ndërtuan shtëpitë e tyre, të cilat i ndërlidhen në lagje, e lagjet e veta i ndërthurën në tërësi që përbënin vendbanimet e tyre, ata edhe filluan të identifikohen nëpërmjet adresave ku jetonin”./f.110/

“Objekte nga më të vlefshmet që ka nj vendbanim janq ato që në muret e veta bartin peshën e sa më shumë shekujve dhe ngjarjeve. Nga gjithë objektet e ndërtuara dikur, e që mund t’i shohësh edhe sot mbi këtë tokë, mbase më të dukshme janë kështjellat dhe urat”./f.113/

“Pa dyshim se Shqiptarët nuk kanë ndërtuar vetëm ura, por edhe kështjella, madje ata edhe shtëpitë ku jetonin i ndërtonin në formë fortifikatash mbrojtëse të quajtura kulla, e ku gjallronin ëndrrat e tyre jetësore dhe shpesh ato ëndrra i mbronin me armë në dorë”./f.115/

“Sa i përket entuziazmit ndërtues, shqiptarët edhe sot kanë mbetur të njëjtë si paraardhësit e tyre: i besojnë vetëm pasurisë së shndërruar në mure. Edhe në Shkup e rrethinë, ata ndërtojnë shtëpi të mëdha e të larta, shtëpi që janë në proporcion me iluzionin se pamja e shtëpisë dhe luksi në to, janë përcaktuese për portretin njerëzor të pronarëve të tyre.”/f.116/

“Në ambientet e banimit vend të rëndësishëm nëpër shtëpi të vjetra zinte Dhoma e Mysafirëve…Dhoma në fjalë kishte mjaftë kolorit, por me begati ngjyrash dominonte shtroja e dyshemesë… Në vendin ku uleshin mysafirët shtrohej Jani, i cili në mënyrë tradicionale ishte pajë nusërie, i punuar me vegla dore nga fije të dendura leshi, në të cilën dominonte ngjyra e kuqe, pastaj ngjyra e gjelbër, e verdhë dhe ajo e zezë….Pjesa tjetër e dyshemesë mbulohej me qilim, po ashtu të punuar në dorë…. Mbi to vendoseshin shiltet e postaqitë. Nën këto shtroje vendoseshin hasrat dhe çergat që kishin rolin mbrojtës nga lagështia dhe humbjen e nxehëtësisë. Pasi që ndeja ishte e organizuar me pozitë të trupit ulur në dysheme për t’u mbështetur për muri nevojiteshin Jastëkët. Këta mbështilleshin me pëlhurë ose kadife të kuqe dhe sipër tyre vendosej Jagia e bardhë”, shkruan Burbuqe A. Agushi, në librin : Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik : (Monografi), Prishtinë, 2009, f.72, 73

Në  Preshevës hasim edhe në ndërtesa ndihmëse: ahuri, plemja, hambari, koshi, koteci, mbistreha, kolibja e qenit, kuzhina verore, garazhi.

Vila Letafet-sot pronë e Veli Veliut

Vila Letafet është ndërtuar më 1936. në rr. e Gjilanit, pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Në këtë objekt për herë të parë u hap shkolla fillore në Preshevë, në gjuhën shqipe, më 7 shkurt 1945. Shkollën e hapi me një fjalim të rastit Abdulla Krashnica, sekretar i Komitetit te Rrethit të Preshevës, ndërsa mësues ishin Hilmi Qerimi, Demirali Ibrahimi, Abdullah Ukshini, Dilaver Osmani, Lutfi Ahmeti, Isa Selimi, Kadrije Kelmendi.

Në Vila Letafet kati i parë u përdorë për mësim, ndërsa i dyti për banim të mësuesve.

Shtëpia e Ibrahim Kelmendit

E ndërtuar sipas Feti Shaipit më 1900, ndërsa Osman Shaipi thotë më 1908/ bisedë më 10.07.2011/,  e ndërtuar me tjegulla të pjekura të kuqe.

