luii

  • Kritikat e kolegëve dhe shkrimtarëve për librin me 2400 aforizma që i kapërcen kufijtë e rajonit të Kosovës Lindore (Kemi një emër, një zemër, një etni që i thonë Shqipëri!)

Hysen Këqiku, kritik letrar: Kësaj here, Halim Hasani na del me librin që ka 2400 aforizma, të cilat aforizma janë margaritarë në jetëshkrimin shqip. Aforizmat janë yndyra e ushqimit, janë bukuria dhe estetika e të folurit. Këto aforizma shprehin mendime të thella. Por, janë edhe të ngjashme me fjalë të urta popullore.

Vlerësimet, thellësia e mendimit aforistik

Filozofia e lëtyre aforizmave qëndron tek fakti se japin kuptim parësor e dytësor, ku e shprehin anën figurative të të folurit të njeriut. Edhe tek Sami Frashëri i gjejmë këto aforizma të forta dhe të qëndrueshme, kur ka shtuar: “Ç’na hi në punë mulliri, të cilit i dëgjohet zhurma, po nuk i duket mielli!” Ose filozofi antik, Diogjeni, shton: “Përtype fjalën më shumë se bukën!”

Këto aforizma janë tërheqëse për lexuesin, njëherit edhe mësohen përmendësh për t’u përdour në momente të caktuara. Andaj, autori i këtyre aforizmave jeton me to, flet dhe krijon filozofi tek të tjerët. Njëherit, këto aforizma të këtij libri janë “produkt” i fjalëve të urta që janë të krijuara gjatë shekujve nga gjeniu popullor. Kështu, Halim Hasani është krijuesi i parë i aforizmave nga Kosova Lindore që del me një vepër që ngërthen në vete 2400 aforizma, të cilat “rrëfejnë” ngjarje, dukuri apo edhe fenomene të jetës. Në këto aforizma ka sarkazëm, alegori, por ka edhe krahasime e personifikime.

Këtu qëndron vlera e tyre estetike e artistike. Ato si të tilla nuk mënjanohen, por përherë e rrisin vlerën e tyre në momente të caktuara gjatë të folurit apo ligjërimit. Ja disa aforizma të H. Hasanit: “Toka sillet rreth boshtit të vet, bota rreth interesit”. Apo: “Kush punon me zemër, nuk punon për emër”/”Më mirë loti i vatrës se sa loti i baltës”, “Botën e ndriçon dielli, kokën e njeriut dituria”. Apo: “Mos e hedh farën në arë të huaj, se e humb identitetin”. Kjo është metafora e aforizmit, e cila godet dhe kthjellon “gjendjen” e secilit njeri në bashkëbisedim e veprim. Andaj, krijuesit e ndryshëm, që merren me hartime letrare e eseistike, ata përdorin të tilla aforizma për ta hijeshuar art-shkrimin e tyre”.

Një vepër me vlera të pakontestueshme edukative”,  në të cilën dëshmohet se autori është krijuesi i parë nga Kosova Lindore, që del me një vepër që përmban 2400 aforizma e që kapin një gamë të gjerë ngjarjesh, dukurish a fenomenesh.

Unë them se me këtë libër me Aforizma, Halim Hasani, kapërcen kufijtë e rajonit të Kosovës Lindore, duke u bërë një krijues me shtrirje gjithëkombëtare, në pasurimin e mendimit filozofik.

Kujt i ka rënë në dorë ky libëra me Aforizma, s’ka se si të mos i lënë përshtypje ato mendime të arta, të dalë nga shpirti mendimtar i këtij krijuesi, me përvojë të gjatë në fushën e shkrimit shqip.

Ato kur i lexojmë na duken të njohura, sikur i kemi lexuar e dëgjuar diku nga dikush. E, po, pikërisht këtu qëndron madhështia e tyre sepse edhe kur e lexon një poezi të bukur të duket se është e lehtë për të shkruar, por kur të fillosh të shkruash e shef se nuk e ke dhuntinë e autorit, që të ka rrëmbyer me bukurinë poetike dhe aforistike.

