
Prishtinë- Familjes së Jusuf e Bardhosh Gërvalles nuk u kanë bërë shumë përshtypje akuzat e rënda që ka bërë Ibrahim Kelmendi, në adresë të Riza Salihut.
Kelmendi në programin televiziv “Zona B” në Klan Kosova, ka thënë se Riza Salihu është i dyshuari kryesor në vrasjen e vëllezërve Gërvalla.
Madje vëllai i patriotëve Gërvalla, Hyseni, i ka quajtur “guxim të tepruar”, – deklaratat e Kelmendit, sipas të cilit, Riza Salihu nga Mushtitshti i Suharekës, ka gisht në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani.
Hysen Gërvalla, i cili jeton në Zvicër, ka thënë të martën për “Express” se nuk ka ndonjë dëshmi apo fakt se Riza Salihu është autori apo ka ndihmuar në vrasjen e vëllezërve të tij dhe shokut të tyre.
“Deklaratat e Ibrahim Kelmendit janë më tepër si guxim i tepruar. Ne si familje, deri më tani nuk kemi asnjë dëshmi apo diçka të ngjashme se Rizai ka gisht në vrasjen e tyre”, thotë Hysen Gërvalla nëpërmjet telefonit nga Zvicra.