FOOTONë  Kuvendin Komunal të Gjilanit është  përjashtuar nga seanca Sercan Mirkoviq, asamblist nga komuniteti serb, pasi i fundit është pjesë edhe e  strukturave paralele serbe.

Këtë e ka konfirmuar në një lidhje direkte për Klan Kosovën edhe Valentina Bunjaku, kryesuese e Asamblesë.

“Nuk është hera e parë që është përjashtuar Sercan Mirkoviq, pasi i është bashkuar strukturave paralele serbe. LDK-ja e ka iniciuar këtë çështje për përjashtimin e tij. Është hera e dytë që ai ka ardhur përsëri në seancë dhe janë konsultuar të gjitha grupet në Asamble ku  është marrë vendimi që ai të përjashtohet. Është  hera e dytë që është përjashtuar. Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore për këtë përjashtim jemi konsultuar edhe me MAPL-në, atyre iu kemi drejtuar me shkrim,” ka thënë Bunjaku, njofton Klan Kosova.

Më tej ajo ka sqaruar arsyet për marrjen e këtij vendimi, ku e ka cilësuar pjesëmarrjen e tij në seancë si provokim.

“Ne kemi kërkuar që ai të deklarohet për vetëm një post. Ai nuk është deklaruar dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje të vetme. Unë e kam thirrur në takim ai ka thënë se është edhe përfaqësues i strukturave paralele.”

“Pjesëmarrja e tij në seancë është provokim, pasi ne kemi qenë në pritje të përgjigjeve të MAPL-së, ai nuk është ftuar në seancë dhe ka ardhur vetë si i paftuar.”

“Ne do të respektojmë të gjitha rrugët ligjore dhe do të vendosim çka do të veprojmë.”

“Kryetari i Gjilanit nuk i njeh këto struktura paralele. Unë kam kërkuar që ai ta lëshojë sallën, nuk ka pasur nevojë të përdoret sigurimi, ka përfunduar Bunjaku, njofton Klan Kosova.

SHPËRNDAJE