Profesor Ibrahim Kelmendi, atdhetar i devotshëm  u lind  më 16 janar 1916 në Preshevë, studuio historinë në Beograd, Perugja të Italisë, ndërsa diplomoi në Zagreb

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Presheva u çlirua dhe u emëruan organet e pushtetit lokal të cilat, për tre muaj të ardhshëm, do të kontrollohen nga nacionalistët shqiptarë. U formua bashkia e qytetit me kryetar Adem Kamberi, nënprefekt u emërua Limon Asllani-Staneci, komandant i xhandarmerisë u emërua Ali Syla-Staneci, ndërsa komandant i shtabit të vullnetarëve u emërua profesor Ibrahim Kelmendi.

 

Shtëpia e Halil Agës

Shtëpia e Halil Agës, në rrugën e Gjilanit, pronë e Mexhid Sahitit të Mëhallës së Derrajve të Preshevës, sot banojnë djemtë e Mexhidit,  Vahidi dhe Vaxhidi, e ndërtuar para vitit 1930.

Shtëpia e Esad Agës-Plaku, e ndërtuar aty kah viti 1920

Shtëpia e Esad Esadit, sot

Shtëpia e Qerim Arifit, pikturë e Osman Mahmutit

Në këtë shtëpi jetoi dhe veproi poeti i mjerimit të Preshevës, poeti social që i kendoi mjerimit, i lindur më 22 shkurt 1946. Vdiq në Strugë. Bilall Maliqi e quan Migjeni i Luginës së Preshevës.Qerim Arifi kështu i këndon mjerimit :

“Vend ku lindin fëmijët e uritur…ose Djep dëshirash të varfra Strajcë e shqyer nga vjetërsia”.

Shtëpia e Nexhmije Kadriut, sot, në rrugën e Rinisë të Preshevës

Pronarja e shtëpisë Nexhmije, e cila banon në këtë shtëpi thotë se baba Ejupi ka lindur më 1906, por lindi ne këtë  shtëpi, që do të thotë se shtëpia është edhe më e vjetër. Faktikisht shtëpine e ndërtoi gjyshi i Nexhmijes, Kadri Ahmeti.Gjasat janë që kjo shtëpi te jetë ndër më të vjetrat në Preshevë, aty e ndërtuar para vitit 1900. Ndërsa kushëriri Fehmi Hasani thotë se i ndjeri, plaku Ejup Ahmeti i ka thënë se shtëpia është ndërtuar para vitit 1878 /Bisedë me Fehmi Hasanin, më 06.07.2011./ dhe /Bisedë me  Ibrahim dhe Nexhmije Kadriun, më 12.07.2011/

Shtëpia e Kurtishëve

Shtëpia e Mulla Fahredin Kurtishit, Mëhallës së Kamberëve të Preshevës, e ndërtuar para viteve 1890, në rrugën S. Kovaceviq. Fëmiu i parë i lindur i Mulla Fahredinit, Mahmut Kurtishi, më 1912, lindi në këtë shtëpi, bile Mulla Fahredini aty është martuar, thotë Bedrudin Kurtishi.

Kulla e Sejdiajve shumë e Vjetër e ndërtuar para 150-200 vjetëve. Kullat u ndërtuan në kohën e Otomanisë, për tu mbrojtur nga invadimet turke.

Oda e Can /Hasan/ Seferit, daja i Idriz Seferit.

Shtëpia e Fazli Arifit-Myrtajve, e ndërtuar në  shek.XVIII

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, pas një viti para se të ndodhnin ngjarjet në Luginën e Preshevës dhe në Karadak, sikur i kishte paralajmëruar të ndodhurat, prandaj Komiteti i Lidhjes II të Prizrenit formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipqrisë Etnike në anën lindore të Kosovës. Komandant shtabi qe emërua Idriz Velekinca, ndërsa komandantë të njësive vullnetare qenë cakruar Fazli Myrtaj, Sylë Hotla, komandantë në viset e Kumanovës, Ajet Rainca. Fazli Myrtaj ishte i fshatit Sefer, emrin e të cilit e kishte ngritur aq larg Idriz Seferi, ndërsa në kohën kur u caktua t’u printe vullnetarëve, ishte kryetar komune në Zhegër./Ibrahim Kadriu, Ramiz Cernica-simbol i bashkimit kombëtar, Prishtinë, 2011, f. 99/.

