PVD, konsideron se prapa këtyre tensionimeve të fundit në këtë komunë qëndrojnë struktura të caktuara shtetërore, qëllimi i të cilëve është relativizimi i kërkesave të shqiptarëve për zgjidhjen e problemeve jetësore.

 

Bujanoc, 22 qershor / AIK-Presheva Jonë

 

Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën më 22 qershor, me Kryesinë e Degës  në Bujanoc, ka shqyrtuar situatën politike në Luginë të Preshevës të krijuar pas formimit të Këshillit Nacional serb në Bujanoc që po përcillet me veprime destruktive me të cilat pretendohet bllokimi i institucioneve të vetëadministrimit lokal në këtë komunë.

 PVD, konsideron se prapa këtyre tensionimeve të fundit në këtë komunë qëndrojnë struktura të caktuara shtetërore, qëllimi i të cilëve është relativizimi i kërkesave të shqiptarëve për zgjidhjen e problemeve jetësore.

Paaftësia dhe mosgatishmëria e Beogradit zyrtar për t’i përmbushur obligimet nga Programi i vitit 2001 gjithnjë më tepër po dëshmohet edhe nga deklaratat e fundit tendencioze dhe provokuese të kryetarit të Trupit koordinues, ministrit Milan Markoviq, me veprimet e të cilit po tentohet të ngushtohen kompetencat e vetëadministrimeve  lokale në rajon dhe po ndërhyhet në mënyrë të vrazhdë si në destabilizimin e pushtetit lokal në Bujanoc ashtu edhe në ndryshimin e raporteve politike në disfavor të PVD-së, si parti më e madhe në Luginë të Preshevës.

Kryesia e PVD-së, në këtë mbledhje poashtu ka shqyrtuar edhe paraqitjen e grupit inicativ për themelimin e subjektit të ri nga grupi i tre këshilltarëve të PVD-së dhe një numër i udhëheqësve aktual komunal nga radhët e PVD-së.

 

 Me këtë rast, Kryesia e PVD-së vlerësoi se:

       Nuk ekziston as një arsye e vetme për formimin e subjektit të ri, i cili vetëm kopjon orientimet programore të përcaktuara nga PVD para 20 viteve,

 

       Kjo iniciativë nuk mund të jetë pasojë e mungesës së hapësirës për veprim brenda PVD-së, pasi që iniciatorët në peridhën e kaluar kanë qenë bartësit e privilegjuar të funksioneve ekzekutive në pushtet local në Bujanoc,

 

       Motive për formimin e  subjektit të ri janë vetëm ambiciet karrieriste të iniciatorëve, nga të cilët, PVD pret ndërmarrjen e aktit moral të dorëheqjes nga funksionet  që ushtrojnë brenda strukturave të vetëadministrimit lokal në Bujanoc në emër të PVD-së;

 

       Kryesia e Degës së PVD-së do të vazhdojë veprimin e vet normal në suaza të Statutit të PVD-së, dhe në këtë drejtim është në përgatitje të mbledhjeve të n/degëve në Tërnoc, LLuçan e Muhoc, për t’i plotësuar  boshllëqet e shkaktuara nga këto dorëheqje;

 

       Kryesia e PVD-së vlerëson se pas largimit të inicuesve të subjektit të ri, po eliminohen pengesat e veprimit politik brenda PVD-së që janë paraqitur në periudhën e kaluar dhe kjo paraqet impuls të ri për punë edhe më intensive të këtij subjekti për të qenë më efikas në ballafaqim me sfidat aktuale që kanë shqiptarët në këtë rajon;

 

Bujanoc, 22 qershor, 2011

Partia për Veprim Demokratit

Riza Halimi -kryeta

 

SHPËRNDAJE