Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë ndërmarrë sulme me raketa kundër mbrojtjes ajrore të Libisë, duke vënë në fuqi ndalim-fluturimin dhe për t’i detyruar forcat e udhëheqësit libian Moamar Gadafi të përmbahen.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha mbrëmë se mbi 112 raketa Tomahok, të lëshuara nga luftanijet amerikane dhe britanike si dhe nga nëndetëset në Detin Mesdhe goditën objektivat libiane dje.

Më shumë se 20 objektiva, të konsideruara kërcënim direkt për forcat e koalicionit dhe civilëve libianë u goditën gjatë sulmit.

Televizioni shtetëror libian tha se 48 njerëz u vranë dhe 150 u plagosën gjatë sulmeve të aleatëve.

Muamer Gadafi i dënoi sulmet si “kryqëzatë të pajustifikuar agresioni. Udhëheqësi libian u zotua se do të hakmerrej kundër objektivave ushtarake dhe civile në Mesdhe, duke thënë se rajoni është kthyer në një “fushë të vërtetë beteje”.

Ai tha gjithashtu se do të hapë depot e armëve që libianët të armatosen. Mijëra libinaë u mbodhën në kompleksin e fortifikuar rëndë, ku jeton Gadafi në Tripoli për të formuar një mburojë njerëzore kudnër sulmeve të tjera të mundëshme ajrore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili ndodhet për vizitë në Brazil, tha se udhëheqësi libian Moamer Gadafi e la perëndimin pa alternativë tjetër, veç veprimit ushtarak.

Kryeministri britanik Dejvid Kameron tha në Londër se veprimi kundër zotit Gadafi ishte “i nevojshëm, ligjor dhe i drejtë”.

Nën admirali Bill Gortni, drejtor i Shtatmadhorisë ushtarake amerikane, tha se asnjë avion amerikan nuk po fluturonte mbi Libi në këtë kohë dhe në terren nuk kishte forca amerikane.

Më herët dje, avionë francezë qëlluan objektivat libiane, duke kryer sulmet e para të huaja për të zbatuar “zonën e ndalim-fluturimit” të shpalluar nga Kombet e Bashkuara mbi Libi. Sulmi ushtarak u vendos në një takim të nivelit të lartë ndërkombëtar në Paris më herët gjatë ditës.

Një zëdhënës i ushtrisë franceze tha se forcat e saj qëlluan një mjet që po kërcënonte civilët në Libi. Por sipas lajemve, avionë luftarake francezë shkatërruan katër tanke libiane pranë kryeqendrës lindore të kryengritësve në Bengazi.

Ai tha se forcat franceze vunë në zbatin dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuara të enjten nga Këshilli për shpalljen e “zonës së ndalim-fluturimeve” mbi Libi.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila mori pjesë në takimin e Parisit, e mbështeti vendimin e udhëheqësve botërorë. Ajo tha se megjithëse po zhvilloheshin bisedime në Tripoli për armëpushim, situata në terren përbënte një realitet tjetër.

Klinton tha se fuqitë botërore besojnë se çdo shtyrje e mëtejshme e sulmit do të vinte më shumë civilë libianë në rrezik. Klinton tha më tej se avionët francezë po fluturonin mbi Libi gjatë kohës së takimit.

Udhëheqësit botërorë dëgjuan gjithashtu edhe një thirrje urgjente nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki – Mun, i cili mori pjesë në takim.

Ban tha se duke patur parasysh “gjendjen kritike në terren” në Libi, ishte “e domosdoshme” që fuqitë botërore të vepronin “me shpejtësi dhe vendosmëri”. Ai tha se të dërguarit e Kombeve të Bashkuara kishin njoftuar për “shënja shqetësuese” në Libi, përfshirë edhe “kërcënimet dhe provokimet ndaj opozitës së armatosur”.

Në një zhvillim tjetër, Kryeministri i Kanadasë Stivën Harper, njoftoi formimin e bllokadës detare. Forcat proqeveritare në Libi kishin avancuar kundër kryengritësve në dy fronte dje. Kryengritësit në kryeqendrën lindore të Bengazit thanë se forcat besnike të qeverisë kishin avancuar, duke mos respektuar hapur armëpushimin që Gadafi shpalli të premten.

Pati gjithashtu njoftime për luftime në Axhabia në jug të Bengazit, si dhe në Misrata, një qytet që mbahet nga kryengritësit në pjesën perëndimore të Libisë pranë Tripolit.

Agjencia e lajmeve Rojters citoi banorët, të cilët kishin thënë se nëntë njerëz u vranë në qytet dje si rezultat i goditjes me artileri nga qeveria dhe zjarri i snajperëve.

SHPËRNDAJE