Shtëpia e Kaçakut Ali Jonuzi të Mëhallës së Salidautëve të Raincës. /Fotografoi  Kreshnik Fazliu/

Shtëpia e Ali Jonuzit të Mëhallës së Salidautëve  është e vjetër mbi 150 vjet.

Kaçaku Ali Jonuzi i Raincës i takoi Lëvizjes Kaçake Shqiptare në kohën e Perandorisë turke.. Ali Jonuzi gjatë jetës së vet e luftoi sundimit e Perandorisë turke. Më vonë, në këtë shtëpi, një kohë jetoi djali i Ali Jonuzit, Kurtish Jonuzi.

Pas rëniesë së Perandorisë turke, në këtë shtëpi u vendos një familje bullgare, e cila më vonë e lëshoi dhe u shpërngul në Bujanoc, thotë Vebi Fazliu në bisëdë me te.

Hambari në shtëpinë e Kaçakut Ali Jonuzi në Raincë./Fotografoi Kreshnik Fazliu/

Shtëpia e Mehmet Fejzullahut

Një dhomë e rregulluar me minderllëqe në Shtëpinë e Mehmet Fejzullahut

Është njëra prej shtëpivë të mbetura, të ndërtuara para Luftës së Dytë Botërore.E ndërtoi Adem Fejzullahu, në vitin 1927.Shtëpia gjendet në Mëhallën e Alimetëve, në qendër të Qytettit, ku gjenden edhe shumë objekte tjera shqoërore, komuna, Gjyqi komunal, Xhamia e Vjetër, Teqja e Vjetër.Në këtë shtëpi jetoi, pas Ademit, Sejdush Fejzullahu dhe më vonë Mehmet Fejzullahu, i cili edhe sot banon aty.Sipas fjalëve të Mehmet Fejzullahur ky objekt u renovua tri herë, më vitin 1983, më vitin 1995 dhe më vitin 2006. Gjendja e objektit është e mirë.Edhe brendia e objektit ende e ruan vjetërsinë e shtepisë, trashëgimin ndërtimore, bile edhe deri sot, shumë elemente të vjetra janë ruajtur në këtë shtëpi..

Shtëpia e Abdullah Veliut

Shtëpia e Abdullah Haxhi Veliut, e ndërtuar më 1953 dhe sipas Atullah Veliut me tjegulla të pjekura në furrat e Gerajve. Tashti pronar i shtëpisë është Qamil Tampërri.

Shtëpia e Sylkëve në Preshevë, të shkuar në Turqi, tashti pronar i shtëpisë Mahmut Mahmuti i Mëhallës së Baballukëve të Preshevës 

Shtëpia e Sylkëve, me Hambar, me makinë për hedhjen e grurit-drithitt, me ahurin dhe ndërtesa të tjera ndihmëse.

Shtëpia e Vjetër e Ymer Karavelise

Shtëpia e Qamilit Elezit në Karadak

Shtëpia e Qazimit Rashitit në Karadak

Yklykët në shtëpinë e Qazim Rashitit në Karadak

Shtëpia e Vjeter me oxhak brenda shtëpisë, e Xhevat Demirit, mësues në pension, në rr.Ivo Ribar, nr. 86

Oxhaku në Shtëpinë e Xhevat Demirit

”Nëpër dhoma të mysafirëve kishte Vatra(oxhaku), i cili gjatë ditëve të ftohta krijonte ambient të këndshëm dhe të ngrohtë sidomos në ndejat eme mysafirë kur dëgjoheshin bisedat aktuale, ditore dhe rrëfimet dominuese nga zëri i më të vjetrit.