Autori i këtyre aforizmave jeton me to, flet, i kultivon dhe laton. Askund nuk shkon pa një fletore në xhep dhe një laps, në xhepin e tij sepse e ka më lehtë ta zë kur i vjen për ta kapur, përkatësisht për ta shkruar. Po të mos e kishte këtë zell, këtë përkushtim dhe dhunti, nuk do ta mbërrinte “kulmin e piramidës” me dy mijë e katërqind aforizma, që kapin të gjitha segmentet e jetës. (Thekse nga Parathënia e librit, redaktor i të cilit është Hysen Këqiku).

Në mënyrë përgjithësuese tematika e aforizmave është e ndryshme, por mbizotëron motivi patriotik, edukativ dhe aty – këtu edhe ai social.

Autori, gjatë përpilimit të aforizmave, ka marrë për bazë qëndrueshmërinë e tyre, sepse të krijosh kaq shumë aforizma nuk është edhe aq lehtë, duke e ditur mirë se ato duhet të kenë kuptueshmërinë, mesazhin dhe jetësimin e tyre gjatë jetës së përditshme, sepse ato si të tilla kanë lindur nga rrethana të krijuara, të cilat nuk janë edhe të pakta.

Çdo aforizëm që e lexojmë para nesh na del një tablo reale e ndodhive, të cilat sheshohen nëpër këto mendime filozofike, të cilat edhe e kanë vlerën e tyre. Ato nuk mund asnjëherë ta kenë vlerën e njëjtë, por në përgjithësi këto aforizma e arsyetojnë punën e palodhshme të krijuesit Halim Hasani, i cili me produktivitetin e tij ka arritur të jetë aforisti më i suksesshëm në Kosovën Lindore dhe më gjerë.

Nexhat Rexha, krijues: Duke i lexuar këto aforizma të autorit Halim Hasani, jo vetëm që jam relaksuar e këndellur, por edhe kam hyrë në lashtësinë e popullit tim. Këto aforizma më kanë plotësuar atë pjesë të dijes, sepse shënojnë gjëra e ide të rralla në letërsinë shqipe. Gati secila aforizëm e këtij libri ngërthen në vete filozofi jetësore, të cilat na përkujtojnë të madhin shkrimtar e dijetar Sami Frashërin, i cili la pas vete të tilla aforizma mendimtare e filozofike. Këto “fraza” arti janë plot me vlera dhe shënojnë ngjarje dhe kohë që njeriu bie ndesh me të vërtetën.

Arsim Halili, poet e publicist: Halim Hasani, është një emër i pranishëm nga vitet e 90-ta, duke kultivuar kryesisht aforizmat, me të cilat dëshmon përkushtimin e tij dhe ambiciet për të sjell para lexuesve artin e tij.

Gjuha, respektivisht forma e ndërtimit të fjalëve togfjalëshave, ka edhe disonancat, gjë që më tepër përdoret një fjalor i shprehjeve folklorike . Megjithatë, në aspektin semantik aforizmat e Halim Hasanit, kanë strukturë përmbajtësore dhe përçojnë mesazhe. Vërehet, në prani jo aq të madhe, ndërtimi stilistik i figurave. Si do qoftë hapësirë zë: alegoria, antiteza e më pak vend zë metafora.

Vlerat ideo –tematike të librit konsistojnë me horizontin dhe informacionet e autorit për këtë lëmi të artit krijues, por gjithsesi autori duhet të gjurmojë, që të mos mbetet peng i të sotmes, por të jetë vizionar i së nesërmes.

PAK AFORIZMA:

# E  drejta e humb forcën në momentin kur interesi hyn në fuqi!

# Kur shtetit zhytet në korrupsion, hajnat bëjnë dasmë!

# Kur shteti del nga binarët, populli del në rrugë!

# Piramida e krimit ndërtohet nga themeli- shembet nga maja e tij!

# Lufta mbjell plumba, liria lule!

# Rrathët e trungut, vjetët e bungut!

# Njeriut i nevojitet ushqimi, trurit leximi!

# Pa gjuhë, s’ka identitetet!

# Trimëria nuk matet!

# Dashuria është si plumbi me dritë, kujt i mungon kujdesi, derën ja fikë.

# Arti as nuk ka majë as fund!

# Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve!

# Kemi një emër, një zemër, një etni që i thonë Shqipëri!

SHPËRNDAJE