Oxhaqet ishin brenda shtëpisë dhe pjesë e shtëpive të vogla, të varfanjakëve”.

/Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik : (Monografi), Prishtinë, 2009, f.73/

Shtëpia e Nuhallarëve në Kurbali

Shtëpia e Gani Rushitit në Karadak

Shtëpi e Vjetër në Strezoc

Shtëpia e  Vjetër e Maksut Maksutit në Gjinaj

Shtëpia e Veli Azizit e Mëhallës së Alimetëve të Preshevës

Ajo gjendet në rrugën M. Tito, e ndërtuar më 1951/52 sipas dëshmisë së Qemal Azizit të Alimetëve.

Shtëpia e Rahim Fazliut e Vjetër 150 vjetë

Shtëpia e Vjetër e Aqif Demallarit në Gosponicë

Shtëpia më e Vjetër e Sulë Hasanit –Mëhalla e Hasanajve në Kurbali, për të cilën thuhet se është e vjetër më shumë se 150 vjet.

Shtëpia më e Vjetër në Mëhallën e Gjinajve ishte ajo e Bektash Veliut.

Shtëpia e Haxhi Arifit, më e Vjetra në fshat dhe me vjetërsi prej 200 vjetësh.

REFERENCAT

1.Jovan Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913

2.Mihajlo Kostic, Presevska kotlina, drustvena-geografska studija, Vranjski glasnik, knj V, Vranje, 1969

3.Bisedë me Muharrem Jashari, kasap i vjetër, më 09.08.2009

4. Stojan Novakovic, S Morave na Vardar 1886, Putne beleske Stojana Novakovica, U Beogradu, 1892

5. T.P. Vukanovic, Presevo, Vranje, 1966

6.Jovan F. Trifunoski, Presevo, Vranje, 1951

7.Jov. F. Trifunoski, Moravica, Skopje, 1948

8..Jovan F. Trifunoski, Kumanovska-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951

9.Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, Arsimi fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, Preshevë, 2001

10.Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999

11.Kim Mehmeti, Shkupi : (Ese historike), Shkup, Logos-A, 2011

12.Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik : (Monografi), Prishtinë, 2009

13. Dr.sc. Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë: (monografi), Prishtinë, 2011 14.Todor Stankoviq  në librin : Shënime udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër 1871-1898, të botuar në Beograd, më vitin 1910

15 J. G. v. Hahn në librin e tij : Reise von Belgrade nach Sallonik, më 1868/Udhëtimi prej Beogradit për në Selanik/

16. Bisedë me Qerim Qerimi, më 17.08.1994

17.Bisedë me Qani Qerimi, më 08.06.2010

18. Bisedë me Mehmet Mustafa, më 19.07.2010

19.Tatomir Vukanovic, Vranje, Vranje, 1978

20. KËNGË DASME I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1980

21.Skender Rizaj : Kazaja e Preshovës 1896/97

22.Rexhep selimi, Presheva gjatë fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare(1839-1881), “Zgjimi” nr. 16, Preshevë, 1998

23. Xhevabi Hoxha, Generalni plan Preseva, mreza naselja I izgradjenosti prostora, Pristina, 1998.

24.Slobodna rec, Vranje, od 02 jula 1993 godine.

25.Mikel Ndrecaj, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Prishtinë, 1986,

26 Lista e Xhamive të komunës së Preshevës dhe vitet e ndërtimeve të tyre përkatëse të Bashkësisë komunale Islame të Preshevës, të datës 24 nëntor 1998

27. Bisedë me Fehmi Hasanin, më 06.07.2011

28. Bisedë me  Ibrahim dhe Nexhmije Kadriun, më 12.07.2011/

29.Bisedë me Vebi Fazliun nga Rainca, më 9 janar 2012

 

Shkruan: Xhemaledin SALIHU

Preshevë, më 24 shkurt 2012

SHPËRNDAJE